Lajme

Dy kompani austriake në garë për Brezovicën

Në muajin qershor pritet të zgjidhet kompania fituese, ndërsa në muajin shtator do të shpallet kontrata finale për koncesionimin e këtij kompleksi turistik

Tri kompani ndërkombëtare dhe një serbe janë në garë për të privatizimin e kompleksit turistik “Brezovica”. Në muajin qershor pritet të zgjidhet kompania fituese, ndërsa në muajin shtator do të shpallet kontrata finale për koncesionimin e e këtij kompleksi turistik.

 

Në garë tashmë janë: ATC Investments (konsorcium austriako – amerikan), Rilla Investment (konsorcium bullgaro – austriak), MDP Consultants (konsorcium nga Franca dhe Andora) dhe MK Group (kompani serbe).

 

Këto kompani, sipas autoriteteve kompetente, posedojnë kapacitete të nevojshme për të projektuar, financuar dhe ndërtuar një qendër për turizëm malor dhe rekreacion për gjatë gjithë vitit për vizitorët lokal dhe ndërkombëtar.

 

Por, ekspertë të turizmit, theksojnë se autoritetet kompetente nuk kanë bërë të qartë profilin e kompanive, por megjithatë ata konsiderojnë se më një transparencë gjatë zbatimit të kontratës më kompaninë fituese, rezultatet nuk do të mungojnë.

 

Zekë Çeku është udhëheqës i Kompanisë për Planifikim dhe Zhvillim të Turizmit, konsideron se përfitimet do të jenë evidente, por që pjesa më e madhe e profitit, sipas tij, do të shkojë jashtë vendit.

 

“Gjithsesi se Kosova do të përfitojë. Mirëpo shkalla e saj sa Kosova përfiton varet,  çfarë kontrate, çfarë marrëveshje të koncesionimit do të realizojë shteti më investitorin. Normalisht, meqë investitorët janë të jashtëm, pjesën më të madhe të profitit do të qesin jashtë vendit”, thotë Çeku raporton REL.

 

Edhe Bujar Kuçi, ekspert i turizmit, njëherësh ish-drejtor i Departamentit të Turizmit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë thotë se përfitimet e Kosovës nga koncesionimi i qendrës turistike varen nga kushtet e paraqitura  në kontratën më kompaninë fituese.

 

“Unë mendoj se përfitimet do të varen nga kushtet e specifikuara në kontratën më koncesionerin e ri. Ato kushte tashmë dihen për shkak se faza e parë ka kaluar. Dhe krejt varet sa zbatohet kontrata që lidhet më koncesionerin  fitues”, deklaron Kuqi.

 

Manik Begolli nga MTI, ndërkaq thotë se realizimi i këtij projekti siguron krijimin e një numri të konsiderueshëm të vendeve te punës, zhvillim ekonomik, krijimin e bizneseve të reja, et.

 

Në anën tjetër, Zekë Çeku, kërkon nga autoritetet kompetente që gjatë këtij procesi të ketë transparencë të plotë dhe jo manipulime.

 

“Ne e dimë se për mes investimeve kemi përvoja të këqija, në procesin e privatizimit. Prandaj unë dëshiroj që sa më pak të ketë implikime negative sa më pak korrupsion, dhe sa më pak interesa grupore dhe personale. Ky proces të zhvillohet në atë drejtim që sa më shumë të ketë interesa kombëtare, shtetërore dhe interesat e qytetarëve kosovarë të jenë në rend të parë”, thekson Çeku. 

 

Ndryshe, në dhjetë vjetët e ardhshme janë premtuar se do të hapen 4,000 vende të reja të punës dhe ndikimi ekonomik do të kalojë shumën prej 5 miliardë eurosh.

 

Gjatë nomenklaturës së kaluar “albinfo.ch” kishte biseduar me banorët rreth zonës së Brezovicës. Ndësra Sinan Imeri, ish-drejtor për buxhet dhe financa në komunën e Shtërpcës, ka thënë se nëse projekti zhvillohet sipas procedurave të rregullta, do të jetë një “bum” ekonomik edhe për komunën e Shtërpcës.

 

Kjo për faktin, se në këtë kompleks turistik, sipas Imerit, është parashikuar të punësohen mijëra punëtorë të cilët me siguri do të zbusin papunësinë dhe do të ngritin mirëqenin ekonomike të banorëve lokalë.

 

Brezovica është njëra nga qendrat më të bukura rajonale të Turizmit që shtrihet në malet e Sharrit. Hapësira e qendrës së skijimit është rreth 2500 hektarë, në lartësinë mbidetare 1718-2522 metra. Përbrenda kësaj hapësire janë shtigjet e skijimit me gjatësi mesatare rreth 4 km dhe me një lakueshmëri mesatare prej 38 %.

 

Qendra e skijimit “Brezovica” është e hapur për dashamirët e skijimit gjatë gjitha stinëve të vitit, ku në verë, sipërfaqja e mbuluar me borë zvogëlohet por prapë lë mundësin e shfrytëzimit. Kjo qendër po ashtu posedon disa hotele cilësore të kategorive më të larta.