Futboll
Duka flet për kritikat rreth organizimit të Evropianit me Serbinë
“Ndeshjet e nëntorit i luajmë me 12 lojtarë”, Presidenti Duka analizon Kombëtaren, komenton kritikat për organizimin e kampionatit Euro 2027 në Shqipëri
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ishte i ftuar nëpërmjet një lidhje LIVE në televizionin “Euronews Albania” me dy gazetarët Esmeralda Mulaj dhe Enriko Gabaj.
Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar foli për dy ndeshjet e fundit të Kombëtares shqiptare, humbjen ndaj Çekisë dhe fitoren ndaj Gjeorgjisë, transmeton albinfo.ch.
Presidenti Duka foli edhe për Grudën e Hasën, futbollistët shqiptarë, të cilët janë rritur në ekipet zinxhir të Gjermanisë e Italisë, si edhe për futbollistët shqiptarë, të cilët kanë vendosur të luajnë për Shqipërinë.
Vendi i parë në grup? – Duke vazhduar me të njëjtën logjikë dhe duke besuar vërtet në gjendjen e mirë të skuadrës, por edhe të kundërshtarëve çdo gjë mbetet e hapur sidomos me klasifikimin që kemi sot. Kryeson Çekia me 7 pikë, ne dhe Gjeorgjia jemi me 6 pikë, ndërsa Ukraina me 4 pikë. Kjo nuk do të thotë që Ukraina është skuadra më e dobët e grupit, pasi edhe Ukraina e pretendon vendin e parë në dy ndeshjet e fundit. Çdo gjë mbetet e hapur, ne kemi një avantazh pasi dy ndeshjet e fundit i luajmë në shtëpi para tifozëve tanë. Kemi lojtarin e 12-të dhe shpresojmë që ta shfrytëzojmë. Skuadra mos të jetë në presion nga përgjegjësia që të jep tifozi në stadiumin “Air Albania”, por ta shfrytëzojë këtë si avantazh. Siç e thashë edhe më parë niveli i skuadrave është i barabartë dhe mbetet për t’u parë në dy ndeshjet e fundit. Të gjithë kontribuojmë në futboll, ju dhe të gjithë ne. Ndikimi i Presidentit është i vogël në krahasim me atë që ndikon stafi dhe futbollistët në fushë.
Incidentet e ndodhura në Çeki? – Janë gjëra që nuk kanë lidhje me futbollin dhe nuk duhet të ekzistojnë. Futbollisti nëse do të arrijë të shohë jashtë fushës së gjelbër e ka të vështirë të përqendrohet në lojë dhe kur futet në fushë përqendrohet në punën e tij. Unë nuk e di i kanë parë apo jo, por unë faktikisht nuk i kam parë gjatë lojës në stadium. Flamujt e vendosur ishin shumë larg dhe nuk dukeshin, por gjithsesi janë ngjarje sporadike që nuk kanë lidhje me lojën dhe futbollin. Nuk duhet të ekzistojnë. Unë nuk besoj që ne duhet ta përgjithësojmë dhe të themi që çekët janë kundër shqiptarëve. Nuk është kjo sjellja dhe kultura e popullit çek kundër shqiptarëve. Ashtu sikurse nuk është kultura jonë që të fishkëllejmë himnin gjeorgjianë, por kishte disa njerëz që e bënë atë gjë. Kjo nuk duhet të ndodhi është e dënueshme. Ato që e kanë bërë në Çeki këtë gjë janë një grup njerëzisht ose një individ apo dy. A kanë qenë të shtyrë apo të paguar dhe për çfarë arsye, i takon më shumë organeve kompetente dhe institucioneve të Çekisë për ta vërtetuar. Shije shumë e keqe për futbollin në përgjithësi dhe për ne. Mund të kishte një reagim më të shpejtë nga skuadra dhe stafi që ishin në fushë, por fakti që përqendrohen në lojë ka bërë që të mos i shohin. Momenti që jemi sinjalizuar në fakt nëpërmjet atyre që i kanë parë në ekran dhe na i kanë dërguar me WhatsApp ne kemi ndërhyrë dhe kemi kërkuar që të hiqen dhe të largohen. Nuk janë këto fenomenet dhe sjelljet e futbollit që ne duhet ti përgjithësojmë, këto janë grupe njerëzisht dhe fenomene që nuk duhet të ndodhin. Mund të ketë forca të interesuara për axhendat e tyre politike që mund t’i shtyjnë këto. Mund ta bëjnë në Çeki ose në një shtet tjetër. Nuk arritën të bëjnë asgjë në Gjeorgji, pasi sjellja e tifozëve të tyre ishte korrekte në stadium, madje mund ta konsiderojmë një lloj leksioni duartrokitjen që ato i bënë himnit kombëtar shqiptar. Mendoj që nuk ishte pa qëllim pasi edhe ato nuk e kanë përjetuar mirë që një pjesë e tifozëve shqiptarë ja kanë fishkëllyer himnin në Tiranë. Padyshim që ka masa. Ne jemi dënuar për fishkëllimin e himnit kombëtar gjeorgjian në Tiranë me 12.500 euro nga UEFA. Padyshim që gjoba për flamujt apo për vendosjen mbrapsht të tyre me qëllim negativ në Çeki do të ketë një gjobë akoma më të madhe për ta sepse këto janë rregullat e futbollit. Të gjitha vendet kanë të njëjta të drejta në UEFA, rregullat janë të njëjta për të gjithë. Bashkëpunimi dhe solidariteti janë parimi kryesor dhe të gjithë komisionet e UEFA-s që marrin vendime janë nga të gjithë vendet dhe gjobat apo masat funksionojnë për të gjithë.
Gruda dhe futbollistët e tjerë shqiptarë – Gruda është një futbollist shumë i mirë, e thotë vetë me paraqitjet e tij në fushë. Por edhe Hasa në Itali është një futbollist shumë i mirë, ka luajtur me ekipet kombëtare të Italisë. Janë shqiptarë, kanë dopio shtetësi, por është vendimi i tyre se për çfarë kombëtare duan të luajnë. Ne i kemi ftuar, kemi biseduar dhe negociuar dhe urojmë që ata të vendosin për të luajtur për Shqipërinë. Për momentin janë përqendruar në lojën e tyre me klubet dhe nuk kanë marrë një vendim. Ata do të vendosin me dëshirën e tyre. Pa dyshim që ne kemi dëshirë që ata të kontribuojnë për ne. Ka edhe shumë futbollistë të tjerë më të rinj në moshë, talente shumë të mirë që janë pjesë e ekipeve tona të moshave që mund të afrohen. Siç u afruan në ndeshjen e fundit, Adrion Pajaziti, Feta Fetai dhe Indrit Tuci. Ky i fundit nuk ishte ftuar prej kohësh, por luajti titullar në Gjeorgji. Jo vetëm këto që ne diskutojmë, të cilët i konsiderojmë kualitete, por edhe të tjerë të cilët shikohen, analizohen dhe studiohen. Kjo është e veçanta e stafit të këtij ekipi kombëtar, të cilët janë 365 ditë në punë dhe analizojnë e përgatisin shfaqjen e një dite në shumë ditë pune.
Kritikat ndaj Presidentit Duka për Europianin U-21 2027 – I kam ndjekur, i kam dëgjuar. Kam të njëjtin qëndrim për baltosjen. Nëse duhet të rikthehem përsëri pse ne kemi vendosur që të aplikojmë për të pritur këtë Evropian në Shqipëri për herë të parë në historinë e tij. Të bashkëpunojmë me një federatë tjetër, siç është ajo serbe, ishte një mundësi më shumë për ta pasur këtë kampionat në Shqipëri, ndryshe ishte e pamundur. Le ta gjykojmë në këndvështrimin pozitiv se çfarë të mirash i sjell Shqipërisë. Kemi benefite sportive, edhe benefite politike, nëse i analizojmë. Ne ende jemi në garë dhe ende nuk është vendosur, por gjasat janë që ne do jemi fitues dhe do të miratohet ky organizim. Jam nisur nga benefitet sportive, por edhe mesazhet që jep bashkëpunimi me një federatë tjetër. Mesazhi që jep është pozitiv, është mesazh paqeje, bashkëpunimi. Ne na intereson që të kemi paqe, jo luftë. Ne nuk e harrojmë se çfarë ka ndodhur, se çfarë historie ka. Por unë mendoj që të ndërtojmë të ardhmen në paqe. I shërben shumë edhe Kosovës, edhe statusit që pret Kosova apo perspektivës së Kosovës.
A kam folur me Canën? – E kam dëgjuar Lorikun kur ka folur për këtë çështje. Po ta dëgjoni, atëherë mund ta komentoni. Disa media duan ta komentojnë negativisht. I mirëpres të gjithë, secili ka këndvështrime të ndryshme. Por unë i ftoj që të shohin pozitivisht. Mesazhi është pozitiv. Jam i sigurt që Kosovës deri në 2027 do t’i kontribuojë në statusin e saj. Është një gjest pozitiv, një mesazh paqeje dhe një mesazh bashkëpunimi.
Shqetësimi i shqiptarëve të Kosovës për thirrjet e serbëve në stadiumet e tyre – Ne nuk e dimë se çfarë masash merr Federata Serbe, sepse të njëjtën gjë mund të thonë edhe serbët, se çfarë masash do të marrë Federata Shqiptare. Unë di të them që nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë mesazhe negative për asnjë popull tjetër. Por fatkeqësisht, nga shkallët e stadiumeve tona edhe ne i ofendojmë serbët. Pavarësisht se nuk luajmë me Serbinë. Kjo është negative nga ana jonë, kjo është negative edhe nga ana e tyre. Këtë lloj mesazhi duhet të japim. Mos të bëjmë këtë, por të shkojmë në stadium të shohim një ndeshje futbolli.
E ke ndjekur Përfaqësuesen e Kosovës? – Kosova ka një skuadër shumë të mirë. Me përbërje shumë të mirë, futbollistë me shumë kualitet, të nivelit evropian dhe që mund të bëjë shumë mirë në çdo ndeshje. Pavarësisht se patën një hap fals ndaj Rumanisë në ndeshjen e parë, në ndeshjet e tjera ka qenë bindëse dhe uroj që të vazhdojnë kështu deri në fund. Disi e vështirë duket që të jetë e para në grup, por edhe si e dyta e grupit mund të luajë në play-off, por jam shumë i sigurt që do ta kalojnë dhe do të ngjiten në Ligën B në Nations League. Do të jenë një ekip pretendent për Kupën e Botës 2026. Nëse e ka ndryshuar Foda apo e ka ndryshuar koha, këtë nuk di ta them, sepse nuk e njoh nga afër punën e trajnerit. Por di që është një trajner me eksperiencë dhe me shumë rezultate pozitive.
Futbollistë të Kosovës te Shqipëria? – Rregullorja nuk lejon që të marrësh futbollistë që janë aktivizuar me ekipin A, por me dëshirë do e merrja Zhegrovën (qesh).
E-Diaspora
-
Florian Haçkaj: Një jetë përtej kufijve dhe një mision për Shqipërinë Suksesi më i madh i Lëvizjes që drejton Florian Haçkaj ishte fitorja në Gjykatën Kushtetuese të...
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit
-
43 orë në bllokim trafiku për të arritur në Kosovë nga Zvicra
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
Jeta në Zvicër
-
84 franga në ditë, ku shkojnë paratë që paguani për biletën e skive? Mes Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, zviceranët shkojnë në pistat e skive. Por ku shkojnë paratë...
-
Reshjet e fundit të borës nxisin fluksin turistik, por bëjnë presion mbi industrinë e hoteleve dhe restoranteve
-
Radha e trafikut arrin 10 km në tunelin Gotthard në udhëtimet pas Krishtlindjeve
-
Tarifa e urgjencës prej 50 frangash vazhdon të shkaktojë polemika
-
Posta në Zvicër: Rekord i dërgimit të pakove për Krishtlindje