Kosova

Dy rastet tragjike në Vushtrri, mblidhet Këshilli i Sigurisë së Komunës

Pas dy rasteve tragjike në Komunën e Vushtrrisë, të martën është mbledhur Këshilli Komunal i Sigurisë në Bashkësi.

Kryetari i Komunës, Ferit Idrizi, ka njoftuar se do të merren masa të menjëhershme për rritjen e sigurisë së qytetarëve.

“Pas ngjarjeve tragjike të dy ditëve të fundit, sot kam ftuar një mbledhje urgjente të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, ku kemi diskutuar për masat e menjëhershme që duhet të ndërmerren për rritjen e sigurisë për qytetarët tanë”, ka shkruar Idrizi.

Nga kjo mbledhje është rekomanduar që Drejtoria e Arsimit të mbajë takime të rregullta me prindërit, të bëhet organizimi i fushatave vetëdijesuese, të mbahen ligjërata vetëdijesuese kundër dhunës, si dhe të respektohet orari i punës i lokaleve afariste, të gastronomisë, si dhe i lokaleve që si veprimtari kanë videolojërat.

Po ashtu, është rekomanduar që policia të shtojë kontrollin në të gjithë territorin, në shkolla dhe hapësira publike, gjithashtu të shtohet numri i patrullimeve këmbësore në zonat e frekuentuara.

Më 23 mars, një 19-vjeçar u qëllua për vdekje me armë zjarri nga një bashkëmoshatar i tij në Vushtrri. Pa kaluar 24 orë, një burrë 58-vjeçar vrau me armë zjarri një grua 42-vjeçare dhe pastaj vrau edhe veten në fshatin Stanofc të Vushtrrisë.