Zhvillim

Doganat këtë vit i sjellin buxhetit 946 milionë euro

Kjo është 55% e të hyrave të përgjithshme në buxhet gjatë këtij viti, përfshirë edhe të hyrat nga huamarrja e brendshme dhe e jashtme.

Ministri kosovar i Financave, Avdullah Hoti njofton se Dogana e Kosovës sivjet pritet të mbledhë 946 milionë euro. E kjo është 55% e të hyrave të përgjithshme në buxhet gjatë këtij viti, përfshirë edhe të hyrat nga huamarrja e brendshme dhe e jashtme.
Këtë njoftim ministri i Financave të Kosovës, Abdullah Hoti e bëri përmes një postimi në Facebook.
Më tutje Hoti thekson se zyrtarët doganorë çdo ditë po përballen me rrezikun që vjen nga kontrabanda e mallrave, rrezik që përfshinë edhe jetën e tyre. Këta zyrtarë meritojnë mirënjohjen e secilit qytetar për angazhimin e tyre në funksion të sigurimit të të hyrave dhe ruajtjes së tregut vendor.
Rrezikimi i jetës të zyrtarëve doganorë në përpjekje për të parandaluar kontrabandën, duhet të shërbejë si alarm për organet e rendit për të qenë shumë efektive në kapjen e kontrabandistëve dhe vënien e tyre para drejtësisë.
Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Financave do të ofrojë gjithë mbështetjen e nevojshme për zyrtarët doganorë për të kryer punën e tyre në mënyrë të pacenuar, thuhet në fund të postimit të ministrit Hoti.