Integrimi
Dy politikanë shqiptarozviceranë, apel komunitetit shqiptar të votojë kundër nismës së SVP-së
QëndresaSadriu dhe dhe Përparim Avdili janë të parët shqiptarë të zgjedhur në parlamentin e kantonit, përkatësësisht të qytetit të Cyrihut ndërsa qëllimi madhor i ka bërë aktualisht bashkë, pavarësisht faktit se u takojnë dy partive të ndryshme
Javë më parë, në Kantonin e Cyrihut është ngritur një komitet mbipartiak kundër iniciativës së SVP-së e cila kërkon përmendjen e përkatësisë kombëtare të kryesve të veprave penale në raportet policore dhe në media.
Ndër personalitetet e para të këtij komiteti ishte edhe politikani i FDP-së, Përparim Avdili, asamblist në Parlamentin e Qytetit të Cyrihut. Siç ka shkruar tashmë albinfo.ch, Avdili dhe komiteti ku ai bën pjesë, është kundër iniciativës por edhe kundër kundërpropozimit “kompromis” të Qeverisë së Kantonit.
Ai i konsideron, të parën diskriminuese dhe të dytën, joefektive.
Ndërkohë, me qëllim sensibilizimin e komunitetit të madh shqiptar me të drejtë vote në këtë kanton, Përparim Avdilit i është bashkuar edhe politikania tjetër me përkatësi shqiptare, Qëndresa Sadriu, këshilltare (deputete) e Partisë Socialdemokrate (SP) në Parlamentin e Kantonit të Cyrihut, shkruan albinfo.ch.
Të dy këta janë të parët nga komuniteti shqiptar të zgjedhur në parlamentet përkatëse ndërsa qëllimi madhor i ka bërë aktualisht bashkë, pavarësisht faktit se u takojnë dy partive të ndryshme.
Në vazhdim, teksti me të cilin dy politikanët e rinj shqiptarozviceranë i drejtohen komunitetit shqiptar të Kantonit të Cyrihut dhe shpalosin kërkesën e tyre.
Se ndryshimi ose dhe përmirësimi me votë është i mundshëm, kjo gjë na u demonstrua këto ditë të fundit edhe në Kosovë. Në Zvicrën e demokracisë së drejtpërdrejtë zhvillimet vijnë kryesisht pikërisht nga qytetarët. Shpesh herë ka ndodhur që zhvillimet politike të kenë marrë kahjen në kundërshtim me komunitetin tonë, madje edhe duke bërë politikë dhe propagandë diskriminuese ndaj shqiptarëve. Shembujt janë të shumtë, ku partia konservatore SVP me iniciativat e saj ka arritur që të mobilizojë elektoratin e saj për të arritur madje një shumicë, si për shembull në vitin 2010 me iniciativën e njohurë si “Ausschaffungsinitiative” ose në vitin 2014 me “Masseneinwanderungsinitiative”.
Të dy iniciativat e përmendura jo vetëm që kanë zgjidhur një problem konkret, por edhe i kanë komplikuar çështjet juridike dhe burokratike, pasojat e të cilave edhe sot i vuajmë. Por, arritja e tyre ka qenë krijimi i një diskursi negativ mbi origjinën e një personi.
Ne dhe një shumicë e qytetarëve të Zvicrës e dimë që në një shoqëri liberale secilit individ duhet t’i mundësohen kushtet për të pasur suksesin e tij personal. Por, kjo gjë mund të ndodhë vetëm nëse nuk paragjykojmë origjinën, moshën apo dhe gjininë. Si komunitet shqiptar në Zvicër, përgjegjësia morale për t`u angazhuar në këtë drejtim është edhe më e larte, nga që jemi të prekur shpesh herë edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Më 7 mars do të votojmë në Kantonin e Zürichut për një iniciativë të radhës nga SVP e cila cenon shoqërinë liberale. Sipas iniciativës, policia duhet të detyrohet që në çdo komunikatë zyrtare të saj për raste të ndryshme detyrimisht të përmendet edhe kombësia e personit. Nismëtarët madje nuk mjaftohen me kaq por kërkojnë që edhe tek shtetasit zviceranë të përmendet origjina e tyre nëse ata kanë marrë shtetësinë zvicerane në 10 vitet e fundit. Ata me këtë rast i referohen transparencës përballë qytetarëve dhe besojnë që, nëse përmendet kombësia dhe origjina e një personi qoftë edhe të dyshuar dhe jo të dënuar, vendi bëhet më i sigurt. Por, shkenca dhe faktet parashtrojnë një realitet ndryshe: Sipas disa studimeve edhe në bazë të vetë statistikave vjetore të policisë, faktorët si edukimi ose socializimi janë faktorët kryesorë pse një njeri mund të kryej një akt kriminal.
Deklarimi i kombësisë në komunikatat zyrtarë që pastaj transmetohen në media, nuk ka asnjë efekt sigurie. Përkundrazi, nëse krijojnë paragjykime dhe një parti politike e caktuar e kapitalizon atë diskurs, atëherë krijohet një klime jo e sigurt për shumë qytetarë me origjinë të huaj që duhet të përballen me paragjykime diskriminuese. SVP pra edhe kësaj radhe nuk e ka për interes të zgjidhë çështjen e sigurisë, e cila në fakt në vitet e fundit edhe është përmirësuar, por ka për qëllim vetëm të kultivojë probleme për qëllime politike.
Qeveria dhe Kuvendi Kantonal në një tentativë për të gjetur një kompromis me iniciativën, ka ofruar një alternativë të iniciativës që kërkon vetëm përdorimin e kombësisë dhe jo të origjinës. Por, argumentet e lartpërmendura vlejnë edhe këtu – nuk krijohet asnjë siguri apo dhe nuk zgjidhet asnjë problem duke folur për kombësinë e një personi të dyshuar nga policia e as madje për ata që dënohen. Që kriminelët duhet të dënohen në mënyrë më konsekuente nga gjykata, për këtë gjë s’ka asnjë dyshim – por, kjo iniciativë dhe alternativa e parashtruar e Qeverisë nuk janë zgjidhje.
Ne besojmë që me mobilizimin e duhur, këtë votim mund ta çojmë në drejtimin e duhur.
Sipas një statistike të para 3 viteve, vetëm 11% e qytetarëve në Zürich me origjinë nga Kosova marrin pjesë në votime. Demokracia pra është në funksion vetëm atëherë, kur ajo shfrytëzohet. Voto edhe Ti kundër kësaj iniciative duke votuar kundër iniciativës dhe kundër alternativës (Gegenvorschlag)!
2 x NEIN zur Nennung der Nationalität bei Polizeimeldungen
Qëndresa Sadriu Përparim Avdili
Këshilltare Kantonale Këshilltar Komunal
Partia Socialdemokrate SP Partia Liberale FDP
Kantoni Zürich Qyteti Zürich
Të ngjashme
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë Festa e shoqatës “Bashkimi" nga Usteri kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë...
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Jeta në Zvicër
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert Të apasionuarit pas skijimit janë duke buzëqeshur. Reshjet e fundit të borës kanë lejuar vendpushimet e...
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara