Kosova

Dy të vdekur e 132 të lënduar në aksidente për katër ditë në Kosovë

Dy persona kanë vdekur e 132 të tjerë janë lënduar në 344 aksidente të trafikut brenda katër ditëve të para të vitit 2025.

Aksidentet me fatalitet u regjistruan të shtunën. Njëri në aksin rrugor Lipjan-Shtime, ku mbeti i lënduar edhe një person, ndërsa tjetri në fshatin Prelez i Jerlive në Ferizaj, me ç’rast nga vetaksidenti mbeti i vdekur një 37-vjeçar.

Në Polici e kanë ndërlidhur shtimin e numrit të aksidenteve të komunikacionit me kushtet e pavolitshme atmosferike që kanë mbizotëruar gjatë ditëve të fundit në Kosovë.

Gjatë gjithë vitit të shkuar, sipas të dhënave të Policisë, kanë ndodhur 20 mijë e 500 aksidente të komunikacionit. Si pasojë e tyre, 92 persona kanë mbetur të vdekur e 13 mijë e 970 të tjerë kanë pësuar lëndime./Koha