Integrimi

Doli numri i 17-të i revistës albinfo.ch

Numri më i ri, i 17-ti me radhë i revistës sonë, albinfo.ch, është në duart e lexuesve. Edhe këtë numër redaksia ia ka kushtuar një problematike konkrete rreth të cilës lidhen shumica e artikujve të përmbledhur. Kësaj here në fokus janë refugjatët, gjegjësisht rruga që të huajt kanë bërë për të ardhur në Zvicër, problemet, peripecitë dhe në fund suksesi që ata kanë arritur më vonë këtu. Këtë rrugë dhe këtë synim e pasqyron edhe motoja e vënë si titull në ballë të revistës “Refugjatët e djeshëm, helvetët e nesërm”.

Disa nga refugjatët e dikurshëm të cilët qysh tash mund të quhen edhe “helvetë të sotëm”, të intervistuar nga albinfo.ch janë: prifti eritrean Musie Zerai i njohur si “ikonë e refugjatëve”, kosovaren me gjuhë amtare turqishten, Meral Kureyshi, kandidate për çmimin më të madh letrar të Zvicrës. Këtu kemi edhe një editorial të Miranda Ademajt, ish refugjates, themeluese dhe drejtuese e fondit të investimeve “Skenderbeg”, pastaj rrëfimin interesant të Kaltrina Durmishit, po ashtu ish refugjate, e cila sot administron shuma marramendëse parash në qendrën e bankës së madhe Raiffeisenbank në Vjenë, intervistën me aktivisten e njohur shqiptare nga Zvicra, Drita Ibrahimi-Shabani, etj.

Kemi këtu edhe jetëshkrime të personaliteteve të popullarizuara shqiptare me histori refugjatësh si: Rita Ora, Granit Xhaka, Toni Dovolani, Fatmire Bajramaj, Valon Behrami etj.

Veç artikujve rreth temës bosht, migracionit, në këtë numër të revistës mund të lexohen edhe shumë materiale që pasqyrojnë jetën në diasporë, nga aspekte si kultura, sporti, integrimi etj.

Albinfo.ch, sikurse edhe deri tash, mund të gjendet në të gjitha mjediset shqiptare në Zvicër. Ndërsa ata që duan ta kenë në shtëpi, mund ta bëjnë porosinë e saj.