Lifestyle

Dua Lipa për “The Guardian” tregon pse i pëlqen tash emri i saj

Në këtë intervistë Dua ka folur edhe për periudhën e luftës në Kosovë dhe për sfidat në të kaluarën

Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, në një intervistë për të përditshmen britanike “The Guardian” ka folur për prejardhjen e saj nga Kosova, etikën dhe punën strikte për muzikën e saj.

Këngëtarja e hitit “The New Rules” ka treguar se nuk e ka pëlqyer shumë emrin e saj kur ishte e vogël, duke thënë se donte emër tjetër, por tash është krenare me emrin që i kishte lënë gjyshja, përcjell albinfo.ch.

“Tani jam krenare. Por, kur isha duke u rritur, doja të quhesha Hannah, Sarah, Ella…diçka normale. Sepse me Dua duhet t’u shpjegosh të gjithëve se jam nga Kosova”, ka thënë Lipa.

Dua shpjegoi se në moshën 11-vjeçare është kthyer në Kosovë për shkak të karrierës së prindërve të saj. Por, për të ndjekur ëndrrën për t’u bërë këngëtare në moshën 14-vjeçare u kthye në Britani. Ajo ka thënë se muzika duhet të sjellë argëtim për njerëzit.

Në këtë intervistë Dua ka folur edhe për periudhën e luftës në Kosovë dhe për sfidat në të kaluarën. Ajo ka pasur edhe mesazh për politikanët që refuzojnë refugjatët, duke thënë se “asnjë refugjat nuk largohet nga vendi i tij pa e pasur të domosdoshme”. Kënga e saj ‘New Rules’ ka arritur mbi 1.1 miliard klikime në Youtube. Pas suksesit me ‘IDGAF’, ajo ka publikuar së fundmi edhe bashkëpunimin me Calvin Harris, ‘One Kiss’.