Feja
Don Albert Demaj: Shqiptarët po i japin botës shenjtëreshën më të re
Në aspektin kombëtar, shenjtërimi Nënë Terezës ka një rëndësi tepër të madhe. Sepse në krejt këtë paqartësi dhe krizë politike që po lidhet me popullin tonë, këtyre ditëve populli ynë do të përmendet në mediat botërore si populli i shenjtëreshës më të re të Kishës Katolike - Nënë Terezës", thotë Don Albert Demaj
Një numër i madh i shqiptarëve të Zvicrës ia kanë mësyrë Vatikanit, vendit ku nesër bëhet shenjtërimi i Nënë Terezës. Në mesin e tyre, grupimi më i madh është sigurisht ai i besimtarëve katolikë, të organizuar nga misionet e këtushme katolike shqiptare. Lidhur me këtë, albinfo.ch ka kontaktuar drejtuesin e Misionit të Zvicrës Lindore, Don Albert Demaj, i cili është përgjigjur gjerësisht për rëndësinë që shenjtërimi i Nënë Terezës ka për shqiptarët në përgjithësi dhe Kishën Katolike Shqiptare, pastaj ai ka shpjeguar procedurat që ndiqen për shnejtërim dhe ka folur për shqiptarët nga Zvicra që nesër do të jenë në evenimentin e madh në Vatikan.
“Rëndësia e shenjtërimit të Nënë Terezës është e shumëfishtë. Në aspektin kishtar, sepse tani zyrtarisht më shumë se një miliard e 300 milion katolikë në botë do të fillojnë të kërkojnë ndërmjetësinë e bijës së popullit dhe kishës sonë – Nënë Terezës për nevojat e tyre. Pastaj tash e tutje anekënd botës katolike do të fillojnë të ndërtohen kisha e katedrale në emër të Nënë Terezës, siç po bëjmë ne në Kosovë. Në aspektin kombëtar, shenjtërimi Nënë Terezës ka një rëndësi tepër të madhe. Sepse në krejt këtë paqartësi dhe krizë politike që po lidhet me popullin tonë, këtyre ditëve populli ynë do të përmendet në mediat botërore si populli i shenjtëreshës më të re të Kishës Katolike – Nënë Terezës”, thotë Don Albert Demaj më tutje për albinfo.ch. Siç e dimë, ajo, pasi mori çmimin Nobel për paqe tha: “Me nënshtetësi jam indiane, por me gjak jam shqiptare, e zemra ime i përket Zemrës së Jezu Krishtit”. Kardinali hungarez me të drejtë pati thënë: “Një popull që ka dhënë një Nënë Tereze nuk mund të jetë popull i vogël”. Ndërsa presidenti amerikan Bill Klinton tha: “Nëna Terezë më bëri ta dua popullin shqiptar”.
“Po, vërtet që shenjtërimi Nënë Terezës është një pranim publik i vlerave tona fetare dhe kombëtare, sepse Bija më e madhe e Kombit dhe Kishës sonë thoshte se vlerat e bamirësisë dhe të bujarisë i ka mësuar në familjen e vet. Por, më lejoni të them edhe diçka. Krishterimi ynë shqiptar daton që nga kohët apostolike, pasi që siç e dimë, Shën Pali apostull thotë se Ungjillin e Krishtit e ka predikuar në Iliri dhe përqark. Pra, edhe pse jemi popull i vogël në Evropë, ne si të tillë, kemi hyrë në librin më të lexuar në botë, në Bibël, falë këtij pohimit të Shën Palit. Dhe Kisha Katolike është e mbushur me shenjtër e martirë të cilët pranuan të flijojnë gjithçka, por jo edhe të mohojnë Krishtin apo kombin”, vazhdon Demaj.
Më 5 nëntor të këtij viti, do të shpallen në Shkodër zyrtarisht martirë të Kishës 38 prelatë dhe laikë të Kishës Katolike në Shqipëri, në krye me poetin kombëtar Imzot Vinçenc Prennushi, Arqipeshkv i Durrësit, të cilët diktatura komuniste i turturoi dhe pushkatoi padrejtësisht. Dhe të gjithë këta njerëz para pushkatimit me trimëri thanë: Ju falim juve që po na pushkatoni dhe i falim ata që na kanë munduar nëpër burgje. “Rroftë Krishti Mbret! Rroftë Shqipëria!”
Pra, Kisha e falënderon Papën Françeskun, që pasi Shqipërinë para dy viteve e pati zgjedh si vendin e parë në Evropë për ta vizituar, tani me shenjtërimin e Nënës Terezë dhe të Martirëve, dëshmon se sa shumë e do popullin tonë.
Ndërsa lidhur me vetë procesin e shenjtërimit, Dpon Albert Demaj shprehet: “Po e marr menjëherë si shembull Nënë Terezën. Ajo dihet se ka jetuar në zë shenjtërie dhe ashtu ka vdekur. Papa Gjon Pali II, Miku i madh i shqiptarëve dhe i vet Nënës Terezë, pa kaluar 5 vite nga vdekja e saj, siç e parasheh ligji i Kishës, e pati shpallur Nënë Terezën shërbëtore të Hyjit, që është hapi parë drejt shenjtërimit. Me këtë akt, Papa, e ka thirr popullin katolik që të lut ndërmjetësinë e Nënës Terezë për nevojat e tyre shpirtërore dhe materiale. Pastaj, për tu shpallur Nëna Terezë e lume, gjë që ka ndodhur në vitin 2003, po ashtu nga Papa Gjon Pali II, nevojitet të ndodhë mrekullia, domethënë një shërim i mrekullueshëm, që mjekësia nuk mund ta shpjegojë. Një mrekulli e tillë ka ndodhur në Indi, ku një grua e re u shërua nga kanceri në stomak, me ndërmjetësinë e lutjeve të Nënë Terezës. Dhe po ashtu për t`u shpallur Nënë Tereza e shenjtë, është dashur të ndodh edhe një mrekulli. Dhe mrekullia ka ndodhur në Brazil, ku po ashtu u shërua një burrë nga një sëmundje e pashërueshme dhe vdekjeprurëse. Dhe shërimin në fjalë duhet ta vërtetojë një grup mjekësh të pavarur. Pra, të konstatojë se shërimi ka ndodhur, dhe mjekësia nuk mund të shpjegojë si ka ardhur deri tek shërimi, shpjegon ai për albinfo.ch.
Don Alberti ka folur për albinfo.ch edhe lidhur me manifestimin e nesërm dhe praninë e shqiptarëve në të. “Misionet tona në Zvicër kanë bërë organizim zyrtar për këtë ngjarje madhështore, ku sheshi i shën Pjetrit në Vatikan të dielën, do të jetë i veshur kuq e zi. Por shumë besimtarë të tjerë dhe shqiptarë në përgjithësi do të shkojnë privatisht por që do të bashkohemi në Romë. Organizim të përbashkët ka edhe nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi dhe kudo që jetojnë shqiptarët. Pika e parë e përbashkët para shenjtërimit të Nënë Terezës do të jetë të shtunën më 3 shtator 2016 në Kishën e shën Palit në Romë, ku do të paraqesim vlerat tona kombëtare me një koncert madhështor, ku janë të ftuar edhe shumë miq tanë ndërkombëtarë nga Vatikani, Italia e më gjerë. Dhe në këtë koncert do të marrin pjesë emrat tanë me renome botërore: Inva Mula, Rita Ora, Saimir Pirgu, Shkelzen Doli etj. Dhe pastaj të dielën, para dite do të jetë mesha në Sheshin e Shën Pjetrit, ku me bileta zyrtare nga Vatikani do të jenë 1200 shqiptarë, në mesin e tyre edhe ne nga Zvicra, dhe shumë të tjerë që do të shkojnë privat ne këtë ngjarje historike dhe të mrekullueshme për popullin tonë.
Në Romë do ta lusim Nënë Terezën të vazhdojë të lutet për Atdheun dhe popullin tonë fisnik dhe bujar”, përfundon prononcimin për albinfo.ch Don Albert Dema.
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
Zvicra voton për katër propozime kombëtare sot Këtë të diel po votohet për katër propozime kombëtare: Zgjerimi i autostradës: Qeveria federale dhe parlamenti...
-
Qeveria federale bën thirrje për kujdes: Rrugët janë të rrëshqitshme
-
Ndjekjet penale dhe falimentimi: Rritje e rrezikut për të vetëpunësuarit nga viti 2025
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër?
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar