Shkurt.ch

Duhanaj: CDK do të jetë krah i fuqishëm për integrimin e shqiptarëve

Lajmi për themelimin e CDK-së (Bashkësia e Kosovarëve Demokristianë) në kuadër të partisë CVP, më 19 shkurt, ka qenë një ndër top-lajmet e ditës në mediet zvicerane. Kësaj ngjarjeje iu dha një publicitet i madh për shkak të kontrastit që, sipas opinionit mbizotërues zviceran, përbën një ngjarje e tillë në kontekstin e perceptimeve mbi kosovarët dhe shqiptarët në përgjithësi.

Llesh Duhanaj, njëri nga dy bashkëkryetarët e këtij subjekti të ri flet për albinfo.ch gjerësisht mbi formimin e CDK-së, pritjen që i është bërë nga CVP dhe opinioni, pastaj mbi synimet për zhvillim e zgjerim etj. Ai i përgjigjet edhe opinioneve kritike lidhur me ngjyrimin religjioz të bashkësisë që drejton.

Cila është historia e idesë për themelimin e bashkësisë. A ka pasur edhe më parë ndonjë iniciativë në këtë drejtim?

Iniciativat e para, janë nisur që para dy vitesh. Të parët kanë qenë aktivistët Dedë Hajdari, Grishë Hajdari dhe Gjon Krasniqi, të cilët kanë realizuar kontakte me kryetarin e CVP-së për kantonin e Lucernit, Martin Schvegler. Pastaj edhe ne të tjerët kemi ardhur në përfundim se ia vlen të ecim në këtë drejtim. Kështu, në rrugë e sipër jemi munduar të gjejmë një formulë të frytshme bashkëpunimi për të dyja palët.

Dhe, kjo ka rezultuar me kuvendin themelues, të mbajtur më 19 shkurt. Si ka shkuar rrjedha e tij, cilët janë të zgjedhurit që do ta udhëheqin bashkësinë?

Kuvendi themelues ka qene një tubim i organizuar shumë mirë. Kemi pasur 180 pjesëmarrës, shumica dërmuese shqiptarë, por kanë qenë të pranishëm edhe disa zviceranë. Me ne në kuvend ka qenë e gjithë kryesia kantonale e CVP-së dhe po ashtu edhe qeveritarë kantonalë dhe kandidatët për qeverinë e kantonit. Me këtë rast është zgjedhur kryesia, janë aprovuar statutet, misioni i bashkësisë dhe është zgjedhur kryesia 5 anëtarëshe. 

Jemi zgjedhur dy bashkëkryetarë: Ben Desku dhe unë. Sekretar është zgjedhur Jakob Desku, ndërsa Arta Krasniqi, përgjegjëse për kontakt me mediet zvicerane. Anëtari tjetër i kryesisë, Pal Krasniqi ka marrë përgjegjësinë për kontaktet mes nesh dhe CVP-së ndërsa Mikel Krasniqi ka marrë përgjegjësinë për financat.

Cilat janë reagimet e fillimit? Kemi lexuar se ka pasur edhe tone kritike nga baza partiake e CVP-së.

Sigurisht, përveç reagimeve pozitive, çfarë kanë qenë shumica, brenda vetë CVP-së ka pasur edhe aso negative. Kjo dhe është e kuptueshme për faktin se, siç dihet, imazhi i shqiptarëve në Zvicër nuk është i mirë. Nga ky aspekt, duhet të thuhet se një pjesë e painformuar mirë e bazës partiake, nuk e ka përkrahur me entuziazëm bashkësinë tonë. Por, mund të them me besim të plotë se diku 70% të anëtarësisë së CVP-së së kantonit të Lucernit e kanë përkrahur atë pa hezitim. Po ashtu nga qendra e CVP-së kemi gjetur mbështetje absolute dhe atje janë shumë të kënaqur për bashkëpunimin. Por, se sa ka qenë i qëlluar ky hap, tash e tutje duhet të dëshmohet nga ne. Duhet të realizojmë projekte, në mënyrë që edhe skeptikët t`i bindim se themelimi i bashkësisë ka qenë një vendim i mirë. Fundja, ma merr mendja mua, vetëm përmes një organizimi të këtillë zgjidhet problemi i integrimit.

A ka plane që CDK të zgjerohet edhe në gjithë CVP-në, në nivel nacional?

Gjithsesi. Ne dhe CVP synojmë zgjerimin në nivel të gjithë Zvicrës. Jam i bindur se kjo do të bëhet në një kohë të shkurtë. Them se është mirë për shqiptarët që të participojnë në një parti të qendrës, çfarë është CVP-ja, e cila ka edhe profilin e vet humanist. Mandej, të kujtojmë se, sidomos në Lucern, ku kjo parti ka pasur gjithmonë primatin, pothuaj gjithçka që është bërë deri tash, është ndërtuar nga CVP.

Po ashtu, siç dihet, problemi kryesor politik i Zvicrës është polarizimi i dy ekstremeve; të majtëve dhe të djathtëve. Këta, secili për vete bllokon palën tjetër. Për këtë arsye e shoh të rëndësishme edhe për shqiptarët që t`i bashkohen, qendrës, mesit, pra CVP-së. Sepse, unë mendoj se ka diç të vërtetë në atë që zakonisht thuhet: “e vërteta është diku në mes. As në të majtë e as në të djathtë”.

A praktikohet që grupet nacionale ose fetare me prejardhje të huaj të inkuadrohen në mënyrë grupore brenda partive zvicerane. Apo mos është inkuadrimi juaj një rast i veçuar ?

Partitë politike përpiqen të aktivizojnë secilën qelizë të mundshme për përkrahje dhe kjo është krejtësisht legjitime. Në kuadër të përpjekjeve të tilla, është po ashtu legjitime edhe nga CVP që të mbështesë aktivizimin e sa më shumë qelizave në dobi të saj.

Ju jeni shoqatë, bashkësi, apo forum brenda partisë ?

CVP praktikon organizimin e bashkësive (Vereinigung), në kuadër të strukturës së saj partiake. Nga ky aspekt, ne jemi absolutisht të barabartë me çdo anëtar të CVP-së. Për çështje të integrimit, ku jemi më kompetentë, fjala vjen, ne mund të bëjmë sugjerimet tona. Që të bëj një digresion, ne edhe dje (24 shkurt) dhamë në kuvendin e partisë sugjerimin tonë, i cili gjeti mbështetje, për krijimin e një organi të nivelit komunal për çështje interkulturore.

CDK delegon automatikisht një anëtar të saj në kryesinë e CVP-së për kantonin e Lucernit dhe tri vota delegatësh në kuvendin e partisë në nivel kantoni.

Sigurisht jeni të njoftuar se ka qenë pikërisht mocioni i CVP-së ai që ka pamundësuar të drejtën e votës së të huajve në kantonin tuaj. Çka mund të na thoni lidhur me këtë ?

Sa i përket të drejtës së votës për të huaj, kjo është, sipas mendimit tim, një çështje që i takon nivelit nacional. Ajo nuk mund të lokalizohet. Në këtë aspekt, duhet ta themi, CVP ende nuk është në fazën që të përkrahë mundësinë e të huajve për të votuar. Por gradualisht, duke ndjekur edhe zhvillimin e komunitetit tonë (i treti i huaj në Zvicër) ia vlen të bëjmë një sensibilizim më të fortë dhe si rezultat, të presim zhvillimin e një mendimi më ndryshe.

albinfo.ch

Një pyetje të cilës nuk mund t`i iket: me çka ju përgjigjeni atyre që thonë se bashkësia juaj, ashtu si dhe vetë CVP-ja, ka megjithatë një ngjyrim religjioz ?

Përgjigja ime për këtë pyetje do të ishte: për të kuptuar qëllimin që kemi ndjekur ne me formimin e bashkësisë, duhet të dihet biografia e jonë, e protagonistëve të kësaj ideje. Ne kemi një bagazh të punës në çështjen kombëtare dhe humanitare. (Duhanaj është, veç tjerash, anëtar kryesie i Shoqatës Humanitare “Nënë Tereza” në Zvicër). Në këtë aspekt, ne duhet t`i ndajmë çështjet: politika është politikë, përkatësia fetare është çështje fetare. Dhe, nëse ka një popull që e ka dëshmuar mirë tolerancën në këtë drejtim, ai është gjithsesi populli ynë. Prandaj, ne do ta dëshmojmë me siguri të plotë këtë frymë, edhe në Zvicër.

Me rastin e themelimit të bashkësisë, është proklamuar qëndrimi se “përkatësia fetare e krishterë nuk është kusht për anëtarësim”. Në këtë kuptim, a pritni se do të keni në mesin tuaj edhe anëtarë shqiptarë të besimit islam ?

Patjetër, dhe këtë e dëshiroj me gjithë zemër. Që tash mund të them se ka edhe mjaft reagime pozitive nga shqiptarë të besimit islam. Ne, si komunitet kosovar, shqiptar këtu, duam të participojmë në jetën shoqërore dhe politike në vendin ku jetojmë. Prandaj, si shqiptarë, duhet të përcaktohemi se kush, ose cila parti na i mbron më mirë interesat. Unë jam i bindur se CVP e bën këtë më së miri, veç tjerash edhe për faktin se është parti e balancuar. Ajo kërkon zgjidhje hap pas hapi, duke realizuar rezultate, në shikim të parë të vogla. Kjo është më mirë se e kundërta: të kërkosh të gjitha dhe në fund të mbetesh pa asgjë! CVP dëshiron zgjidhje. Ajo nuk është parti e fjalëve të shumta dhe punëve të pakta. Këtë qëndrim ajo e mban edhe sa u përket të drejtave të të huajve.

A janë të gjithë anëtarët e bashkësisë me shtetësi zvicerane. Është kusht kjo ?

Jo, nuk jemi të gjithë shtetas zviceranë. Në bashkësi është i mirëseardhur çdonjëri, edhe pse, duhet thënë, ai që nuk e ka shtetësinë e vendit, fillimisht nuk do të ketë të drejtë vote.

Por, do të ketë të drejtë participimi në vendimet tona, të drejtë për të parashtruar problemet, çështjet që duan zgjidhje. Ne duam të jemi krah i fortë i shqiptarëve këtu, pavarësisht a e kanë shtetësinë zvicerane apo jo.

albinfo.ch

Llesh Duhanaj punon mësues në ciklin e lartë të shkollës fillore në Wolhausen të Lucernit. Në Zvicër ka ardhur si 14 vjeçar, në vitin 1991. Është aktiv në jetën shoqërore të mesit ku jeton e më gjerë. Veç tjerash, bën pjesë në komisionin e komunës së tij për dhënien e shtetësisë së të huajve, është anëtar kryesie i Shoqatës Humanitare “Nënë Tereza” në Littau etj.