Lajme

Doli numri më i ri i revistës Albinfo.at – revistë e shqiptarëve, për shqiptarët në Austri

Tema interesante për kohën nëpër të cilën po kalojmë gjatë pandemisë, intervista të shumta, reportazhe nga terreni me ndërmarrësit shqiptarë në Austri, portrete interesante të shqiptarëve të integruar mirë në shoqërinë austriake; në politikë, kulturë, sport etj. Të gjitha në një vend dhe me një emër: Albinfo.at - revistë e shqiptarëve, për shqiptarët në Austri

Situata pandemike me Covid 19 nëpër të cilën po kalon i gjithë rruzulli tokësor, e në këtë kuadër edhe vendet tona të prejardhjes, shumicën e mërgimtarëve i ka vendosur para dilemës se ku do t`i kalojnë pushimet verore. Rreziku nga infektimi me koronavirus dhe apeli i autoriteteve austriake që të mos udhëtohet për në shtetet e Ballkanit Perëndimor, kanë bërë që një pjesë e mërgimtarëve të mos realizojnë dëshirën për të vizituar vendlindjen, shtëpitë dhe familjet e tyre. Në anën tjetër, një pjesë tjetër tashme kanë ndarë mendjen dhe kanë vendosur që të marrin të gjitha përgjegjësitë mbi supet e veta dhe pushimet t’i kalojnë në vendlindje, në vendin ku trupi dhe zemra ju pushon më së miri.

Duke qenë se jemi në kohën e pandemisë, edhe albinfo.at është munduar të sjellë tema që kanë të bëjnë me kohën nëpër të cilën po kalojmë. Në numrin e ri të albinfo.at, pos tjerash mund të lexoni: Ku kanë vendosur bashkatdhetarët tanë t’i kalojnë pushimet verore?; Njohës të mirë të ekonomisë në Kosovë, flasin për revistën tonë, se si do të jetë vera në Kosovë pa mërgimtarë.

Një temë tjetër iu është kushtuar mantelbardhëve shqiptarë në Austri, atyre që çdo ditë janë në ballë për ballë me koronavirusin. Mjekët shqiptarë tregojnë përvojat e tyre me të infektuarit.

E për ata që kanë vendosur që pushimet verore t’i kalojnë në Austri, jemi munduar të sjellim para jush disa nga vendet më të bukura të këtij shteti ku së bashku me familje mund t’i shijoni disa ditë pushimi dhe relaksimi. Austria është një vend përrallor edhe për pushimet verore.

Si herën e kaluar, edhe kësaj radhe nuk do të mungojnë reportazhe nga terreni me ndërmarrësit shqiptarë në Austri, portrete interesante të shqiptarëve të integruar mirë në shoqërinë austriake; në politikë, kulturë, sport etj.

Edhe ky numër i revistës albinfo.at do të shpërndahet falas në të gjitha qytetet, vendet ku banojnë shqiptarët dhe ato që frekuentohen më së shumti nga shqiptarët në Austri.

Revistën albinfo.at mund ta gjeni në Ambasadën e Kosovës dhe të Shqipërisë, në shoqata, biznese shqiptare, institucione fetare, lokale afariste, agjenci turistike etj. Gjithashtu, një pjesë do të dërgohet edhe me anë të postës zyrtare.

Të gjitha materialet e përgatitura të revistës do të publikohen edhe në portalin shqiptar më të lexuar në diasporë, albinfo.ch dhe albinfo.at.

Të bindur se edhe ky numër i revistës do të mirëpritet nga komuniteti ynë në Austri dhe më gjerë, që do të përkrahet dhe shpërndahet ashtu si në numrin e kaluar, s’na mbetet tjetër pos të ju urojmë shëndet të mirë dhe lexim të këndshëm! Deri në numrin e ardhshëm mos harroni: Mbani maskat, distancën me njëri tjetrin dhe higjienën!