Lajme

Zvicër: Dreri i vrarë kishte 6 kg mbeturina plastike në bark

Ajo që kanë gjetur në barkun e drerit ka qenë e tmerrshme: doreza plastike, litarë, enë plastike për ushqimin e shpezëve etj.

Se ndotja e ambientit përmes hedhjes së mbeturinave nga plastika dhe materialet e tjera ka marrë përmasa alarmante, është një gjë që dihej. Por, se kjo gjendje e shkaktuar nga njerëzit e papërgjegjshëm ka prekur edhe kafshët e egra, mund të shihet shumë qartë në shembullin në vijim, shkruan albinfo.ch.

 

Në Arosa të Kantonit Graubünden gjahtarët kanë vrarë një dre, për shkak të rrezikshmërisë që paraqiste. Por ajo që kanë gjetur në barkun e drerit, ka qenë e tmerrshme: doreza plastike, litarë, enë plastike për ushqimin e shpezëve etj., njofton srf.ch. Të gjitha këto së bashku bënin 6 kilogramë masë plastike, një barrë që është detyruar ta bartë kafsha e gjorë për kohë të gjatë.

Kjo pamje aspak e këndshme shihet në fotografinë në vijim, të bërë publike nga Policia Kantonale e Graubündenit.

Zyra Kantonale për Gjah dhe Peshkim ka shkruar se disa nga mbeturinat plastike kishin disa vjet që dreri i kishte mbajtur në bark.

Sipas zyrës në fjalë, drerët gjatë dimrit vazhdimisht u afrohen vendbanimeve dhe fshatrave, të joshura nga grumbujt e plehrave (me bazë ushqimesh) ose shtëpizave ku vendoset ushqim për shpezët, përcjell albinfo.ch. Ky veprim ka shpesh pasoja fatale për ta, pasi që bashkë me ushqimin, drerët marrin edhe mbeturinat e tjera, si këto nga plastika.

Zyra paralajmëron qytetarët se ndalohet të ushqyerit e kafshëve të egra.

(Fotot: KAPO Graubünden)