Kosova

Duda Balje nuk ia jep konfirmimin Kurtit nëse do ta mbështesë për mandat të tretë

Balje flet pas takimit me Kurtin: Ia paraqita kërkesat tona

Pas takimit, Duda Balje nga Bashkimi Social Demokrat (SDU) ka thënë se nuk ia ka dhënë konfirmimin kryeministrit në detyrë Albin Kurti nëse do ta mbështesë për mandat të tretë.

Sipas saj, kryeministri nuk konfirmoi nëse do t’i plotësojë kërkesat e boshnjakëve, përcjell albinfo.ch.

Ajo ka lënë të hapur mundësinë e pajtimit në takimet e ardhshme para seancës konstituive që pritet të mbahet më 15 prill.

“Sot u takova me kryeministrin, i parashtrova kërkesat që kemi si boshnjakë, nuk kemi marrë konfirmim dhe nuk kemi dhënë konfirmim. Është takimi i parë. Jemi në fazën e bisedimeve”, ka thënë ajo të enjten pas takimit me Kurtit.

Kërkesat e Baljes janë krijimi i një komune boshnjake, reforma në arsim dhe tretmani i barabartë me të gjitha partitë e tjera që kanë nga një deputet.

Balje ka konfirmuar se ka biseduar edhe me partitë opozitare. Edhe për to, kërkesat janë të njëjta.

Kurti gjatë ditës së djeshme ka nisur konsultimet me pakicat për formimin e qeverisë së re. Votat pro ia kanë konfirmuar Emilija Rexhepi, Nenad Rashiq dhe Elbert Krasniqi. Të tre kishin post në qeverinë e kaluar dhe do të përfaqësohen me një deputet, aq sa ka edhe SDU-ja e Baljes.