Kosova

Dr. Alban Y. Neziri: Rasti i ish-ministrit Latifi tregon se kthimi po sabotohet 

“Dështimi i misionit të rimëkëmbjes së shëndetësisë në Kosovë i ish Ministrit të Shëndetësisë, Prof. Dr. Rifat Latifi, është një shenjë jashtëzakonisht e keqe për ne – kthimi po sabotohet” 

Lidhur me deklaratën e kryeministrit Kurti, i cili muaj më parë njoftoi se ka një plan për kthimin e mjekëve shqiptarë nga diaspora, duke pretenduar se po krijohen lehtësi për kthimin e mjekëve nga diaspora në Kosovë, doktor Alban Neziri, një nga gjinekologët e suksesshëm në Zvicër, shprehet i qartë. Sipas tij, jo vetëm që nuk ka diçka konkrete, por ka shenja sabotimi edhe karshi mjekëve që do të pretendonin të ktheheshin në Kosovë.  

Albinfo.ch ka trajtuar këtë problematikë në mënyrë gjithëpërfshirëse, duke marrë opnione të mjekëve më të njohur shqiptarë të Zvicrës dhe përgjigjet e tyre nuk janë shumë shpresëdhënëse. 

Prof. Dr. Alban Y Neziri është profesor i rregullt në dy universitete, në Universitetin e Bernës në Zvicër, dhe në atë të Aalborgut, në Danimarkë. Ai është edhe bashkëpunëtor i lartë shkencor në Departamentin e Shkencave Biomjekësore në Fakultetin e Mjekësisë në Bernë dhe pronar i qendrës moderne gjinekologjike “Langete” (Gynäkologiezentrum LangeteI në Langenthal. Albani është po ashtu anëtar i kryesisë së Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër. 

Albinfo.ch: Çfarë mendimi keni lidhur me deklaratën e kryeministrit Kurti për kthimin në Kosovë të mjekëve nga diaspora?  

Alban Y. Neziri: Dështimi i misionit të rimëkëmbjes së shëndetësisë në Kosovë i ish Ministrit të Shëndetësisë, Prof. Dr. Rifat Latifi, është një shenjë jashtëzakonisht e keqe për ne. Prof. Rifati ka qenë menaxher i shkëlqyer në Spitalin Universitar të Tuscon, Arizona, SHBA dhe në spitalet e New Yorkut. Dështimi i tij në Kosovë, në detyrën që e pati pranuar me entuziazëm të madh, jep shenja të një bojkoti të brendshëm ndaj tij dhe ndoshta edhe karshi mjekëve që do të pretendonin të ktheheshin në Kosovë. 

Albinfo.ch: Sa është real kthimi në Kosovë i mjekëve shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Zvicër, kur dihet që ka dallim të madh pagash dhe të kushteve të punës?  

Alban Y. Neziri: Megjithatë, në Kosovë ka edhe shembuj të suksesit te mjekëve që janë kthyer nga mërgimi. Po marr shembull United Hospital i themeluar kohët e fundit nga vëllezërit Dr. Arben Kojqiqi, Kardiokirurg dhe Dr. Fatos Kojqiqi, Kardiokiurg, që të dy të shkolluar e specializuar në mërgatë. Po në atë spital punon edhe Dr. Arsim Thaqi, Otorinolaringolog, po ashtu nga mërgata. Këta të tre janë kthyer dhe jetojnë në Kosovë. Kthimi nuk është i pamundur, por shumë i vështirë për shkak të pengesave administrative (të nostrifikimit të diplomave) si dhe atyre sociale. 

Albinfo.ch: Çfarë tregon kjo për qeverinë, kur dihet se Kosova ka problem shqetësues numrin e lartë të mjekeve dhe mjekëve që po braktisin Kosovën drejt Perëndimit dhe jo kthimin e disa mjekëve?  

Alban Y. Neziri: Shëndetësia në Kosovë është e plagosur rëndë dhe duhet shumë punë për ta mëkëmbur. Të gjithë mjekët shqiptarë kudo që janë, duhet në një mënyrë të japin kontributin e tyre për ta arritur rimëkëmbjen e dëshiruar. Deri në arritjen e strukturimit adekuat të sistemit shëndetësorë dhe ngritjen e pagave në nivel dinjitoz për mjekët, Kosova do përballet me largimin e tyre. 

Albinfo.ch: A shihni alternativa të tjera të angazhimit të mjekëve nga diaspora në vend të thirrjes për kthim në vendlindje?  

Alban Y. Neziri: Unë personalisht ka vite që jam i angazhuar me kolegët në Kosovë. Në vitin 2010 është themeluar Asociacioni Shëndetësor i Kosovës, i cili drejtohet nga Dr. Adem Bytyqi, Anesteziolog. Unë jam anëtar i bordit. Deri tani janë organizuar 7 kongrese jashtëzakonisht të suksesshme në fushën e hulumtimit dhe terapisë së dhimbjes. Janë organizuar shumë trajnime të personelit të mesëm për trajtim të dhimbjes. Asociacion i shëndetësor i Kosovës është anëtar i rregullt i International Association for the Study of Pain, që është shoqatë lidere në këtë fushë.  

Para 3 vitesh është krijuar edhe Kolegji i Kirurgëve të Kosovës i cili këtë vit u bë pjesë e Kolegjit të Kirurgëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kolegji i Kirurgëve drejtohet nga Prof. Dr. Rifat Latifi. Kolegji ka themeluar edhe revistën e shkencave Kirurgjike “Kosova Journal of Surgery”. Tani është duke u përgatitur numri i katërt i kësaj reviste. Unë, dhe disa kolegë nga mërgata jemi anëtarë të Bordit shkencor të revistës.  

Kongresi i parë i Kolegjit më 2021 dhe Kongresi i dytë në shtator të këtij viti, mblodhën me qindra kirurgë nga vise të ndryshme shqiptare dhe nga diaspora. Nuk mungojnë edhe trajnimet praktike në fushën e kirurgjisë.  

Në bashkëpunim me Kolegjin e Kirurgëve të Kosovës dhe Klinikën Universitare të Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, do të fillojmë përpilimin e protokolleve të trajtimit kirurgjik të karcinomave në fushën e gjinekologjisë onkologjike.   

Më 4 dhe 5 nëntor 2022, Lidhja e Mjekëve Shqiptarë në Zvicër, ka organizuar Swiss Medical School. Ligjëratat për rreth 150 studentë dhe specializantë të fakultetit të mjekësisë në Prishtinë, do t`i mbajnë disa mjekë, ekspertë të fushave të ndryshme në Zvicër. 

Unë mendoj se organizimet e tilla, bashkëpunimi shkencor, bashkëpunimi në fushat klinike për trajnim të personelit shëndetësor, do të sjellin më shumë sesa kthimet individuale.