Muzikë
Dy ditët e një feste: 10 vjet të Ansamblit “Trojet”
Përshtypje nga ekspozita e piktorit Arsim Berisha dhe koncerti, në kuadër të përvjetorit të dhjetë të ansamblit “Trojet” në Winterthur.
Në vend të prologut
Një ftesë nga miqtë e vërtetë është pa dyshim gëzim. Sidomos në raste përvjetorësh apo jubilesh, ajo kthehet edhe në një angazhim serioz, kur është fjala për ta pasqyruar atë në media. Kështu na ndodhi edhe ne para pak ditësh.
Vinterturin e gjetëm ashtu hijerëndë e me gjallërinë e zakonshme, po edhe plot art e kulturë të afishuar në çdo kënd të tij. “Albanifest” 2023 mbizotëronte në çdo mjedis publik, nga stacioni i trenit e deri tek sheshet kryesore të qytetit. Po këtij manifestimi të përvitshëm, sivjet do t’i paraprinte diçka tjetër: Ansambli “Trojet” njoftonte se më 25 qershor kishte 10-vjetorin e krijimit të tij, për të cilin kishim ardhur edhe ne.
Një skenë kushtuar artit pamor
Koreografin Arsim Berisha e kam njohur para pesë vjetësh, në Festivalin e Muzikës Shqiptaro-Amerikane në Detroit. Në krye të grupit të valleve të Ansamblit “Trojet”, u bë një personazh simpatik, jo vetëm si artist, por edhe në diskutimet për artin tonë kombëtar. Nuk e dija se një ditë, do të njihja edhe një Arsim tjetër… Një sallë teatri, në çdo rast, mbushet plot e përplot, kur kemi te bëjmë me një shfaqje interesante dhe me aktorë të talentuar. Këtë radhë skena do të kishte vetëm një personazh. Nuk ishte një monodramë por… një ekspozitë e piktorit të talentuar Arsim Berisha. Festimet në kuadrin e 10-vjetorit të ansamblit “Trojet”, kishin nisur ndryshe nga çdo vit tjetër. Kuptohet, datë jubilare.
Mbi dyzet punime apo vepra, që shquhen për larminë e teknikave dhe të ngjyrave në pikturë, kanë mbushur çdo kënd të amfiteatrit të shkollës “Mattenbach”. Karriget nuk mjaftojnë për publikun, vogëlushët kanë zënë vend nëpër shkallë, diku në radhën e parë është ai, që na ka mbledhur këtë pasdite. Në qendër, kryetari i ansamblit, zoti Zeqë Gashi dhe anëtarët e tjerë të kryesisë, ndoshta provojnë më shumë emocione se vetë autori i kësaj ekspozite.
Amfiteatri bie në gjysmerrësirë. Një dorë ndez katër qirinj. Teksa ndriçimi vjen e rritet, shquajmë aktorin e mirënjohur Adem Kicaj që i drejtohet qendrës së sallës. Nuk preferon të ngjitet në skenë por si në një shfaqje moderne, ka zgjedhur të jetë fare pranë publikut. Ai fton kryetarin Gashi, i cili përshëndet të ftuarit. Ndodhemi në një mjedis shumë të ngrohtë, aq sa më duket se nuk jemi thjesht në një ekspozitë, por në një mbrëmje festive.
Një vajzë simpatike është ulur në piano. Duar elegante mbi tastierë, kanë nisur introduktin e një kënge të njohur qytetare: “Fërfëlloi fëllanxa n’ujë”. Këngëtarja Flutura Bytyçi është rritur pranë ansamblit si një artiste me dinjitet, çka e tregojnë edhe duartrokitjet e publikut.
Ka një barrë të rëndë moderatori Adem në këto çaste… Po përse? … Sepse i duhet të sjellë para publikut trinomin artistik të Arsim Berishës… I lindur dhe i rritur mes legjendave në Dobërdol, një fshat në Kosovë, shpejt shpalosi prirjet artistike po periudha e nxehtë e viteve 90-të e detyroi, si mijëra moshatarë të tij, të emigrojë. Në klubin “Kosova” shpërtheu talenti i tij … Mbaroi Institutin e Arteve në Zyrih për pikturë por ajo ëndrra e fëmijërisë për të kërcyer vallen popullore, iu bashkëngjit artit pamor. Një rast i rrallë ky! Sot Arsimi është autor i disa ekspozitave, valltar i parë në dhjetëra e dhjetëra koncerte por mbi të gjitha koreograf i ansamblit “Trojet”, pa të cilin sukseset do të ishin të diskutueshme.
Çaste kur piktorit i duhet të dalë para publikut, të thotë diçka… E ka të vështirë, sepse krijimtaria e tij flet me gjuhën e penelit, të lëvizjeve të valltarëve dhe notave muzikore. Atë e pason vokali profesionist i këngëtares së re, Mariza Murtezi. “Pranvera filloi me ardhë”. Kjo këngë shkodrane, i jep një tjetër atmosferë kësaj ceremonie promovuese që ka mbledhur komunitetin shqiptar të Vinterturit në këtë amfiteatër. E më tej? Ekspozita është deklaruar e hapur… Nga portretet e Shenjtëreshës sonë, Nëna Terezë e të pavdekshmit Adem Demaçi, tek natyrat e qeta, nga figurat e shquara të kinematografisë botërore tek portretet e fëmijëve, nga heroi ynë kombëtar, GJ.K. Skenderbeu tek Mojsiu i madh etj., etj., një galeri e pasur edhe në tematikë. Ekspozita i ka nxitur të pranishmit të diskutojnë e para se të largohen, të lënë edhe përshtypjet e tyre në librin e vendosur në holl. Festimet për 10-vjetorin e krijimit të ansamblit “Trojet” do të vijonin të nesërmen.
Ata janë të gjithë artistë
Tetëdhjetë e dy valltarë, të prirë nga flamuri ynë kombëtar, vërshojnë drejt një tjetër amfiteatri, kësaj radhe mes gjelbërimit në natyrë. Tamam sikur kalojnë mes Bjeshkëve të Gjakovës apo diku tjetër në Kosovë. Më i vogli tyre është pesë vjeç. Përsëri aktori dhe regjisori Adem Kicaj. Ai ka hyrë mes tyre me recitimin “Lum e lum për ty Kosovë”. Vargje që të rrëqethin e të bëjnë të të ziejë gjaku prej dashurisë për tokën e të parëve.
Jemi në prag të një koncerti në natyrë, të organizuar nga kryesia e ansamblit… Dhe ja, vetë ata, rreshtohen në qendër të dekorit për të përshëndetur publikun e shumtë të ardhur edhe nga qytetet përreth. Zeqe Gashi, Taip Zeqiri, Blerim Bunjaku, Petrit Bytyçi, Blerim Qollaku, Hamim Xhemaili, Bubekir Morina dhe Arsim Berisha, ai që na mblodhi mbrëmë. Po sot ai është i veshur me kostum popullor, pra nuk dallon nga valltarët e tjerë, ndonëse është edhe udhëheqësi artistik i ansamblit.
Xhirojmë pamjet e para të koncertit. Mua dhe operatorit, na duket se edhe publiku, me ata vogëlushë 2-3-vjeçarë të veshur si gjyshërit e stërgjyshërit e tyre dikur, është edhe ai një personazh i kësaj feste. Duartrokitjet sikur nuk duan të pushojnë, teksa moderatori Adem, bën një përmbledhje të historikut 10-vjeçar të “Trojeve”. Që nga 17 prilli i 2013-ës, kur ai u themelua si një degë e ansamblit “Vatra”, ka qenë një rrugë e gjatë e jo e lehtë edhe për nismëtarët: Zeqë Gashin, Nexhmedin Isufin, Arsim Berishën dhe Blearta Gashin. E nisën me 16 fëmijët e parë, duke pasur mbështetjen e prindërve të tyre artdashës. Kështu, ansambli u formua me dashurinë për artin e kulturën kombëtare. Misioni i tij kryesor ka qenë dhe mbetet ruajtja, kultivimi dhe paraqitja e vlerave të mirëfillta të artit tonë kombëtar. Po le të kthehemi tek koncerti…
Vallet ndjekin njëra-tjetrën. Ja, fyelltari i vogël që u prin moshatarëve të tij, pastaj vajzat që e kanë ndërthurur kërcimin me elemente akrobatike dhe në fund një shoku i tyre, e finalizon me zbulimin e shqiponjës në gjoksin e tij. Po ajo, Mariza, që e njohëm mbrëmë? Na emocionon të gjithëve. Sikur sjell mes nesh bilbilin e këngës së Kosovës, Nexhmije Pagarushën, përmes këngës “Baresha”.
Nga Malësia e Gjakovës, tek Shqipëria e Mesme, nga Rugova në Vlorë… Ndjekim një miks motivesh, të harmonizuara bukur në këtë program. E si gjithmonë ajo: Donjeta që e kemi njohur të vogël. Sot një profesioniste e vërtetë. Udhëheq vallet, herë të qeta e herë plot ritëm… Janë vajza që mund ta përfaqësojnë kudo me krenari artin tonë popullor. Shkojmë drejt fundit me dy episode të veçanta: kryesia respekton mundin e djersën e më të mirëve të këtyre dhjetë viteve me certifikatën e “Mirënjohjes”. Sa bukur!
Në qendër të dekorit vendoset një tortë e madhe: simboli i “Urimit për 10 – vjetorin e ansamblit”. Një dorë elegante nis ta presë. I ka takuar Bleartës, sot veterane e valles e pas saj, njëri-pas tjetrit anëtarët e kryesisë. Duartrokitjet nuk kanë rreshtur gjatë gjithë koncertit. Publiku nuk do të largohet nga ajo skenë e improvizuar në natyrë. Foto e foto pa fund. Celularë e aparate fotografike fiksojnë qindra çaste gëzimi. Vallja nuk është më e artistëve sepse mes tyre kanë hyrë ata që kishin mbushur shkallët. Ndërsa ne… fiksojmë mbresat dhe opinionet e organizatorëve dhe të pranishmëve në koncert, madje edhe të zviceranëve-miq të komunitetit shqiptar të Vinterturit. Një lahutar interpreton një këngë trimërie për Kosovën. Krenari për origjinën!
Postkoncert
Ben Tafili, operatori e bashkëpunëtori im i sa e sa programeve televizive për diasporën, ka mbyllur kamerën. Trokasim një gotë verë urimi me Zeqën e anëtarët e tjerë të kryesisë. Përgëzoj artistët që tashmë janë çliruar nga barra e koncertit dhe… befas me kujtohen sa e sa veprimtari, përmes të cilave kanë kaluar rreth 300 artistë të tri gjeneratave. Beni ka xhiruar koncertin e suksesshëm në Detroit, ku mijëra vetë shqiptare dhe amerikanë u befasuan, jo nga një apo disa artistë por nga talenti kolektiv i një ansambli shqiptar që kish ardhur nga Zvicra. Kujtoj koncertet e çdo viti për 28 Nëntorin, festën e flamurit, ato për pavarësinë e Kosovës, disa prej të cilëve i ruaj në arkivin tim.
Nuk mund të harroj vitin 2020, kur ansambli “Trojet” sfidoi Pandeminë Covid-19. Atë telereportazh e quajta “Një skenë-simbol I festës”. Po ato biseda e telefonata pa fund me Zeqë Gashin? Ai është superaktiv, në çdo kohë, për ta ngjitur edhe më lart këtë dhjetëvjetor që sapo ka festuar. Po përse? Kompaktë në raportet brenda kryesisë, profesionistë në art, përkushtim ndaj artistëve të çdo moshe, mirëkuptim dhe bashkëpunim me prindërit. Një derë e hapur për të gjithë për të bërë artin e vërtetë.
Turne të tjera, jashtë Zvicrës, e presin këtë ekip artistësh. Jam i bindur në suksesin e tyre!
Autori, Engjëll Ndocaj është skenarist dhe regjisor në RTSH “Mjeshtër i Madh”
E-Diaspora
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së Kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku përmes një postimi në Facebook ka thënë se deri më tani...
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch
-
Granit Xhaka është pjesë e formacionit më të mirë të vitit në Bundesliga
-
Përfundojnë pritjet në kufirin Kroaci-Serbi
Jeta në Zvicër
-
Gjeneva aktivizon planin e saj të akomodimit emergjent Ndërsa moti i ftohtë pritet të arrijë në ditët në vijim, Qyteti i Gjenevës do të...
-
Reshjet e fundit të borës nxisin fluksin turistik në Zvicër
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch
-
Cilat destinacione do të kushtojnë më shumë nga Zvicra