Mantelbardhët shqiptarë në Zvicër

Dr. Avdulla Krasniqi: Hapja e ordinancës, projekt kyç për çdo mjek

Pasi kaloi shumë shkallë të karrierës prej gjinekologu, dr. Avdulla Krasniqi ka hapur së fundi ordinancën e tij private. Ai thotë se është shumë i kënaqur me këtë hap, i cili është një projekt kyç në jetën e secilit mjek

Dr. Avdulla Krasniqi në opinionin e gjerë njihet edhe si gjinekologu shqiptar në Zvicër që bën mrekulli dhe i cili u ngjall shpresat çifteve pa fëmijë. Shtatzënia, sipas fjalëve të Dr. Krasniqit, “është një proces i mrekullueshëm dhe shumë emocionues për pacientët  dhe për mua”. Me rastin e hapjes së ordinancës së tij në Lozanë, e para ordinancë e tillë private shqiptare në pjesën frankofone të Zvicrës, albinfo.ch shfrytëzoi rastin për të bërë intervistën e radhës me të.

Albinfo.ch: A mund të na tregoni se si filloi karriera juaj?

Avdulla Krasniqi: Shkollën fillore e kam mbaruar në fshatin Livoç i Epërm, komuna e Gjilanit, pastaj gjimnazin, drejtimi matematikor-natyror, në Gjilan. Pas mbarimit të Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë, kam punuar 4 muaj si mjek i përgjithshëm ne Bresalc, komuna e Gjilanit. Pastaj, në nëntor të vitit 2006 më është dhënë mundësia të shkoja në Francë për specializim. Në vitin 2013 kam marrë titullin specialist i gjinekologjisë dhe obstetrikës, në Paris. Paralelisht, kam bërë formacion te avancuar në ekografi, për pjesën e gjinekologjisë dhe obstetrikës, sektori i diagnostikimit të malformacioneve gjatë shtatzënisë. Në fund të këtij formacioni kam marrë diplomë nga Universiteti Paris-Descartes, në Paris. Pastaj, jam specializuar edhe në laparoskopi, si operator për pjesën e gjinekologjisë, ku jam pajisur me diplomë inter-evropiane nga Universiteti Clermont-Ferrand ne Francë. Nga Universiteti “Paris Decartes” jam pajisur edhe me diplomë për trajtimin e problemeve të infertilitetit.

Në vitin 2014, më është propozuar një post si shef i klinikës në Spitalin kantonal të Friburgut (HFR), post dhe titull ky që e mbajta për dy vite. Pastaj, gjatë një periudhe të shkurtër qëndrova si kryemjek në spitalin interkantonal de la Broye (HIB). Në fillim të vitit 2018, ka filluar nga puna klinika iime, me të cilën deri tani jam shumë i kënaqur, sepse i përmbush të gjitha kushtet që kam ëndërruar dhe është një projekt kyç në jetën e secilit mjek.

Albinfo.ch: A mund të veçoni ndonjë prej vështirësive më të mëdha gjatë karrierës suaj?

Dr. Avdulla Krasniqi: Ka shumë por do ta veçoja kohën e përgatitjes së provimit final, i cili është më i ploti sepse i bashkon njohuritë e fituara gjatë gjithë viteve. Ky duhet veçuar sepsenumri i vendeve për specializim ka qenë i limituar dhe i mbështetur mbi bazën e konkursit

Albinfo.ch: Si do ta përshkruanit një ditë të zakonshme tuajën në këtë profesion?

Dr. Avdulla Krasniqi: Ordinanca hapet nga ora 8 në mëngjes dhe qëndron e hapur deri në orën 18 e ndonjëherë edhe 19 sepse përpiqemi t`u përshtatemi kërkesave të pacientëve. Nga ora 12 deri në orën 13 është koha e pauzës, por ka edhe raste kur nuk e zbatojmë sepse kërkesat  e pacientëve janë të mëdha. Zakonisht, prej orës 7.30 aty jemi prezentë, unë dhe asistentja në mënyrë që çdo gjë të jetë gati për konsultimin e parë. Në kabinet punojmë 4 persona: unë si mjek, një infermiere, 1 asistente dhe bashkëshortja ime Tropoja (me orar të ndryshëm) e cila paralalisht po e ndjek masterin në Qendrën Spitalore Universitare në Lozanë (CHUV).

Çdo të martë, prej orës 17, marr pjesë në mbledhjen e përbashkët që mbahet në Qendrën Spitalore Universitare të Kantonit të Vaudit (CHUV) ku diskutojmë  rastet e mjekësore të komplikuara. Bashkëpunimi me spitale si CHUV-i, është shumë i rëndësishëm për mua dhe për pacientet e mia.

Albinfo.ch: Si mjek, jeni i specializuar në Gjinekologji dhe Obstetrikë, me specializim të ngushtë në diagnostikim me ultrazë të  sëmundjeve të ndryshme te gratë shtatzëna dhe te fëmijët akoma pa lindur. A mund të na shpjegoni me terma më popullore, çfarë do të thotë kjo?

Dr. Avdulla Krasniqi: Shtatzënia është një proces fiziologjik. Për fat të keq ka raste që tek fetusi (fëmija ende i palindur) mund të zhvillohen anomali, si për shembull në zemër, veshkë, gjymtyrë ose pjesë tjera të trupit. Të gjitha këto anomali duhet të diagnostikohen përmes ultrazërit në mënyrë që prindërit të informohen sa më saktë në lidhje me sëmundjen e femijës së tyre (sepse ka sëmundje që nuk janë të pajtueshme me jetën) dhe në mënyrë që marrja përsipër e këtyre fëmijëve pas lindjes të jetë e organizuar më ndryshe.

Gjatë shtatzënisë, ekografitë janë të rëndësishme dhe mundësojnë të percjellim zhvillimin e rregullt të fëmijës. Më saktësisht, tek një shtatzëni me zhvillim normal  rekomandohet të bëhen 3 ekografi, të cilat realizohen në momente të caktuara si për shembull nga java e 12-të deri në javën e 14-të, pastaj nga java e 20 deri në javën 24 dhe së fundmi nga java 30 deri në javën 34. Ndërsa në raste të caktuara, në rast konstatimi të ndonjë anomalie, mund të bëhen edhe më tepër ekografi. Gjatë secilës periudhë, objektivat e kontrollit përmes ekografisë janë të ndryshme.

Albinfo.ch: Për cilat probleme dhe trajtime ose për çfarë lloje të shërbimeve mund të drejtohen pacientët në ordinancën tuaj ?

Dr. Avdulla Krasniqi: Ordinanca jonë ofron të gjitha shërbimet tek gratë shtatzëna dhe jo shtatzëna si për shembull: vizita të rregullta, ultrazë 3D dhe 4D, çiftet me probleme të infertilitetit dhe të tjera.

Drejtimi i gjinekologjisë dhe i obstetrikës është i veçantë sepse lejon një përcjellje të pacienteve të të gjitha moshave, dmth nga mosha 10 – 12 vjet (fillimi i ciklit menstrual) dhe deri në fund te jetës. Duhet cekur qe kontrollet tek gjinekologu rekomandohen të bëhen një herë në vit.

Paralelisht me bashkëshorten, Tropojën, e cila po e udheheq një projekt në fushën e toksikologjisë në CHUV, me temë ndikimin e perturbatorëve hormonalë tek zhvillimi i fëmijës gjatë shtatzanisë, jemi duke i organizuar disa seanca informative të destinuara pacienteve, për të kufizuar ekspozimin e tyre ndaj këtyre substancave gjatë shtatzënisë.

Albinfo.ch: Kush është Dr. Avdulla Krasniqi kur nuk vesh mantelin e bardhë?

Dr. Avdulla Krasniqi: Pas heqjes së mantelit të bardhë, është krejtësisht ndryshe. Sipas thënieve të bashkëshortes, Dr. Krasniqi ka shumë dallim nga Avdullahu në shtëpi. Në ordinancë jam një njeri shumë profesional e rigoroz dhe mundohem të kujdesem në maksimum për pacientet, në mënyrë që ato të ndihen të sigurta dhe të kenë besim në mua. Prandaj, kjo kërkon të jem strikt dhe rigoroz ndërsa  jashtë punës, si për shembull në shtëpi, jam shumë i relaksuar. Jemi prindër të një djali 4-vjeçar, me emrin Leor dhe mundohemi të kalojmë kohën e lirë sa më shumë së bashku. Kemi projekte me disa spitale në Zvicer që të dërgojmë material mjekësor për spitalet e Kosovës, veçanërisht për gjinekologji.

(Fotot: Rromir Imami)