Lajme

Dogana e Kosovës, së shpejti pjesë e doganave të botës

Rafuna: "Duke qenë pjesë e OBD automatikisht je pjesëmarrës në të gjitha konventat, të cilat për Kosovën janë parakusht për anëtarësim në Bashkimin Evropian”

Në vitin 2011 Administrata e Doganave të Kosovës pati aplikuar për anëtarësim në Organizatën Botërore të Doganave, kurse në vitin 2012 Kuvendi i Kosovës ka përmbushur obligimin ligjor duke ratifikuar Konventën për t’iu bashkuar kësaj organizate, thonë udhëheqës të Doganave të Kosovës.

Organizata e përmendur (OBD) është një organizëm i pavarur ndërqeveritar me mision rritjen e rezultateve të punës së administratave doganore në gjithë botën. E themeluar në vitin 1952, pjesë e OBD-së janë 179 vende.

Siç thotë drejtori i Doganave të Kosovës Lulzim Rafuna për Radion Evropa e Lirë, institucioni që udhëheq ai tashmë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe janë duke mbajtur kontakte të vazhdueshme me drejtorët e përgjithshëm të doganave të shteteve anëtare të Organizatës Botërore të Doganave, në mënyrë që të lehtësohet procesi i anëtarësimit edhe për Doganat e Kosovës.

Rafuna, ndërkaq, tregon edhe përfitimet e vendit nga anëtarësimi i Doganave të Kosovës në këtë mekanizëm ndërkombëtar.

“Përfitimet do të jenë shumë të mëdha që nuk maten me kosto, sepse të jesh pjesë e Organizatës Botërore të Doganave automatikisht je pjesëmarrës në të gjitha konventat, të cilat për Kosovën janë parakusht për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.

“Këto konventa janë ato që lehtësojnë qarkullimin e mallit, përfitimi i dytë është se do të jemi pjesë përbërëse e grupeve punuese ku shkëmbehen të dhënat për krimet ndërkufitare që lehtësojnë punën për luftimin e krimit”.

Edhe njohës të kësaj çështjeje konsiderojnë se mundësitë për anëtarësim në këtë mekanizëm ekzistojnë pasi kriteret e caktuara pothuajse janë të plotësuara.

Naim Huruglica, profesor në Kolegjin “Pjetër Budi” në Prishtinë, njëherësh ish-udhëheqës i Doganave të Kosovës, thotë k se përfitimet do të jenë të shumëfishta, si p.sh. në zinxhirin e furnizimit të sigurisë së tregtisë ndërkombëtare.

Huruglica shprehet se në mënyrë direkte, do të përfitojë Dogana, kurse në atë indirekte Kosova.

“Ajo që Administrata doganore e Kosovës do të përfitonte nga ky anëtarësim, është barazimi, gjegjësisht qasja në informacionet rreth zhvillimeve më të fundit që bëhen në fushën Doganave, do të bashkëpunonte më shumë me shtetet tjera që kanë nivel më të lartë ose arritshmërisë më të lartë të standardeve dhe do të përfitonte përmes shkëmbimeve të ekspertizës”, thekson Huruglica.

Sidoqoftë, drejtori i Doganave Lulzim Rafuna, shpreson se gjatë këtij viti ky institucion do të jetë anëtar i Organizatës Botërore të Doganave, për shkak se, siç thotë ai, problemet politike janë tejkaluar.

“Problemi më i madh ka qenë politik. Rusia dhe Serbia gjithmonë na kanë paraqitur probleme, por tani kemi një instrument shumë fortë ligjor në duart tona. Kemi marrëveshjen e Brukselit, të vitit 2012, ku dy kryeministrat janë pajtuar, përmes konkluzioneve që janë arritur gjatë dialogut në Bruksel, që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në anëtarësimin në organizatat rajonale apo ndërkombëtare”, shprehet Rafuna.