albinfo.ch
Kultura
“Doruntina”, një legjendë që komunikon me aktualitetin
Trupa e aktorëve, e përzier me amerikanë dhe shqiptarë ka arritur ta përpunojë mjaft mirë lëndën e legjendës së njohur shqiptare dhe ta bëjë atë që t`i flasë edhe të sotmes
Mbrëmë, në kuadrin e festivalit të teatrove “Secondotheaterfestival” të Cyrihut, u dha shfaqja “Doruntina”, një bashkëprodhim në mes të teatrit të Prishtinës “Oda” dhe atij “Blessed Unrest” të Nju Jorkut. Kjo shfaqje është pritur me ngrohtësi nga publiku me shumicë shqiptare, i ardhur nga pjesë të ndryshme të Zvicrës. Drejtorja e festivalit, Gjyle Julie Krasniqi shprehet për albinfo.ch e kënaqur me interesimin e madh që ka ngjallur kjo shfaqje te shqiptarët e këtushëm por edhe te zviceranët.
Institucioni i Besës ose i fjalës së dhënë, mbi të cilin është ngritur legjenda e Konstandinit dhe Doruntinës, i ka folur gjithsesi më shumë publikut shqiptar, i cili e njeh si të vetin këtë institucion. Por “Doruntina” ka qenë sigurisht edhe për publikun zviceran një ballafaqim me një realitet të panjohur dhe sfidues, për çka dhe artdashësit vendës në këtë shfaqje nuk ishin të pakët.
- Opatrny: Veçoritë e shqiptarëve dhe gjuhës shqipe, shtysë për bashkëpunim me trupën shqiptare
Trupa e aktorëve e përzier me amerikanë dhe shqiptarë ka arritur ta përpunojë mjaft mirë lëndën e legjendës së njohur shqiptare dhe ta bëjë atë që t`i flasë edhe të sotmes.
Pas shfaqjes u zhvillua një debat i drejtuar nga udhëheqësja artistike e festivalit, Barbara Ellenberger, ku merrnin pjesë drejtori i Teatrit “Oda”, Florent Mehmeti, aktorja Ilire Vinca dhe Matt Opatrny, njëri nga bashkëautorët e tekstit të “Doruntinës”. Ishte interesante sidomos ajo që sipas regjisorit amerikan e kishte motivuar teatrin “Blessed Unrest” për të hyrë në këtë bashkëprodhim. “Fakti se shqiptarët janë ndër popujt më të vjetër të botës ndërsa gjuha shqipe është ndoshta gjuha më e vjetër në botë dhe mosnjohja e këtyre fakteve në Amerikë na ka shtyrë që gjatë kërkimit për një partner në Ballkan, të përcaktohemi për këtë shfaqje dhe këtë teatër”, ka thënë veç tjerash Opatrny. Ai ka folur po ashtu edhe për bashkëpunimin shumë të mirë në mes trupave, komunikimin e shkëlqyer edhe përkundër dallimeve të mëdha në mes të kulturave dhe traditave të dy popujve etj.
- Apolloni: Një legjendë që erdhi e bukur nga aspekti dramaturgjik, regjisorial e aktoresk
Lidhur me nivelin e shfaqjes si tërësi janë shprehur në superlativ shumica e atyre që patën rastin ta shikojnë. Kështu, dramaturgu Ben Apolloni tha për albinfo.ch se pamë një realizim të realizuar shumë mirë teatror dhe i përgëzon kolegët e tij për punën e prezantuar. “Shfaqja që pamë sonte ishte një trajtim shumë i mirë i legjendës së Konstandinit dhe Doruntinës. Si nga autorët që kishin krijuar dramën e bazuar në legjendën e moçme shqiptare, ashtu dhe nga regjisorët ishte bërë punë shumë e mirë, duke e sjellë në atë mënyrë që legjenda të komunikoje edhe me aktualitetin tonë. Shfaqja theksonte rëndësinë e fjalës së dhënë por edhe atë të hapjes dhe ndërtimit të urave me popujt tjerë, me kulturat tjera, që realizohej përmes martesës së Doruntinës. Dhe mandej fokusohej më shumë në fjalën e dhënë, në Besën shqiptare dhe ky element erdhi aq bukur dhe duke i shpëtuar patetizmit në mënyrë brilante pasi që shpeshherë shfaqjet me tematikë të tillë mbyten nga patetizmi. Unë u kënaqa shumë që pata rastin ta rikujtoj edhe njëherë legjendën më të bukur shqiptare (e ndoshta edhe botërore) dhe u kënaqa që kjo legjendë erdhi bukur në skenë si nga aspekti dramaturgjik, regjisorial e ai aktoresk”, përfundon Apolloni.
Ndërsa konsulli i përgjithshëm i Kosovës në Gjenevë, Ramadan Avdiu e ka vlerësuar si akt të qëlluar sjelljen e teatrit “Oda” dhe sidomos me këtë shfaqje, në Zvicër. “Përmes kësaj ne i sjellim para publikut të këtushëm vlerat që na karakterizojnë si komb, si Besa etj. që është edhe subjekt i kësaj shfaqjeje. Por po ashtu përmes këtij bashkëpunimi teatror dëshmohet se edhe në Kosovë punohet në kulturë dhe krijohen edhe vlera të rëndësishme artistike. Fakti që shfaqja u dha pikërisht më 28 Nëntor, në ditën e Pavarësisë së Shqipërisë ishte “qershiza mbi tortë”, u shpreh në përfundim konsulli Avdiu për albinfo.ch.
- Atmosfera e 28 Nëntorit dhe shija e flisë
Në programin “Aroma e bukës” i cili zhvillohet paralelisht me shfaqjet e festivalit, kësaj here ka qenë “në rend të ditës” gatimi i flisë, këtij specialiteti të njohur nga kuzhina shqiptare. Përveç shijes mjaft të pëlqyer të kësaj gatese nga brumi, interesante kanë qenë edhe kulisat në të cilat ajo u gatua dhe u shërbye. Hapësira ku ishte improvizuar furra dhe saçi, i takon një mulliri të vjetër, në të cilin ruhen akoma mjetet arkaike të punës si guri i mullirit dhe veglat tjera. Ndërsa flija gatuhej, piqej dhe shërbehej nga gra e vajza me veshje kombëtare shqiptare, të SHKA-së “Rinia” nga Spreitenbach-u i Aargaut. Edhe të pranishmit kishin mundësinë të provonin “të qitnin fli”, duke u përfshirë për pak kohë në ekipin e “magjetoreve”.
Mbrëmja e të hënës në ambientet e teatrit “Miller`s” të Cyrihut është shndërruar spontanisht në një manifestim të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit. Aktorët dhe e gjithë trupa teatrore janë shkrirë së bashku me publikun duke e krijuar një atmosferë të hareshme, me këngë, valle dhe bashkëbisedim.
Shfaqja “Doruntina” do të jepet edhe sonte në po këtë hapësirë, me fillim në orën 19.30. Ajo është në konkurrencë për të fituar çmimin e festivalit, i cili do të jepet nga juria më 30 nëntor, në përmbyllje të festivalit. në të cilin albinfo.ch është sponsor medial.
Të tjera nga Kultura
E-Diaspora
-
Kosova, gati për turneun “Yellow Cup” në Winterthur të Zvicrës Më 4 janar prej orës 19:00 është ndeshja Zvicër – Kosovë...
-
Pritjet nëpër pika kufitare, 2 orë për të dalë në Merdarë e Muçibabë
-
FC Kosova Zürich: Stabiliteti, sukseset dhe ambiciet për të ardhmen
-
Rita Ora në New York për ndërrimin e moteve
-
Bekim Zogaj, kur “pensionimi” vjen në kulmin e karrierës
Jeta në Zvicër
-
Siguruesi zviceran Helvetia thotë se 500 vende pune janë prekur nga ulja e kostove Rreth 500 vende pune, duke përfshirë 200 deri në 250 në Zvicër, janë prekur nga masat...
-
Zvicër: 5% më pak shitje të veturave të reja
-
Ka gjithnjë e më pak vende parkimi publike në qytetet zvicerane
-
Fermerët zviceranë të shqetësuar për të ardhurat dhe barrën administrative
-
Subvencionet publike për transportin publik po rriten në të gjithë Zvicrën