Zhvillim
Dritëhijet e marrëveshjes mbi Sigurinë Shoqërore në mes të Zvicrës dhe Kosovës
Tash, pas këtij hapi të bërë, është më se urgjente që personat e prekur të informohen nga autoritetet e Kosovës për të drejtat dhe mundësitë e tyre të veprimit pas nënshkrimit të marrëveshjes
Nënshkrimi i marrëveshjes në mes të grupeve teknike negociuese në Bern më 1. qershor 2017 është pa dyshim gurthemeli i parë dhe më i rëndësishmi nga pavarësia e Kosovës për mërgimtarët nga Kosova në Zvicër. Me hyrjen e saj në fuqi, pas procedurave ratifikuese të dy vendeve përkatëse, garantohet trajtimin e barabartë i kontributpaguesve kosovarë në Zvicër në raport me shtetasit tjerë në Zvicër si dhe në raport edhe me shtetasit e shteteve fqinje të Kosovës. Siguria Shoqërore me këtë Marrëveshje nënkupton të drejtën e eksportimit të pensioneve në Kosovë si dhe mbulesën e shpenzimeve si pasojë e rreziqeve sociale pavarësisht vendbanimit apo vendit të ushtrimit të një aktiviteti ekonomik.
Riaktivizimi i zbatimit të marrëveshjes me ish Jugosllavinë, i ndërprerë para mbi shtatë viteve, duke marrë parasysh arritjen e marrëveshjes është i domosdoshëm, i arsyeshëm dhe i drejtë .
Arsyet e ndërprerjes së marrëveshjes
Arsyet e ndërprerjes së zbatimit të marrëveshjes me ish Jugosllavinë në raport me Kosovën nuk ndërlidhen me keqpërdorimet, siç mendohet në vazhdimësi, pasi që për keqpërdoruesit individualë, pavarësisht prejardhjes së tyre, janë zbatuar, zbatohen dhe me të drejtë do të zbatohen edhe në të ardhmen dispozitat ndëshkuese të legjislacionit në fuqi dhe shteti ligjor nuk lejon ndëshkime kolektive.
Arsyet zyrtare të Zvicrës lidhen në rend të parë me vështirësitë serioze në zbatimin e saj nga organet zbatuese të Kosovës ndërsa arsye jozyrtare është padyshim qëllimi i autoriteteve zvicerane për të implementuar edhe në marrëveshjet tjera dispozitat ligjore për luftimin e keqpërdorimeve në sigurimin e invaliditetit.
Me nënshkrimin e marrëveshjes tanimë në njërën anë Zvicra ka arritur qëllimin e saj duke inkorporuar këto dispozita në marrëveshjet ndërshtetërore me shtetet fqinje të Kosovës ndërsa në anën tjetër Kosova ka dëshmuar nivelin e domosdoshëm për zbatimin e marrëveshjes.
Ish sezonierët kanë pësuar më së shumti
Siguria Shoqërore e gjeneratave nuk fillon as nuk përfundon në një datë të caktuar pavarësisht vendimeve të autoriteteve të një shteti. Me ndërprerjen e vazhdimit të zbatimit të marrëveshjes me ish Jugosllavinë nga 1 prill 2010 për mbi shtatë vite ka pësuar më së shumti pjesa e mërgatës e cila padyshim ka kontribuuar më së shumti në zhvillimin e sigurisë shoqërore në Zvicër, në mirëqenien ekonomike e sociale në Kosovë e në Zvicër, si dhe në fazat më delikate të historisë së Kosovës. Shumë nga këta mërgimtarë nga Kosova kanë qenë të detyruar të kthehen në Kosovë, kryesisht me vendimin nga Zvicra për përfundimin e rekrutimit të punëtorëve nga ish Jugosllavia që nga viti 1996 e në vazhdim. Ata tanimë ose i kanë tërhequr kontributet e derdhura në arkën e kompensimit në Zvicër, të tjerët kanë vdekur dhe trashëgimtarët nuk kanë përfituar nga pensionet e vejërisë në mungesë të marrëveshjes.
Kërkesa për riaktivizimin e zbatimit të marrëveshjes me ish Jugosllavinë
Njoftimet për arritjen e marrëveshjes janë konfidenciale dhe përpos mundësisë për eksportimin e pensioneve në Kosovë nuk shpalosin shumë nga përmbajtja. Por ajo që dihet nga informacionet për të prekurit të publikuar në faqen e Entit federal për Sigurime Shoqërore të Zvicrës më 24 shkurt 2017 është se marrëveshja hyn në fuqi pas ratifikimit nga dy vendet përkatëse dhe përfitimet janë të mundshme vetëm pas hyrjes në fuqi të saj duke përjashtuar kështu përfitimet retroaktive.
Tanimë është gjithashtu e ditur se Marrëveshja e re e Sigurisë ndërshtetërore në mes të Zvicrës dhe Kosovës nuk përmban zgjidhje kalimtare për të mundësuar së paku pensionet për shtetasit të cilët deri tani kanë fituar të drejtën për pensione të invaliditeti, pleqërisë e vejërisë por në mungesë të marrëveshjes nuk kanë pasur mundësi të përfitojnë. Të gjitha palët e përfshira arsyetojnë këtë me faktin se në mes të Zvicrës dhe Kosovës nga prilli i vitit 2010 nuk ekziston më marrëveshje dhe nuk është i mundur zbatimi i një marrëveshjeje e cila ka përfunduar zë zbatuari në fund të muajit mars 2010. Duke u bazuar në arsyet e përmendura të ndërprerjes së zbatimit të marrëveshjes së vjetër me ish Jugosllavinë si dhe mënjanimin e tërësishëm të këtyre arsyeve me nënshkrimin e marrëveshjes së re, kërkesa për vazhdimin e kësaj marrëveshjeje nga autoritetet e Kosovës drejtuar ministrisë sociale të Zvicrës është e domosdoshme, e arsyeshme dhe e drejtë.
Domosdoshmëria e informimit të personave të prekur
Me nënshkrimin e marrëveshjes fillon një etapë e re për Sigurinë Shoqërore në Kosovë. Kjo përvojë duhet të shërbejë si bazë, në njërën anë për vënien e themeleve për një sistem të ri të Sigurisë Shoqërore në Kosovë duke përfshirë edhe rreziqet e reja sociale si sëmundjen, fatkeqësinë, papunësinë, amësinë etj., ndërsa në anën tjetër duhet ruajtur e kultivuar për arritjen marrëveshje të reja edhe me shtetet tjera ku banojnë e jetojnë shtetasit nga Kosova. Por në këtë proces nuk duhet harruar personat e prekur. Është më se urgjente që personat e prekur të informohen nga autoritetet e Kosovës për të drejtat dhe mundësitë e tyre të veprimit pas nënshkrimit të marrëveshjes.
Angazhimet këmbëngulëse që rezultuan me marrëveshje
Angazhimi i mërgatës në Zvicër në këtë proces e ka zanafillën më 3 nëntor të vitit 2004 me parashtrimin e kërkesës ministrisë së punës dhe mirëqenies sociale të Kosovës për ngritjen e kapaciteteve zbatuese të marrëveshjes në fuqi dhe për të paraqitur kërkesën autoriteteve Zvicerane për një marrëveshje të re ndërshtetërore të sigurisë Shoqërore me Zvicrën dhe Kosovës. Nuk është e arsyeshme as të mohohen e as të mëvetësohen këto angazhime por duhet të shërbejnë si reflektim dhe përvoja për vazhdimësi të angazhimeve në të ardhmen. Ky angazhim sigurisht se nuk përfundon me nënshkrimin e marrëveshjes. Angazhimi profesional e publik ka vazhduar pa ndërprerje duke zhvilluar aktivitete e takime me të gjitha palët e nivelet si dhe angazhimi intensiv i autoriteteve të Kosovës gjatë dy viteve të fundit përbëjnë mozaikun e kësaj arritje historike. Parashtrimi i kërkesës për riaktivizimin e marrëveshjes paraqet domosdoshmërinë për kthimin e dinjitetit të ish sezonierëve nga Kosova. Arritja e zgjidhjes kalimtare për personat e prekur duke e riaktivizuar marrëveshjen e vjetër deri sa të hyjë në fuqi marrëveshja e re do të përmbyllte këtë mozaik angazhimesh në njërën anë ndërsa në anën tjetër do të përforconte fundamentin për ngrehinën e qëndrueshme të Sigurisë Shoqërore të shtetasve nga Kosova.
* Pikëpamjet e shprehura në këtë opinion pasqyrojnë qëndrimin e autorit dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht qëndrimin e redaksisë.
Biografi e shkurtë:
- Emri e mbiemriRuzhdi Ibrahimi
- Prejardhja:Kosovë
- Vendi ku vepron:Bazel, Zvicër
- Profesioni:Ekspert i sigurimeve sociale
E-Diaspora
-
Granit Xhaka është pjesë e formacionit më të mirë të vitit në Bundesliga Ylli shqiptar i Bayer Leverkusenit, Granit Xhaka, ka përfunduar si pjesë e formacionit më të mirë...
-
Përfundojnë pritjet në kufirin Kroaci-Serbi
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
Jeta në Zvicër
-
Mediat: Shërbimet mjekësore zvicerane të bëra jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane Në Zvicër, shërbimet mjekësore të kryera jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane, pavarësisht se kushtojnë më...
-
Anëtari i ekuipazhit zviceran ende në kujdes intensiv pas uljes urgjente në Austri
-
Ulja emergjente e avionit zviceran në Graz është shkaktuar nga një problem teknik
-
Berna ka përditësuar, në internet, hartën e saj të rreziqeve sipas qyteteve të kantonit
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit?