Lajme

Doruntina Morina, referente në Drejtorinë e Policisë austriake

Doruntina punon si referente në Entin e veprave penale në Drejtorinë kryesore të Policisë në Austrinë e Epërme. Për albinfo.at, ajo tregon për punën e saj, për pasionin e leximit, për lidhjen me Kosovën etj.

Prindërit e saj janë nga Kosova, babai është nga qyteti i Prizrenit dhe nëna nga komuna e Klinës. Doruntina është e lindur dhe rritur në Austri. Ajo është  27-vjeçare dhe nga fëmijëria jeton bashkë me prindërit e saj në Austri. Doruntina Morina është studente në Fakultetin Juridik dhe krahas studimeve, punon si referente në Entin e veprave penale (Strafamt) në Drejtorinë kryesore të Policisë në Austrinë e Epërme (LPD Oberösterreich).

 

Albinfo.at: Si keni arritur të bëheni pjesë e policisë austriake dhe sa vite keni që punoni këtu?

Doruntina Morina: Në policinë austriake punoj prej 11 vjetësh. Që nga mosha 16-vjeçare kam filluar të mësoj profesionin si asistente administrative (Verwaltungsassistentin) në atë kohë, në Wels. Shkollimin e vazhdova në gjimnaz, por nuk me pëlqeu. Kështu që, prindërit më thanë të zgjidhja një profesion tjetër më të pëlqyeshëm. Konkurrova për vendin e punës ku punoj tani. Kishin aplikuar mbi 40 persona. Iu kemi nënshtruar një provimi, në të cilin unë dola me rezultatin më të mirë. Pas kësaj, kam pasur edhe një intervistë tjetër, në të cilën arrita me sukses të pranohem. Në punën time si referente në policinë austriake, unë intervistoj personat që kanë akuza për vepra penale dhe e caktoj lartësinë e dënimit për kryesit e këtyre veprave. Shumica e rasteve janë gjoba për ngasje të shpejtë të veturave dhe mosrespektimin e ligjeve në komunikacion, por ka raste edhe për shkeljen e ligjeve të përcaktuara nga “Landi” i Austrisë së Epërme.

 

Albinfo.at: Nga ju erdhi ideja për të konkurruar për një punë në Drejtorinë e Policisë?

 Doruntina Morina: Prej fillimit e kam ditur që kam me pasur një rrugë të gjatë. Gjithçka që kam arritur deri në ditën e sodit e kam bërë më punë. Por, të mos harroj se nuk isha këtu pa ndihmën dhe mbështetjen e prindërve të mi. Prindërit e mi janë edhe shumë të shkolluar dhe të zgjuar për çdo tematikë.

 

Albinfo.at: Ju jeni studente e Fakultetit Juridik dhe puna që bëni në Austri është mjaft e veçantë, por edhe e vështirë. Pse vendosët të studioni në Fakultetin Juridik?

Doruntina Morina: Në vitin e 2018 kam filluar me studimet në Fakultetin Juridik në Linz. Jam afër përfundimit të studimeve. Mendoj, se deri tash gjithçka që kam bërë e kam arritur me punë dhe sakrificë. Kam vendosur të studioj juridikun sepse më ndihmon në punën të cilën e bëj.

Dëshira e prindërve të mi ishte që unë të arrij diçka në jetë. Familja im u largu në vitin 1991 nga vendlindja për një ardhmëri më të mirë. Babai im ka ardhur në Austri si punëtor (Gastarbeiter) dhe pas 6 muajve ka ardhur edhe nëna ime. Prindërit e mi gjithmonë më kanë dhënë mbështetje dhe më kanë ndihmuar në çdo rast. I kam edhe dy vëllezër, njëri është duke  studiuar në Fakultetin e Shkencave Ekonomike e tjetri punon në një bankë të Austrisë.

 

Albinfo.at: Shqiptarët kanë ecur mes vështirësive për t’u integruar në jetën konkurruese të vlerave të shoqërisë e shtetit ligjor austriak. Ku janë shqiptarët përballë ligjit?

Doruntina Morina: Për mua kjo është një pyetje e vështirë, sepse unë nuk kam shumë kontakte me shqiptarë, sepse jam rritur me shoqëri austriake. Ne shqiptarët e kemi ndoshta imazhin jo aq të mirë, sidomos shqiptarët e besimit islam. Ndoshta Evropa ka paragjykime për pjesëtarët e besimit islam. Por, ato janë gabim, sepse të gjithë besimet në botë janë paqësore.

 

Albinfo.at: Sa janë të vështira studimet e juridikut?

Doruntina Morina: Për mua nuk janë edhe aq të lehta, për arsyen që  përveç angazhimeve për studime, punoj 40 orë në javë edhe përkthej për policinë dhe gjykatën në gjuhët: shqip-gjermanisht dhe gjermanisht-shqip. Ndonjëherë me thërrasin edhe pas orarit të punës për të përkthyer.

 

Albinfo.at: Asnjëherë nuk keni shkëputur lidhjet me atdheun, po edhe me komunitetin të cilit i takoni. A keni menduar për të ofruar ndihmë falas juridike shqiptarëve që jetojnë në Austri?

Doruntina Morina: Në çdo rast i kam ndihmuar bashkatdhetarët e mi, jo vetëm në polici, por edhe në çështje private. Shpeshherë më përdorin shqiptarët si një “Joker” për ndihmë juridike dhe u tregoj si ecin procedurat.

 

Albinfo.at: A ka pasur raste diskriminimi gjatë punës në polici për shkak të prejardhjes tuaj shqiptare?

Doruntina Morina: Nga kolegët nuk ka pasur asnjë rast diskriminimi. Kam pasur udhëheqës shumë të mirë dhe të gjithë më kanë përkrahur. Ata më vlerësojnë shumë edhe me japin shumë mbështetje. Unë kam qenë vajza më e re në atë pozitë në gjithë landin e Austrisë së Epërme.

Albinfo.at: A ka raste kur prejardhja juaj i ka ndihmuar të akuzuarit në punën tuaj si referente?

Doruntina Morina: Askush nuk shkon në polici për diçka të mirë. Secili ka paksa frikë nga policia, por personat mendojnë që i kuptoj më mirë, sepse nuk jam austriake. Ata mendojnë se nuk i bëj vendimet të këqija me qëllim. Janë të befasuar që jam aq e re dhe mendojnë se jam shumë korrekte.

 

Albinfo.at:  A ndiheni më shumë shqiptare apo austriake?

Doruntina Morina: (Qeshet). Unë jam 100 për qind shqiptare. E falënderoj shtetin austriak se na ka ofruar mundësitë për një jetë shumë më të mirë. Por, nënën e kam shqiptare, babën e kam shqiptar dhe vetë jam shqiptare. Nuk mund të bëhem austriake, sepse molla nuk bëhet dardhë.

 

Albinfo.at: Çfarë ndenjash keni pasur kur jeni në Kosovë dhe ku e ndjeni veten më mirë?

Doruntina Morina: Këtu më ke prekur në zemër! Sikur për çdo shqiptar, edhe për mua është shumë kënaqësi të vizitoj Kosovën, sepse është vendi ynë. Kemi një shtëpi në Prizren dhe një banesë në qytetin e Klinës, kjo për ta pasur gjithë familjen më afër. Në Austri jetoj në një shtëpi me bashkëshortin tim kurse prindërit jetojnë afër në një fshat. Shtëpia ime është Kosova, sepse për atë vend kemi vuajtur shumë. Shpeshherë kam menduar të bëj diçka në Kosovë, por bazën e kam në Austri, sepse këtu jetoj dhe veproj.

 

Albinfo.at: Çfarë pasioni keni dhe si e kaloni kohën e lirë?

Doruntina Morina: Kohën e lirë e kaloj me familje dhe shoqëri. Por, pasioni im i vetëm është literatura botërore dhe leximi i romaneve. Momentalisht jam duke lexuar romanin “Anna Karenina” nga Leo Tolstoit. Gjatë këtij viti kam lexuar shumë literaturë ruse sidomos Dostojewskin. Autorët e preferuar të mi janë: Jane Austen, Edgar Allan Poe, Virginia Woolf, Ismail Kadare dhe Louis Stevenson.

 

Albinfo.at: Cila është këshilla e juaj për të rinjtë shqiptarë në Austri?

Doruntina Morina: Nuk ka rëndësi që sa vite jetoni në Austri, por është e rëndësishme të mos ndaleni.  Shkoni në shkollë dhe mundohuni të gjeni talentin tuaj. Keni vetëbesim për të arritur synimet tuaja. Unë kam provuar në futboll, tenis, në kitarë e shumë profesione të tjera. Provoni edhe ju në shumë gjëra derisa të gjeni veten në një profesion që do t’ ju pëlqejë gjithë jetën. Unë jam person me shumë vetëbesim, jam si uji që lëviz. Ne i kemi të gjitha mundësitë dhe jemi një popull me shumë vlera. Vetëm kemi nevojë për vetëbesim. Duhet pasur parasysh: Askush nuk të dhuron asgjë falas, fatin tonë duhet ta kemi vetë në dorën tonë.

 

 

 Box

Jam 100% shqiptare

Unë jam 100 për qind shqiptare. E falënderoj shtetin austriak se na ka ofruar mundësitë për një jetë shumë më të mirë. Po, nënën e kam shqiptare, babanë e kam shqiptar, edhe vetë jam shqiptare. Nuk mund të bëhem austriake, sepse molla nuk bëhet dardhë.

 

Box 2

 Policja që ka pasion letërsinë botërore

Pasioni im i vetëm është literatura botërore dhe leximi i romaneve. Momentalisht jam duke lexuar romanin “Anna Karenina” nga Leo Tolstoit. Gjatë këtij viti kam lexuar shumë literaturë ruse, sidomos Dostojewskin. Autorët e preferuar të mi janë: Jane Austren, Edgar Allan Poe, Virginia Woolf, Ismail Kadare dhe Louis Stevenson.