E-Diaspora

Dr. Vlora Mehmeti-Tërshani, emër nderi i kombit

Përkujtim i shkencëtares shqiptare me rastin e njëvjetorit të largimit në amshim

Tani po mbushte një vit nga fund shtatori i kaluar ku UN i Vjenës u trendit nga shuarja e  Dr. Vlora Mehmeti-Tërshani në moshën e saj 35 vjeçare.  Ajo që e vogël u dallua me zgjuarsinë e saj duke qenë nxënëse shembullore në Kosovë dhe Austri ku mbaron me sukses të shkëlqyeshëm  gjimnazin në Vjenë, duke shkruar  histori si nxënësja e vetme në historikun e gjimnazit e njohur të Vjenës, e cila nuk përsërit vitin sipas ligjeve për gjuhën e shkollës. Ishte shumë e dalluar në gjuhën angleze, shkencat natyrore, veçan matematikë dhe në mësimin e gjermanishtes për disa muaj. I gjithë trupi mësimor u mrekullua me një rast të pa takuar deri më tani në jetën shekullore të gjimnazit. Kujdestarja e klasës i shkruan letër Ministrit të Mësimit të Austrisë.

Mbaron Fakultetin e Farmacisë në Universitetin Shtetëror të Vjenës, kurse Magjistraturën në Tokushima (Tokushima Bunri Unviersity, Japoni), tek Profesori i njohur Asakawa Yoshinori, në gjuhën angleze, duke u vlerësuar me notë të lartë dhe mbrojtur temën me vlerësim maksimal. Prof. Dr. Gerhard Buchbauer, në emër të komisionit tha: “Ne jemi krenar me Vlorën”.

Studimet e doktoratës i përfundoi  në shtator të vitit 2016 në drejtimin e Mikrobiologjisë Molekulare në Universitetin e Vjenës.  Dr. Vlora  ishte e angazhuar si punëtore shkencore në Departamentin për Ekogjenomikë dhe Systembiologji (Department of Ecogenomics and Systems Biology), në sektorin laboratorik të njohur për hulumtime shkencore, njërin nga më të njohurit në sferën e biologjisë molekulare në botë.

Dr. Vlora Mehmeti Tërshani prezantoj UN e Vjenës në disa kongrese botërore të hulumtuesve të rinj. Hulumtimet e saj u botuan në dhjetëra gazeta shkencore të botës. Puna e saj e ngriti si shkencëtare të nivelit ndërkombëtar e cilësuar nga përfaqësuesit e UN- të Vjenës.

Në sallën solemne të ndarjes së titujve akademik, Dr. Vlora Mehmeti Tërshani përshëndeti të pranishmit solemnisht në emër të të graduarve shkencor nga gjithë bota në gjuhët; latinisht, anglisht, gjermanisht dhe në shqip, diçka e pa dëgjuar deri tani.

Dr. Vlora Mehmeti-Tërshani është ndër doktorantet e para shqiptare në drejtimin e mikrobiologjisë  të këtij universiteti. Puna shkencore afirmative e studiueses së re shqiptare është shembull që duhet ditur gjenerata e re dhe meriton vlerësimin nga të gjithë.

Në përkujtim të Dr. Vlorës,  Fondacioni Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi”, dega në Vjenë,  i ndan Mirënjohje me  Motivacion: “Për rezultate të shquara të rangut të lartë ndërkombëtar në fushën e hulumtimeve shkencore, për ndihmë shumë studiuesve nga gjithë bota dhe atyre shqiptarë, për ngritje të imazhit të femrës shqiptare, në veçanti, dhe shqiptarëve në rrethet shkencore ndërkombëtare”.