Muzikë
Dua Lipa flet për Kosovën dhe thjeshtësinë e saj, pavarësisht famës
“Emri, Dua do të thotë dashuri në gjuhën shqipe. Është vërtet interesante që e kam emrin tim të vërtetë edhe si emër arti. Kam mësuar të vlerësoj emrin tim shumë më tepër”, ka thënë ajo, duke folur rreth prejardhjes së saj kosovare. “Duke jetuar në Londër me një emër si Dua, mendoj se thjesht doja të isha si të gjithë, si çdo fëmijë tjetër”
E vlerësuar si “mbretëresha e diskos gjatë karantinës”, këngëtarja Dua Lipa u bë njëra prej artisteve më të dëgjuara të vitit 2020, kur e publikoi albumin e saj të dytë “Future Nostalgia”, pikërisht në kohën kur pandemia e COVID-19 shtrëngoi botën në mbyllje totale.
“Ishte pa dyshim një moment kur po mendoja nëse ishte vendim i duhur që ta publikoja këtë album. Por kur po punoja në të, më shërbeu në të vërtetë si një formë e arratisjes”, ka thënë Lipa në një intervistë për “CBS This Morning” me prezantuesen Gayle King. “Duhej t’i besoja instinktit tim të brendshëm se albumi do të shërbente si një fije drite në errësirë dhe do t’i mbajë njerëzit në ritëm përbrenda shtëpive të tyre. Dhe mbase është saktësisht koha e përkryer për ta publikuar”, ka theksuar ajo në intervistë.
Por koha, sipas “CBS”, nuk mund të ishte më e mirë – kjo ngase muzika e saj i mbajti njerëzit në të gjithë botën duke vallëzuar gjatë izolimit. “Por optimizmi i ‘Future Nostalgias’ sinjalizoi një zhvendosje në perspektivën e artistes Lipa si kantautore, veçanërisht në krahasim me hitet nga albumi i saj i parë”, ka shkruar “CBS”.
Ishte kënga “New Rules” ajo që e kishte renditur këngëtaren në toplistën “Billboard Hot 100” dhe që u bë një himn për këdo që po kalonte probleme në marrëdhënie.
“E dua këtë këngë, sepse është kaq e vërtetë. A jeni duke folur nga përvoja personale?”, e pyeti Lipën prezantuesja King.
“E dini, do të doja të mendoja se jam pa dyshim në një vend shumë më të lumtur. U ndjeva sikur kur publikova këngën time të parë, sepse isha duke kaluar nëpër shumë vështirësi personale në jetën time private, sa më ndihmoi muzika dhe ndjeva sikur isha mbërthyer pak, ishte ideja se duhej të isha e trishtuar në mënyrë që të bëja muzikë”, ka thënë Lipa. “Dhe kështu, kur fillova të punoja në albumin ‘Future Nostalgia’, ndihesha sikur ‘nuk ka asnjë arsye që të bëj këngë të trishtuara. Po kaloj kohën më të mirë. Jeta është e mrekullueshme’”.
Lipa ka thënë po ashtu se dëshironte që të reflektonte optimizëm, ngazëllim, argëtim dhe lumturi.
Për Lipën, rruga drejt të qenit yll nisi sikurse për shumicën e këngëtarëve të famshëm, duke kënduar në dhomën e ndenjes në shtëpinë e prindërve të saj.
“Pothuajse kurrë nuk e kam njohur veten pa kënduar. Kur jam duke shkruar dhe kur jam duke kënduar, ndihem sikur kështu marr versionin më të mirë të vetes ose ndjenjave a emocioneve të mia”, ka thënë këngëtarja nga Kosova.
Teksa shumë këngëtarë përdorin emra skenikë, Lipa e mban emrin që ka pasur tërë jetën. Ajo ka theksuar se ka mësuar ndër vite që ta vlerësojë emrin e saj dhe si t’i nderojë rrënjët e saj.
“‘Dua’ do të thotë dashuri në gjuhën shqipe. Është vërtet interesante që e kam emrin tim të vërtetë edhe si emër arti. Kam mësuar të vlerësoj emrin tim shumë më tepër”, ka thënë ajo, duke folur rreth prejardhjes së saj kosovare. “Duke jetuar në Londër me një emër si Dua, mendoj se thjesht doja të isha si të gjithë, si çdo fëmijë tjetër”.
Lipa është lindur në Londër, menjëherë pasi që familja e saj ishte zhvendosur nga Kosova për t’i shpëtuar luftës në vend. Në moshën 11-vjeçare, familja e Lipës ishte rikthyer në Kosovë. Ndërkaq, katër vjet më vonë, asokohe si 15-vjeçare Lipa i bindi prindërit e saj që ta linin të shpërngulej në Britani të Madhe dhe të jetonte me një shoqe, për të ndjekur ëndrrën e madhe për muzikën.
“Ishte diçka përgjatë linjave të, e dini, dua të bëj muzikë, por gjithashtu dua që të kthehem në Mbretërinë e Bashkuar, në mundësinë që mund të shkoj dhe të kryej universitetin atje”, kujton Lipa t’u kishte thënë prindërve gjatë asaj kohe.
“Ishte e vështirë t’i bindje që të të linin të shkoje?”, e pyeti prezantuesja.
“Mendoj se kishin dyshimet e tyre, duke menduar nëse është gjëja e duhur për të bërë. Nëna ime thjesht pohon se isha shumë e sigurt dhe prindërit e mi kanë qenë gjithmonë miqtë e mi më të ngushtë. Por u bëmë edhe më të afërt, kur ata më lejuan të shkoja në Londër. Dhe nuk doja ta keqpërdorja këtë besim të tyrin”, ka thënë Lipa.
Dhe ky besim përfundimisht iu shpagua.
Pas një albumi debutues me shumë hite, Lipa u gjend në skenën më të madhe botërore të muzikës – “Grammy Awards”. Fitoi dy çmime “Grammy” në vitin 2019, duke përfshirë çmimin “Artistja e re më e mirë”.
Këtë vit, Lipa është nominuar për gjashtë çmime “Grammy” – “Kënga e vitit, “Albumi i vitit”, “Performanca live më e mirë pop”, “Performanca më e mirë duo/grup” dhe “Albumi më i mirë i zhanrit pop”.
Lipa ka thënë se po e menaxhon famën, duke qenë përherë përtokë dhe duke kujtuar se kush është.
“Jam aq me fat që hobi im është puna ime. Dhe i bëj të gjitha këto gjëra të mrekullueshme. Por kur shkoj në shtëpi, gjithçka është shumë ndryshe. Jam thjesht Dua”, ka përfunduar ajo.
Të ngjashme
Të tjera nga Muzikë
E-Diaspora
-
Vlerësim i lartë për kompaninë „Halili + Partner“ të inxhinierit Besnik Halili Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër, Rexhep Demiri ka vizituar dhe vlerësuar lartë...
-
Rrugës për në Kosovë, mërgimtarët presin mbi 15 orë në kufirin Kroaci-Serbi
-
Iu dha lamtumira e fundit aktorit Adem Muji
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
Jeta në Zvicër
-
A janë zviceranët dorështrënguar? Pavarësisht pasurisë së saj, Zvicra renditet vetëm e 65-ta në donacione dhe vullnetarizëm, me përqindje larg...
-
Vlerësim i lartë për kompaninë „Halili + Partner“ të inxhinierit Besnik Halili
-
Plani i madh 5-vjeçar i punës fillon në Gjenevë vitin e ardhshëm
-
Zviceranët do të votojnë për subvencionet e trenave të natës
-
Që nga janari, sigurimet shëndetësore rriten me 6 për qind