Gruaja
Drita, ose rrezatimi pozitiv i një gruaje në komunitet
Drita-Shabani Ibrahimi është një aktiviste e bërë e njohur me punën e saj në prezantimin e vlerave tona kombëtare në Zvicër. Ajo kontribuoi shumë edhe në integrimin e gruas shqiptare. Gratë shqiptare në Cyrih s`e harrojnë angazhimin dhe rrezatimin e saj pozitiv për tu dalë në ndihmë të gjithave. Tani Drita jeton në Bazel dhe asnjëherë nuk u largua nga misioni i saj përkushtues
albinfo.ch: Si erdhët në Zvicër, si ishte fillimi?
Drita-Shabani Ibrahimi: Unë kam ardhur në vitin 1996 në Zvicër përkatësisht në Cyrih si refugjate. Fillimi ishte i vështirë. Nuk kisha njohuri të gjuhës gjermane por edhe nuk kisha asnjë kontakt dhe nuk njihja njerëz as nga komuniteti ynë shqiptar dhe as nga ai zviceran. Dhe pikërisht në atë kohë në qytetin e Cyrihut mbizotëronin pllakatet e njohura të një partie të këtushme me mbishkrimin “Keine Kontaktnetz für Kosovo-Albaner“ dhe kjo më pati shokuar sepse ishte si një „mirëseardhje“ në shtetin zviceran për ne. Kjo edhe më motivoi t`i përkushtohem mësimit të gjuhës gjermane menjëherë, sepse doja të tregoja se edhe ne jemi një popull me merita dhe nuk jemi ashtu siç na paragjykonte kjo parti. Dhe për fat unë u kyqa menjëherë në Projektin “Urat“ të Caritas-it të Cyrihut, projekt i cili ishte nisur kundër kësaj fushate dhe kishte për qëllim t`i vinte në pah anët pozitive të shqiptarëve duke lidhur kontakte direkte mes familjeve shqiptare dhe atyre zvicerane. Projekti „Urat“ ishte një urë lidhëse mes dy kulturave dhe bënte një punë shumë të madhe dhe ndikonte suksesshëm në përmirësimin e imazhit të shqiptarëve në Kantonin e Cyrihut.
Sa ishte e vështirë përshtatja në rrethin e ri?
Kur ke mangësi të njohurive gjuhësore të vendit ku jeton, sigurisht has në vështirësi. Por për fatin e mirë, pas 3 javësh qëndrimi në Zvicër, mu mundësua vijimi i kurseve intensive të gjuhës gjermane. Mendoj se një përshtatje më e shpejtë në një vend te huaj, varet edhe nga vet personi dhe interesimi i tij për tu integruar. Unë isha shumë kureshtare të dija gjithçka për jetën në Zvicër dhe sistemin shoqëror të këtij shteti.
Cila ishte përshtypja e parë për zviceranët?
Këtu më bënin shumë gjëra përshtypje. Do të theksoja përpikmërinë që kishin zviceranët dhe planet strikte që planifikonin qoftë edhe për 3 deri 5 vitet e ardhshme. Unë kisha studiuar në Kosovë dhe kuptohet në atë periudhë, situata në Kosovë ishte shumë e vështirë dhe e ndërlikuar, nuk funsiononin gjërat si duhej. Por këtu ishte një strukturë e qartë edhe në jetën e përditeshme. Dhe e gjithë kjo më bënte të mendoj se ky popull mendon vetëm për punë dhe realizim të asaj që synon. Bile edhe gjatë kohës së lirë apo gjatë pauzave ne flisnim për punën, planet, strukturat dhe angazhimet që na prisnin. Në një debat në televizionin zviceran SF1 në vitin 2000 kisha po të njëjtën pyetje dhe u thash se nuk ështe gjithmonë e lehtë të programosh gjithçka, bile edhe në jetën private.
Sa ishin të gatshëm zviceranët të ju ndihmonin në integrim?
Unë kam gjetur një mbështje të madhe nga zviceranët dhe institucionet e ndryshme sidomos ne kantonin e Cyrihut. U jam shumë mirënjohëse te gjithë atyre që më kanë ndihmuar dhe mbështetur për t`i filluar studimet këtu.
Po malli për Atdhe?
Po, shpesh më kaplonte malli dhe nostalgjia për vendlindjen dhe të afërmit. Ndjeja mall edhe për spontanitetin dhe nganjëhere doja të isha atje dhe të flisja me njerëz qoftë edhe për gjëra koti, dhe që mos ta kisha këtë strukturë planifikimi të gjithçkaje në kokë. Kishte vite që nuk e kisha parë Kosovën dhe ndjeja mall dhe shumë dhimbje për gjendjen që dominonte atje. Për fat të mirë gjatë studimeve në Fribourg (CH) kishte studentë shqiptarë dhe ne rrinim bashkë, bisedonim, organizonim ndeja, përgatisnim ushqimet tona dhe kështu në një fare mënyre e shuanim mallin për Atdhe.
Takimet me gra?
Duke u nisur nga rrethanat si kemi emigruar ne si popull në Zvicër apo vendet e tjera ne Evropë gjendja sociale-ekonomike dhe ajo politike që mbretëronte në atë kohë në vendin e prejardhjes nuk kishte hapësirë për të menduar se si të integrohesh në vendin e ri. Mendja ishte në Atdhe dhe e gjithë kjo e vështirësonte rrugën e një integrimi më të lehte në shtetin e ri. Nga e gjithë kjo gjendje sidomos gjatë periudhës së luftës në Kosovë të prekura ishin gratë. Asokohe themeluam shoqatën “Foleja“. Gratë shqiptare vinin në shoqatën tonë, pa caktuar takim dhe dyert i kishin të hapura. Ne aty bënim këshilla, ndihmonim në plotësimin e formularëve të ndryshëm, ndihmonim fëmijët e tyre në detyrat e shtëpisë, bënim kërkesa për gjetjen e banesave dhe punës. Ne trajtonim edhe raste psiko-sociale për gratë në nevojë. Organizuam edhe ligjërata me tema nga shëndetësia. Njëkohësisht ishte edhe Projekti “Drita“ që ofronte edhe kurse gjermane për gratë shqiptare. Ne kishim edhe mbështetjen financiare dhe morale edhe nga komuniteti zviceran.
Unë kam punuar po ashtu në „Femmes-Tische” projekt i Qendres Preventive të Kt. të Cyrihut si dhe 6 vite ne Sindikatën Unia ne seksionin e Cyrihut. Për punën time në Sindikatën Unia do të veçoja themelimin e grupit “Aktivistët“ grup i cili ende vazhdon aktivitetin. Po ashtu e kujtoj edhe punën për informimin e anëtarëve shqiptarë në gjuhën shqipe.
Tani që jeni nënë e dy fëmijëve, a i keni lënë anash angazhimet tuaja?
Po, jam nënë e dy çunave, 5 dhe 7 vjet. Natyrisht fëmijët kanë angazhimet e tyre dhe puna me ta ështe diçka krejt tjetër nga ajo që kam bërë më parë. Të qenurit nënë ështe një përgjegjësi e madhe dhe fëmijët duan përkushtim të madh. Unë tani jam udhëheqese e një projekti të HEKS-it në regjionin e Bazelit. Projekti quhet “Edulina“ dhe zhvillohet në formë të moduleve, të cilat kanë të bëjnë me zhvillimin social dhe emocional të femijës nga mosha 0- 6 vjeçare dhe me rolin e prindërve në zhvillimin e tyre; ushqimi i shëndetshëm, lëvizja dhe mbështetja në zhvillimin gjuhësor si dhe njohja e mirë e gjuhës amtare e cila e lehtëson mësimin e gjuhëve tjera
Mesazhi juaj për gratë e reja shqiptare në Zvicër?
Femra/Gruaja shqiptare në Zvicërr ka bërë hapa të zhvillimit në fusha të ndryshme që nga koha kur kam ardhur unë këtu dhe kjo padyshim se më gëzon. Ajo tashmë ështe e përfshirë kudo. Mesazhi im do të ishte që gjuhën shqipe mos ta harrojnë asnjëherë. Ta kultivojnë atë duke folur në shtëpi, duke lexuar dhe duke komunikuar edhe me të tjerë në gjuhën amtare. Gjuha jonë ështe shumë e bukur dhe tani kemi shumë mundësi ta ruajmë dhe duhet ta ruajmë edhe pse jetojmë këtu.
E-Diaspora
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR Nga rrënjët modeste tek frymëzimi për energjinë diellore...
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
-
A e keni ditur që hiti për Krishtlindje është xhiruar para 40 vitesh në Zvicër?
-
Borë në kantonet Schwyz dhe Bernë të Zvicrës
Jeta në Zvicër
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit? Certifikimi kërkohet për shitjen e shumë mallrave zvicerane në BE. Pa një marrëveshje të re, ekziston...
-
Gripi sezonal, në rritje në Zvicër
-
Rrezik i lartë nga orteku, linja hekurudhore Oberalp ende e ndërprerë
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR
-
Synohet ulja e shpejtësisë në autostradat zvicerane