Kosova
Dr. Besniku dhe peripecitë e tij me spitalin kardiokirurgjik për fëmijë, në Prishtinë
“Me arsyetime që për mua janë absurde, dikush në Ministrinë e Shëndetësisë po pengon kurorëzimin e projektit, gjegjësisht hapjen e klinikës, e cila, shikuar teknikisht dhe profesionalisht, është e gatshme të fillojë nga puna”
Besnik Abazi është specialist i psikiatrisë, themelues, pronar dhe drejtues i një poliklinike psikiatrike në Liestal të kantonit Baselland të Zvicrës. Por, ambicia e tij nuk përfundon me kaq. Ai, prej një kohe i ka hyrë një projekti mjaft ambicioz: ngritjes së klinikës së parë kardiokirurgjike pediatrike (për fëmijë), në Kosovë.
Me këtë klinikë, Kosova do të bëhet pikë referimi në gjithë Ballkanin, sa i përket këtij drejtimi mjekësor.
Siç tregon dr. Abazi në bisedë me albin fo.ch, tani për tani, e vetmja qendër e tillë në Ballkan është ajo në Beograd. “Të gjitha vendet ballkanike, duke filluar me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi Bosnjën etj., kur bëhet fjalë për trajtimin kardiokirurgjik të fëmijëve, zgjidhjen e vetme e kanë në Beograd, në Itali ose në Turqi, Stamboll. Kjo, vetvetiu tregon se sa i mungon regjionit një specializim i tillë”, thotë më tutje bashkëbiseduesi ynë.
“Duke parë këtë mungesë, më ka lindur ideja për të ngritur në Kosovë një klinikë kardiokrokirurgjike pediatrike, për të dhënë sadopak një kontribut për vendin tim, duke i kursyer qytetarët tanë nga shpenzimet e larta dhe komplikimet që duhet të kalojnë për të trajtuar fëmijët e tyre në qendrat larg vendit. Përveç kësaj, Kosova do të bëhej pikë referimi për këtë degë edhe në Ballkan”, thotë dr. Besnik Abazi.
Dhe, duke qenë njeri i iniciativës dhe i veprimit, ai nuk ka qëndruar duarkryq. Ka më shumë se një vit që dr. Besniku, si investitor i vetëm, ka ngritur aneksin e klinikës së tij, në katin e sipërm të klinikës “Medical Center” në Prishtinë. “Unë deri më tani kam investuar mbi 600 mijë euro në këtë projekt. Përveç pjesës ndërtimore, që është një kat i plotë, në këtë objekt tashmë kemi instaluar të gjitha aparaturat e nevojshme për një funksionim normal të klinikës kardiokirurgjike për fëmijë. Është fjala për teknikën më moderne, të nivelit më të fundit, që përdoret në Evropë dhe botë”, sqaron ai. Ajo është po ashtu teknikë e licencuar sipas standardeve që vlejnë sot në perëndim.
Por, e gjithë kjo, si duket nuk mjafton për autoritetet shëndetësore të Kosovës. “Me arsyetime që për mua janë absurde, dikush në Ministrinë e Shëndetësisë po pengon kurorëzimin e projektit, gjegjësisht hapjen e klinikës, e cila, shikuar teknikisht dhe profesionalisht, është tashmë e gatshme të fillojë nga puna”, shprehet, i brengosur por megjithatë besimplotë për projektin e tij, dr. Abazi.
Ai thotë se zyrtarja për licencim e ministrisë së shëndetësisë po këmbëngulë që mjekët e huaj (italianë) specialistë të cilët do të hapet klinika, mund të marrin vetëm kontrata të përkohshme (6 mujore) dhe me kontrata të tilla nuk lejohet puna në klinika. Por, plotëson dr. Besniku, “nuk ka asnjë arsye që atyre të mos u jepen kontrata të përhershme. Për më tepër, duke qenë se bëhet fjalë për mjekë që janë autoritete të mirëfillta shkencore të fushës së tyre nga Italia, si (dr. Prof. Giovanni Stellin dhe dr. Bruno Murzi), do të ishte nder që ata të licencohen për punë të përhershme këtu.
Për më tepër, ata do të trajnojnë edhe mjekë specialistë nga Kosova për të punuar në të ardhmen si kardiokirurgë pediatrikë, shton dr. Besniku.
Ata dhe specialistë të tjerë nga Italia e vende të tjera, kanë bërë shumë punë me vlerë në Kosovë, në ekspeditat e herëpashershme humanitare që kishin këtu, duke operuar fëmijët me sëmundje kardiologjike. Kështu që ata, veç tjerash, e njohin edhe terrenin dhe specifikat e punës në Kosovë.
Duke folur për këtë problematikë, ai shpalos korrespondencën (letërkëmbimin) me Ministrinë e Shëndetësisë. Një fashikull me letra të dërguara dhe të pranuara, që dëshmojnë vendosmërinë e tij për të realizuar projektin por edhe moskuptimin ose qasjen destruktive të ndonjë personi në ministri.
Dr. Besniku është i bindur se në fund të fundit do të ngadhënjejë e drejta dhe se klinika e tij shumë shpejt do të hapë portat për të trajtuar pacientët e vegjël. “Këtë, fundja, ja kemi borxh Kosovës dhe njerëzve të saj, të cilët meritojnë një trajtim të një niveli kompetent të lartë mjekësor, me çmime shumë më të ulëta dhe duke u kursyer nga maltretimet të cilave po u nënshtrohen sot, për të gjetur shërim në vende të largëta”, thotë doktori.
Duhet pasur parasysh me këtë rast se shuma më e madhe e mjeteve që Kosova ndan për shërim jashtë është pikërisht ajo për kardiokirurgji pedriatike, pasi ky specializim nuk ekziston në Kosovë.
Megjithatë, ai ka një shqetësim që dëshiron ta ndajë me lexuesit: Neve nga Mërgata/Diaspora po na bëhen ftesa të përditshme nga secili politikan dhe qeveritar qe te investojmë në Kosovë, por pasi qe po fillojmë me investime, nuk na përkrahin fare, nuk duan te merren fare me ne si dhe na trajtojnë me një përbuzje ashtu që ne të ndihemi edhe fajtorë për faktin se po investojmë! Kjo qasje duhet menjëherë të ndryshohet, pasi që ne në Diasporë dhe posaçërisht ne në Zvicër kemi mjaft mundësi të investojmë këtu ku jetojmë dhe të kemi përfitime të mëdha, por dëshira dhe vullneti ynë qe të investojmë në Kosovë janë të mëdha. Nëse vazhdohet me qasje të tillë, dhe me trajtim përbuzës, atëherë kjo dëshirë do të zvogëlohet dhe do të humbas tërësisht!
Spitali i kardiokirurgjisë pediatrike është në objektin Medical Center dhe gjendet te Terminali Doganor, afër tregut të gjelbër në Prishtinë.
Ambienti i brendshëm i Spitali i kardiokirurgjisë pediatrike që po pret të hapet…
… dhe pamja nga jashtë e objektit ku ai është vendosur
Dr. Besnik Abazi bën pjesë në numrin e madh të të rinjve të atëhershëm, që në fillim të viteve `90 të shekullit të kaluar, pas rrënimit të autonomisë së Kosovës, ishin të detyruar te braktisnin atdheun për të gjetur strehim dhe jetë më të mirë jashtë vendit. Por Besniku është një nga të paktët moshatarë të tij që, duke qenë mjek i diplomuar (në vitin 1990) kishte vendosmërinë e duhur për të çarë përpara, në profesionin e tij.
“Si fillim, i kisha vënë vetes qëllimin që të punoj me çdo kusht në spital”, thotë dr. Besniku, sot, rreth 30 vite pas ardhjes në Zvicër. Dhe, duke i mbetur besnik këtij qëllimi, ai fillon punën në Klinikën e Psikiatriosë në Liestal. Puna e tij me përkushtim dhe njohja e bazave të mjekësisë që shpërfaqej në punën e tij, bëri që ai të fitonte besimin e mjekëve dhe drejtuesve të spitalit. Ata shumë shpejt e pranuan atë si koleg, duke i mundësuar të bënte punën e mjekut.
Pas një kohe ai regjistroi specializimin në psikiatri. “Nuk ka qenë ky specializim ndër planet e mia si mjek i ri por puna që bëra fillimisht në spital psikiatrik më afroi me këtë problematikë, të cilës pastaj ja kam kushtuar gjithë karrierën time”, thotë dr. Besnik Abazi, i cili, duke filluar nga viti 2000, si mjek i specializuar në psikiatri, ka punuar në ambulanca, spitale dhe ordinanca të ndryshme psikiatrike. Veç tjerash, ai së fundi ka qenë edhe shef një qendre ambulantore psikiatrike në Liestal.
Ai është ndër mjekët e parë psikiatër shqiptarë në Zvicër në përgjithësi dhe po ashtu në mesin e të parëve që kanë hapur ordinancë, gjegjësisht poliklinikë psikiatrike.
Pas kësaj, në vitin 2015, kur tashmë kishte përvojën dhe ekspertizën e duhur, Besniku vendos të kalojë në punë të pavarur, gjegjësisht të hapë, poliklinikën psikiatrike, “Rufsteinweg GmbH” në Liestal, kryeqytet i Kantonit Baselland. (https://www.praxisgemeinschaft-abazi.ch/?fbclid=IwAR3-A2jm7H8eYjPpBjXcaQj8zglRXBVe3YoVDRopq_kIQursG2tqTvCAS3Y).
Poliklinika ndodhet në një pikë mjaft qendrore të qytetit dhe ka një hapësirë të madhe e të ndritshme prej më shumë se 300 metrash katrorë, me 10 zyra të dhe me sallën të madhe pritjes.
“Në këtë klinikë që po shihni, punoj përveç si shef, edhe si specialist psikiatër bashkë me një koleg tjetër, zviceran, i cili është po ashtu specialist i psikiatrisë. Të punësuarit tjerë 6 psikologë dhe 2 ne administrate”, thotë dr. Besniku.
I pyetur për specifikat e punës së një psikiatri me sfond migracioni, ose, në rastin tonë, një psikiatri shqiptar me prejardhje nga Kosova, ai thotë se, sikur në çdo veprimtari, edhe këtu ka dallime. Ato, në rastin konkret kanë të bëjnë me shprehitë dhe perceptimin që shoqëritë e ndryshme kanë për punën e psikiatrit dhe në përgjithësi për sëmundjet me bazë psikike.
“Ndër ne, shqiptarët, me gjithë njëfarë avancimi, sëmundjet dhe të sëmurët me bazë shpirtërore vazhdojnë të stigmatizohen nga shoqëria prandaj ende mbretëron njëfarë turpi ose ngurrimi për të marrë trajtim psikiatrik. Ndryshe qëndron puna me zviceranët: ata, sëmundjet psikike i konsiderojnë sikur çdo sëmundje tjetër, prandaj nuk hezitojnë t`i nënshtrohen trajtimit përkatës”.
Dr. Besniku pranon se shumicën dërmuese të pacientëve që trajtohen personalisht nga ai në këtë klinikë e përbëjnë shqiptarët, por shikuar si tërësi, në gjithë klinikën, janë më të shumtë zviceranët dhe pjesëtarët e komuniteteve tjera, të huaja.
Spitali i kardiokirurgjisë pediatrike i dr. Besnik Abazit është në objektin Medical Center dhe gjendet te Terminali Doganor, afër tregut të gjelbër në Prishtinë.
E-Diaspora
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri? Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, tha se janë krijuar kushtet e...
-
Kurti mban fjalim në forumin ekonomik Zvicër-Kosovë, flet për “partneritet të fuqishëm”
-
Arbër Bullakaj, në krye të nismës për lehtësimin e natyralizimit të të huajve
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake
Jeta në Zvicër
-
Kaosi i SBB i frustron udhëtarët: “Ka komunikim zero” Në Zvicër ka pak trafik që nga pasditja e së enjtes: bora ka shkaktuar aksidente të...
-
Bora paralizon qarkullimin në shumë vende në Zvicër
-
Bazeli do të votojë mbi koston e organizimit ‘blasfemik’ të Eurovizionit 2025
-
Zvicra mbetet kampione evropiane në hekurudha
-
Arbër Bullakaj, në krye të nismës për lehtësimin e natyralizimit të të huajve