Integrimi
Dr. Fatime Imeri-Berisha drejton disa laboratorë të Covid-19 në Zvicër
Ka ardhur nga Kosova në Zvicër me fakultet të mbaruar të mjekësisë por këtu ka punuar edhe si pjatalarëse. Sot, dr. Fatime Imeri Berisha është bashkëpronare dhe CEO e disa laboratorëve dhe klinikave mjekësore në Zvicër
Në laboratorin LG1, ku ajo është bashkëpronare dhe drejtoreshë mjekësore, dr. Fatime Imeri-Berisha na pret si zonjë tradicionale shtëpie, me modesti dhe pa shumë formalitete. Fakti se kemi të bëjmë me një grua me shumë tituj e specializime në mjekësi, nuk i bjerr asaj aspak prirjen e natyrshme të një gruaje shqiptare për mikpritje dhe thjeshtësi. Ndërsa diapazoni i saj i gjerë dhe kompetenca e thellë në fushën që mbulon, gjen shprehje gjatë bisedës së saj për albinfo.ch, që mund ta lexoni në vijim…
Fatime Imeri-Berisha është e lindur dhe e rritur në Prishtinë. Atje ka mbaruar gjithë ciklin shkollor, nga fillorja deri në Fakultetin e Mjekësisë.
Në Zvicër ka ardhur në fillim të viteve `90. “Në kohën e mbylljes së universitetit dhe institucioneve tjera në Kosovë kam migruar për shkak të kushteve të krijuara atje. Si shumica, edhe unë kam punuar punë nga më të ndryshmet, përfshirë edhe “larje pjatash në restorante”, thekson në bisedë me albinfo.ch mjekja dhe specialistja e sotme e shumëfishtë, Fatime Imeri Berisha.
©armend berisha
Por më vonë, duke u stabilizuar në vendin e ri, ajo nuk dëshiron të dorëzojë ëndrrat që kishte për të punuar në profesionin për të cilin ishte shkolluar. Kështu, edhe pse nuk i ishte njohur diploma nga Prishtina, ajo merr një rrugë të tërthortë: nis dhe mbaron së pari studimet e mikrobiologjisë në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore në Universitetin e Cyrihut dhe pastaj doktoratën në mikrobiologji (molekulare) në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Cyrihut. Gjatë asaj kohe ka punuar përkohësisht edhe si mjeke. Ndërsa më vonë pasojnë specializimet në mjekësi laboratorike, mikrobiologji, imunologji, kimi klinike me hematologji, përfshirë diagnostikë molekulare, të gjitha këto në fushën e mjekësisë. Së fundi ka mbaruar edhe studimet Master e Administrimit të Biznesit (EMBA) në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Cyrihut.
Në këtë shumësi titujsh dhe specializimesh nuk është e lehtë për laikun të orientohet. Prandaj, pyetja jonë drejtuar dr. Imeri – Berisha është…
Albinfo.ch: Cili është specializimi i juaj bazë, gjegjësisht në cilën fushë jeni më e përqendruar dhe më kompetente? Gjegjësisht: a mundeni që për lexuesin të shpjegoni me pak fjalë se për çfarë specializimesh është fjala?
©armend berisha
Të gjitha specializimet e përmendura më lartë, janë të njëjta. Fakti se i kam bërë të gjitha këto specializime më mundëson ose në një mënyrë më detyron që në laborator të jem e pranishme në të gjitha fazat e proceseve që kryhen këtu prandaj jam përgjegjëse për të gjitha analizat, në të gjithë lëmenjtë, që praktikohen në laboratorin tonë. Ne këtu kemi imunologjinë, mikrobiologjinë, hematologjinë, kiminë klinike, serologjinë dhe diagnostikën molekulare, pra të gjitha degët e mjekësisë laboratorike. Mikrobiologjia më fascinon sepse merret me mikroorganizma që nuk shihen me sy dhe ndoshta as me mikroskop të thjeshtë dhe megjithatë janë në gjendje të shkaktojnë aq shumë çrregullime dhe sëmundje në organizmin e njeriut. Në anën tjetër edhe imunologjia është degë shumë interesante sepse merret me atë se si përgjigjet organizmi njerëzor, qelizat e tij ndaj ndonjë virusi apo mikroorganizmi tjetër. Mjekësia laboratorike sot është përgjegjëse për 60 për qind të diagnozave në mjekësi, në bazë të vlerave të analizave të laboratorit. Të gjitha këto kanë shumë rëndësi aq më tepër për mua që jam mjeke dhe në këtë cilësi mund ta bëj lidhjen dhe të kem mbikëqyrjen mbi to, të kem një pasqyrë shumë më të qartë për gjendjen shëndetësore të personit të cilit i bëhen analizat. Mbi këtë bazë unë mund tu jap edhe sugjerime mjekëve për raste konkrete të të sëmurëve.
Albinfo.ch: Tashmë disa muaj, pandemia e koronavirusit është kryetema e të gjitha mediave në botë. A mund të na e thoni ju, si eksperte, një vlerësim kompetent mbi hapësirën që zë kjo pandemi në opinion dhe në jetët tona? A jemi duke përjetuar diçka që nuk e njeh historia e pandemive, gjegjësisht a është kjo një dukuri e përmasave tjera nga ato që kemi parë deri më tani?
©armend berisha
Sa i përket impaktit të krizës, epidemi ka pasur në çdo kohë dhe do të ketë edhe në të ardhmen. Çfarë e dallon këtë pandemi aktuale janë masat e rrepta që i ka ndërmarrë politika për ta luftuar dhe parandaluar përhapjen e virusit. Ato masa janë marrë kur nuk ka pasur fakte të shumta shkencore rreth virusit ndërsa tashmë kemi shumë më tepër informata se si përhapet virusi. Në atë kohë ka pasur po ashtu fare pak informata si trajtohet virusi, frika nga vdekshmëria, që u raportua në fillim, ka qenë shumë e madhe. Edhe përhapja e shpejtë dhe të gjitha këto kanë ndikuar që politika të ndërmarrë masa në mënyrë që para së gjithash të fitojë kohë derisa të krijohet një situatë e re, derisa të njihet më mirë virusi dhe të krijohen mjete për trajtimin e tij dhe derisa të sigurohet menaxhimi më i mirë i sistemeve shëndetësore sepse asnjë sistem në botë dhe as ai i Zvicrës, nuk do të mund ta përballonte një fluks kaq të madh të njerëzve siç ishte paraparë fillimisht në disa statistika.
A e bën prania e madhe mediale, që e mundësojnë mjetet e sotme të komunikimit, më “dramatike” këtë pandemi se që është në fakt?
Mendoj se ndoshta, nga mosnjohja ka pasur ngapak edhe reagim me panik, që ndoshta ka qenë i tepërt. Por kujdesi ka qenë dhe është i nevojshëm e jo paniku. Unë nuk mendoj se mediat e kanë përhapur këtë panik, pasi që ato për shkrimet e tyre kanë marrë mendimin e ekspertëve të fushës. Por në kushtet e sotme, në mediat sociale ka mundësi që kushdo të plasojë çfarë të dojë pa dhënë përgjegjësi.
Si do t`u përgjigjeshit me pak fjalë mohuesve, gjegjësisht skeptikëve ose mbështetësve të teorive të konspiracionit, lidhur me ekzistimin e pandemisë?
Skeptikëve? Virusi ekziston, kjo është evidente, ndryshe njerëzit nuk do të sëmureshin. Janë me qindra mijëra të sëmurë gjithashtu edhe të vdekur… Nuk do të dëshiroja që skeptikët e tillë ta vërtetojnë praninë e virusit në trupin e tyre.
Ju jetoni në Zvicër dhe e njihni në hollësi trajtimin që i është bërë e po i bëhet koronavirusit. A mendoni se është zgjedhur rruga e duhur e luftimit të tij?
Niveli i mangët i njohjes së këtij virusi ka kushtëzuar një reagim të tillë çfarë ka qenë nga autoritetet shëndetësore, si në Zvicër ashtu dhe në vendet tjera, me masa rigoroze. Zvicra ka qenë diku në mes. Disa vende fqinje kanë ndërmarrë nga fillimi masa më të rrepta mbrojtjeje dhe izolimi ndërsa Zvicra ka qenë më e matur. Nga ana tjetër, sa i përket masave të ndërmarra në Suedi, e cila ka zgjedhur një rrugë të veçantë, rezultati do të shihet në fund. Mendoj se eksperti suedez duhet të ketë pasur guxim shumë të madh dhe njohje shumë të thellë të fakteve shkencore duke e zgjedhur atë rrugë, duke marrë mbi vete rrezikun që mortaliteti të rritet dhe të shuhen shumë jetë njerëzish. Kjo mund të shihet mbase pas 2 viteve në mënyrë retrospektive se cilat kanë qenë dhe cilat do të kishin qenë masat më të mira.
Por lidhur me trajtimin e koronavirusit në Kosovë, në Shqipëri e Maqedoni, a keni informacione? Si e vlerësoni atë?
Sa i përket Kosovës, do të thosha se ka qenë një trajtim i duhur dhe konform me kapacitetet që ka sistemi shëndetësor në Kosovë. Për rritjen e regjistruar të rasteve gjatë muajve korrik-shtator, nuk do ta fajësoja sistemin shëndetësor të atjeshëm, i cili ka bërë më të mirën e mundshme në situatën aktuale për luftimin e virusit.
©armend berisha
Tani diçka lidhur me aparaturat që përdoren për testim të Covid-19. Si është situata me to në përgjithësi dhe në Kosovë, në veçanti?
Aparaturën me të cilën punohet në Kosovë, e kemi edhe ne këtu dhe është shumë e preferuar dhe e avancuar. Ndërsa çështja për të cilën unë kam bërë fjalë në një artikull gjatë muajit shtator ka qenë më shumë te çmimi i testeve. Teste ka të ndryshme, të shpejta dhe teste që bëhen për disa orë. Aparaturat e mëdha bëjnë deri në qindra teste në ditë. Testet e shpejta duhet të bëhen për rastet emergjente. Por, madje edhe në Zvicër, distributori i testeve na ka thënë se, nuk ka numër të mjaftueshëm të testeve. Për shembull neve në laborator na vijnë me qindra mostra në ditë, ndërsa ne mund të bëjmë testimin e shpejtë të vetëm disa dhjetërave. Në Zvicër dhe në shtete tjera, çmimin e testit e cakton qeveria dhe e mbulon në disa raste shteti. Siç dihet, ajo tashmë e ka zbritur dy herë këtë çmim. Nuk do të ishte keq që edhe në Kosovë çmimin e analizave laboratorike ta përcaktojë Ministria e Shëndetësisë, në mënyrë që të mos bëhen laboratorët shënjestër e opinionit në rast se çmimet për dikë nuk do të jenë reale ose të volitshme dhe që ato të koncentrohen në punën e tyre.
Si bëhet në Zvicër përzgjedhja e atyre që testohen për Covid-19?
Në fillim testimi ka qenë i rezervuar vetëm për njerëzit që kanë pasur simptome. Kjo, për arsyen e thjeshtë se nuk ka pasur kapacitet të përpunohen shumë mostra, numri i reagensëve ka qenë i vogël. Ndërkohë ai është rritur, kështu që laboratorët mund të bëjnë më shumë testime brenda ditës. Për këtë arsye tani mund të testohen edhe njerëz që kanë qenë jashtë vendit ose që kanë pasur kontakte me persona të infektuar, edhe nëse nuk kanë simptome.
Një pyetje që u shtrohet të gjithë ekspertëve mjekësorë: Kur pritet vaksina?
Ndonëse nuk jam e specializuar, duhet thënë se në botë ka shumë sëmundje të cilat janë të pranishme prej dhjetëra vitesh dhe ende nuk e kanë vaksinën përkatëse. Ndër to janë edhe HIV (AIDS) dhe hepatiti C. Prandaj është spekulative mënyra se si dalin çdo ditë në media “zbulime” të vaksinave të ndryshme. Për mua, vaksina konsiderohet e zbuluar vetëm në momentin kur ajo është testuar për efikasitetin e veprimit dhe për sigurinë e saj. E për të ardhur deri aty, duhet kohë. Për shembull për të përcjellë ndikimin e vaksinës te njerëzit, duhen periudha kohore prej tre ose gjashtë muajsh dhe vetëm pas kësaj mund të flasim për efikasitetin e vaksinës.
Kësaj radhe bota është sensibilizuar shumë, ashtu që shumë grupe shkencëtarësh janë duke punuar në drejtim të krijimit të vaksinës kundër covidit. Për këtë arsye unë besoj shumë se vaksinën do ta kemi nga fundi i këtij ose fillimi i vitit që vjen. Mandej vijnë edhe fazat përkatëse që duhen kaluar deri në aplikimin e vaksinës. Gjithsesi, duhet thënë se nuk ka asnjë fabrikë që mund të prodhojë mbi 7 miliardë doza të vaksinës, aq sa ka njerëz në botë. Pastaj, aty do të ketë prioritete të ndryshme… Prandaj them se nëse vaksina do të jete e disponueshme në fillim të vitit 2021, do të kalojë edhe viti 2022 derisa të arrihet vaksinimi i plotë. Mirëpo kriteri i pandemisë lidhet me pyetjen: kur çrrënjoset një virus. Ka shumë pandemi që zgjasin shumë, masa me të cilën ato sulmojnë njerëzit ndoshta është më e vogël dhe më pak e pranishme në media por ato vazhdojnë. Një shpresë tjetër, por besoj se është pak e besueshme, është që virusi të pësojë mutacione ashtu që virulenca, pra, aftësia për të shkaktuar sëmundje, të zvogëlohet.
Po ilaçet të cilat herë pas here përmenden si mundësi të shërimit nga Covidi?
Ka burime të ndryshme lidhur me medikamente të mundshme që mund të përdoren por duhen ende prova të efektit te të sëmurët. Një ndër ta është edhe Remdesiviri i cili preferohet nga shoqata e infektologëve, pastaj është një imun modulator quhet Tocilizumab, edhe ai përdoret në raste të veçanta. Janë edhe steroidet dhe antitrombotikët. Sidoqoftë, barnat vetëm mund ta kufizojnë veprimin e sëmundjes kurse antitrupat, të cilët prodhohen në rast të kontaktit të trupit me virusin, janë të gatshëm për ta bërë neutralizimin e tij.
Vetëm rreth 20 veta në Zvicër kanë specializime si dr. Imeri – Berisha
Laboratori të cilin e udhëheq, është krijuar 41 vite më parë ndërsa unë kam filluar punën këtu para 10 viteve. Tani jam bashkëpronare dhe përgjegjëse për analizat laboratorike, respektivisht drejtoreshë mjekësore dhe CEO. Në këtë laborator punojnë laborantë, rreth 80 sish dhe jo mjekë. Mjekë me specializimet përkatëse si të miat në gjithë Zvicrën janë vetëm rreth 20. Përveç këtij laboratori, kemi edhe atë të blerë në vitin 2014 (Medibact AG). Tani do të fillojmë edhe atje me testimin e Covidit. Pastaj jemi edhe bashkëpronarë të disa poliklinikave në Cyrih (Rautipraxis, Kalkbreite, checkin Helvetiaplatz) dhe dy poliklinika të mëdha të cilat do të hapen vitin e ardhshëm, një në Cyrih dhe një në Bazel. Këtu jemi 7 bashkëpronarë.
Kur pritet vaksina?
Unë besoj shumë se vaksinën do ta kemi nga fundi i këtij ose fillimi i vitit që vjen. Mandej vijnë edhe fazat përkatëse që duhen kaluar deri në aplikimin e vaksinës. Gjithsesi, duhet thënë se nuk ka asnjë fabrikë që mund të prodhojë mbi 7 miliardë doza të vaksinës, aq sa ka njerëz në botë. Pastaj, aty do të ketë prioritete të ndryshme… Prandaj them se nëse vaksina do të jete e disponueshme në fillim të vitit 2021, do të kalojë edhe viti 2022 derisa të arrihet vaksinimi i plotë.
Fotot: Armend Berisha
Biografi e shkurtë:
- Emri e mbiemriDr. Fatime Imeri-Berisha
- Prejardhja:Prishtinë
- Vendi ku vepron:Cyrih
- Profesioni:Mikrobiologe
E-Diaspora
-
Granit Xhaka është pjesë e formacionit më të mirë të vitit në Bundesliga Ylli shqiptar i Bayer Leverkusenit, Granit Xhaka, ka përfunduar si pjesë e formacionit më të mirë...
-
Përfundojnë pritjet në kufirin Kroaci-Serbi
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
A e keni ditur që hiti për Krishtlindje është xhiruar para 40 vitesh në Zvicër?
Jeta në Zvicër
-
Mediat: Shërbimet mjekësore zvicerane të bëra jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane Në Zvicër, shërbimet mjekësore të kryera jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane, pavarësisht se kushtojnë më...
-
Anëtari i ekuipazhit zviceran ende në kujdes intensiv pas uljes urgjente në Austri
-
Ulja emergjente e avionit zviceran në Graz është shkaktuar nga një problem teknik
-
Berna ka përditësuar, në internet, hartën e saj të rreziqeve sipas qyteteve të kantonit
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit?