Ndërtuesit e Zvicrës
Dy diploma dhe një karrierë inxhinieri në Zvicër
Pas titullit të inxhinierit të elektroteknikës nga Prishtina, Bashkim Dylës iu desh të merrte edhe titullin e dytë (Diplomierte Energieingenieur HTL) për të punuar në Zvicër si inxhinier. Tash ai mban postin e menaxherit të Energjisë të ndërtesave kantonale të kantonit Basel-Stadt
Bashkim Dyla ka ardhur nga Kosova në Zvicër në vitin 1991 me studime të kryera për inxhinier të elektroteknikës. Që në fillim, ai kishte bërë përpjekje që të gjente punë në profesionin e tij por pa sukses. “Si duket diploma e Prishtinës nuk çmohej shumë këtu, prandaj gjithnjë merrja përgjigje negative për punësim. Kështu, dëshira për të punuar si inxhinier më bëri që të filloja studime të reja ne Zvicër”, thotë Dyla në bashkëbisedim me albinfo.ch.
Por, edhepse diploma e Prishtinës nuk i mjaftoi për punësim, ajo i hapi Bashkimit rrugën për të studiuar mëtutje. Ai thotë se “studimet paraprake ishin parakusht për të vazhduar studimet postdiplomike për Energji, në Muttenz. Nuk ishte edhe aq e lehtë për mua si baba i dy fëmijëve të vazhdoja studimet”.
Sidoqoftë, me ambicien që e karakterizonte dhe me vullnetin për punë, Bashkimi çau përpara. Pas titullit të inxhinierit të elektroteknikës nga Prishtina, ai fitoi edhe titullin e dytë (Diplomierte Energieingenieur HTL) në Ingenieur Schule Beider Basel ne Muttenz (Tani quhet Fachhochschule Nordwestschweiz).
Me titullin e ri, ai, fillimisht, nga viti 1996 deri me 1998 ka punuar gjysmë dite në IWB (Industrielle Werke Basel) si këshilltar i energjisë pranë këshillimores për Energji ne Basel dhe gjysmë dite (pasdite) në HBA (Hochbauamt të kantonit BS po ashtu si këshilltar i energjisë se ndërtesave kantonale të kantonit Basel-Stadt.
Në janar të vitit 2009 ështe licencuar si ekspert për leshimin e certifikatës së energjisë të objekteve të banimit, zyrave dhe shkollave nga Enti Federal i Energjisë, i Zvicrës (Bundesamt für Energie –BfE), ndërsa në qershor të vitit 2009 ka marrë titullin „Master (MAS FHNW) në ndërtime të qëndrueshme“ dhe “Efiçienca e Energjisë”.
Menaxher i Energjisë të ndërtesave kantonale të kantonit Basel-Stadt
Por cilat kanë qenë problemet e tij si i huaj për tu integruar në një profesion, jo shumë tipik për të huajt, çfarë është profesioni i inxhinierit. Si është pritur, a ka pasur rezerva ndaj tij si i huaj. “Përderisa pata kryer studimet adekuate, këtu, në Zvicër për këtë vend pune dhe paraprakisht kisha mbaruar studimet e Elektroteknikës që edhe ato ishin kusht për punësim, aplikova dhe u pranova. Pengesat e para kanë qenë ato gjuhësore, mirëpo falë përkrahjes së vazhdueshme të udhëheqësit tim dhe kolegëve të mi, u integrova me shume lehtësi në ambientin e ri te punës. Pritjet e mia janë tejkaluar për të mirë sepse që nga fillimi kam pasur mundësinë të ushtroj profesionin tim me shumë kënaqësi, lehtësi dhe kreativitet, duke kontribuuar që në kantonin e Baselit të ndërtojmë objekte efiçiente dhe të qëndrueshme”, thotë ing.Dyla.
Pas një kohe ai është avancuar dhe sot mban pozicionin e Menaxherit të Energjisë të ndërtesave kantonale të kantonit Basel-Stadt. Ai bënmenaxhimin (udhëheqjen) e zyrës së energjisë të Entit për ndërtime të larta të kantonit Basel-Stadt (Hochbauamt Basel-Stadt). Për publikun e gjerë i cili nuk ka idenë se çfarë përfshihet në këtë përshkrim pune, Bashkimi sqaron se bëhet fjalë për një varg përgjegjësishë: Puna ekipore ndërdisiplinore me arkitektët dhe specialistët; Mbështetja (këshillimi) profesionale e arkitektëve dhe specialistëve në zbatimin e objektivave të energjisë në ndërtesat e reja dhe renovime; Ekzaminimi, analiza dhe vlerësimi i koncepteve energjetike të zhvilluara nga projektues të jashtëm (ekstern); Menaxhimi i projekteve; Analizat e thukëta energjetike te ndërtesave; Inicimi i strategjive dhe udhëheqjen e masave për të rritur efikasitetin e energjisë dhe për të reduktuar konsumin e ujit; Kontakti i parë për të gjitha çështjet e konsumit të energjisë dhe ujit si dhe krijimi i raporteve dhe analizave mbi konsumin e energjisë.
Ligjërata në Kosovë mbi ndërtimet eficiente
Dhe, për cilësinë me të cilën ai ka ushtruar të gjitha këto përgjegjësi, tregon edhe ky detaj: “Në vitin 2009 kryetari i Kantonit të Baselit si pjesëmarrës në Konferencën e OKB për Klimë që u mbajt në Kopenhagë, mori me vete 15 ekzemplarë të raportit tim vjetor mbi Konsumin e Energjisë në ndërtesat kantonale të kantonit BS, për t`ua shpërndarë pjesëmarrësve të Konferences. Në atë raport, si autor, qëndron emri im”, thotë ing. Bashkim Dyla.
Por çka mund të përfitojnë në Kosovë ose në Shqipëri nga përvoja e inxhinierit shqiptar në pozicionin që punon? A ka pasur rast të përcillte diçka nga kjo përvojë e tij atje? Bashkëbiseduesi ynë thotë se përfitimet mund të jenë të mëdha. “Pronarët e firmave ndërtuese dhe ata të objekteve, mund të përfitojnë duke iu përcjellë informacionet mbi standardet e reja të objekteve të ndërtimit të qëndrueshëm, mbi standardet e teknikës së objektit. Pastaj në legjislativ mund të ndihmoj në përpilimin e ligjit të energjisë, në transmetimin e informacioneve mbi mënyrat e stimulimit të popullsisë për kursim të energjisë etj.”, thekson ai.
Në fakt, Bashkimi ka bërë tashmë disa përvoja në këtë drejtim. “Në Kosovë kam marrë pjesë në mënyrë vullnetare në festivalin ndërkombëtar ECOWEEK (java ekologjike) ku u kam mbajtur ligjërata pjesëmarrësve (shumica studentë të arkitekturës dhe të ndërtimtarisë) mbi Kriteret e ndërtimeve efiçiente. Pastaj shkoj (jo rregullisht) në Universitetin UBT ku po ashtu ligjëroj temën e Qëndrueshmërisë dhe Efiçiencës në ndërtim. Më kanë premtuar të mbaj ligjërata të kohëpaskohshme edhe në Universitetin publik të Prishtinës. Po pres ftesën”. Këtë vit në shtator ai ka qenë i ftuar në festivalin e dyte me radhë “Green Business Kosovo” ne Prishtinë, i organizuar nga USAID, për të mbajtur ligjëratën me temat e lartpërmendura. Gjatë festivalit paralelisht, me ligjërata mbahej edhe panairi i pajisjeve nga prodhuesit vendorë të cilat promovojnë energjinë e ripërtërishme apo të ashtuquajturën Green Energy”, shpalos ai angazhimet e tij në Kosovë.
Në Kosovë ndiqet moda nga perëndimi por jo edhe standardet e punës
Por, si një profesionist që i ka të njohura të dy realitetet, këtë në Zvicër dhe atë në Kosovë, ku e sheh inxhinieri shqiptarozviceran dallimin thelbësor në mes të punës që bën ai në Zvicër me atë të fushës së njëjtë në Kosovë? “Fatkeqësisht dallimi në këtë lëm është shumë i madh. Përderisa në Kosovë përcillen pa asnjë vonesë pothuajse gjitha trendët botërorë, si ai i automobilizmit, i informacionit, modës, kuzhinës etj., teknika e ndërtimit stagnon shumë. Standardi i ndërtimit, sa i përket efiçiencës së energjisë është për tu vajtuar. Objektet me izolim termik të pamjaftueshëm, apo pa izolim fare, shfrytëzimi i pamjaftueshëm i burimeve të energjisë së ripërtërishme (duke u bazuar në potencialin e madh të energjisë diellore ne Kosovë), janë vetëm disa nga telashet. Problemi, nuk qëndron aq shume te mungesa e mjeteve materiale sa te mungesa e informacionit, si pasojë e nivelit të dobët të studimit, mjerisht. Sipas një studimi që kam bërë në vitin 2014, në Kosovë një investim minimal në eficiencë të ndërtimit, mund të sjelle kursime dhe fitime shumë të mëdha, si në rrafshin personal (privat) ashtu dhe në atë të përbashkët (shtetëror). Duhet të kemi parasysh: Në Kosovë 60-70% e energjisë shpenzohet në ndërtesa, prandaj efiçienca e energjisë në ndërtim do të duhej të jetë prioritet i çdo banori dhe institucioni politik. Duke pasur parasysh faktet që vijojnë: në Kosovë, te shumica e objekteve ngrohja gjatë dimrit dhe ftohja gjatë verës bëhet me energji elektrike, pastaj koeficienti shumë i ulët i shfrytëzimit të termocentraleve të Obiliqit, del se efiçienca në ndërtim është një ndër faktorët më të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit (krijohen vende të reja pune) dhe të mirëqenies së qytetarëve”.
Të tjera nga Ndërtuesit e Zvicrës
E-Diaspora
-
Florian Haçkaj: Një jetë përtej kufijve dhe një mision për Shqipërinë Suksesi më i madh i Lëvizjes që drejton Florian Haçkaj ishte fitorja në Gjykatën Kushtetuese të...
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit
-
43 orë në bllokim trafiku për të arritur në Kosovë nga Zvicra
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
Jeta në Zvicër
-
Tarifa e urgjencës prej 50 frangash vazhdon të shkaktojë polemika Polemika po rritet në lidhje me dënimin e propozuar për njerëzit që kërkojnë kujdes mjekësor urgjent...
-
Posta në Zvicër: Rekord i dërgimit të pakove për Krishtlindje
-
Gjykata Federale merr vendim për pensionin e burrave të ve
-
Çfarë faturash duhet të paguani përpara datës 31 dhjetor, në Zvicër?
-
Zvicra ka indeksin më të ulët të mjerimit në botë