Lajme

Donjeta, kampione e Evropës në boks

Kjo fitore është e para për Donjetën dhe gjithashtu e para për boksin kosovar të vajzave

Kosovarja Donjeta Sadiku e mundi në finale të Kampionatit Evropian për juniore që po mbahet në Ordu të Turqisë, ukrainasen Maria Cherednichenko dhe u stolis me medaljen e artë evropiane. Kjo fitore është e para për Donjetën dhe gjithashtu e para për boksin kosovar të vajzave.

Boksierja nga Kosova ishte dominuese ndaj kundërshtares. Gjyqtarët ia dhanë pikët unanimisht Donjeta Sadikut dhe ne këtë rast ajo i bashkohet karvanit të të artave kosovare, Majlinda Kelmendit e Nora Gjakovës.

Donjeta Sadiku në gjysmëfinale e mundi boksieren angleze Ellie Scitiney. Në rrethin e parë e kishte mposhtur rusen favorite, Dina Bogdanova, kurse në çerekfinale ishte më e mirë se bjellorusja Veranika Prakovyeva. Ndërkaq, ajo u tregua e fortë edhe në gjysmëfinale, duke e mposhtur britaniken, Scitieney.

Kosova dhe viset tjera të ish-Jugosllavisë kanë qenë gjithmonë të shquara për boks dhe xhudo. Prishtina gjatë viteve ‘80 ka qenë pesë herë kampione e ish Jugosllavisë dhe gjashtë herë nënkampione. Kjo ishte gjenerata e artë me trajnerin Lah Nimani dhe boksierët: Aziz Saliun, Xhevdet Pecin, Sami Buzollin, Fatmir Makollin, Skënder Hajdinin, Abedin Likën e shumë të tjerë.