Zhvillim
“Do t`i kushtoj rëndësi të madhe bashkëpunimit me diasporën”
Në intervistën e saj të parë që ka dhënë pas marrjes së detyrës së ambasadores së Kosovës në Zvicër, Nazane Breca flet për albinfo.ch lidhur me vonesën e marrjes së detyrës, pastaj mbi mospërzierjen e politikave partiake në diplomacinë e Kosovës, gjendjen që ka gjetur në përfaqësinë diplomatike në Bernë dhe në konsullatat
Albinfo.ch: Ardhja juaj ka qenë paralajmëruar para më shumë se një viti, por ajo ndodhi relativisht vonë. A mund të përmendni ndonjë arsye të vonesë?
Ambasadorja Nazane Breca: Është e vërtetë. Ka më shumë se një vit që kam qenë e emëruar dhe disa procedura të emërimit tim si intervistimi në komisionin për punë të jashtme në Parlament etj. kishin përfunduar. Por ka qenë një kohë që është pritur për akreditimin që duhej ta bënte Presidentja e atëhershme, zonja Atifete Jahjaga. Kjo pritje ka zgjatur rreth një vit. Sipas ligjit për Punë të Jashtme parashihet një përpjesëtim në mes të ambasadorëve të emëruar politikë dhe atyre të karrierës. Në atë kohë, numri i ambasadorëve të propozuar si staf politik dhe i disa ambasadorëve po ashtu politikë që ende ishin duke e ushtruar detyrën e tyre jashtë ka qenë më i madh se që lejonte rregullorja. Për këtë arsye është dashur të pritet në mënyrë që të respektohen Ligji dhe Rregulloret në fuqi.
A mendoni se ka pasur një vakum në këtë drejtim në udhëheqjen e punëve në ambasadë?
Gjatë kësaj kohe, që nga dorëheqja e ish Ambasadorit Malaj e deri në ardhjen time, i ngarkuar me punë ka qenë z. Mustafë Xhemaili. Por duhet thënë se, edhe pse një i ngarkuar me punë (chargé d´affaire) e ushtron rolin e shefit të misionit, megjithatë mungesa e Ambasadorit krijon një situatë e cila mund të quhet edhe vakum në këtë kontekst. Nga ana tjetër intensiteti i punës në ambasadë e bën të pamundur që një person t`i mbulojë të gjitha obligimet. Ndërsa tash, me ardhjen time këtu ka ardhur edhe një ministre këshilltare, zonja Fatmire Musliu, ndërkohë që vazhdon të jetë këtu edhe z. Mustafë Xhemaili. Kështu, tani mund të bëhet një ndarje e detyrave dhe natyrisht do të përpiqemi të gjithë bashkërisht ta mbulojmë vëllimin e punëve në ambasadë.
Une mund të them se këtu e kam gjetur një gjendje të mirë. Ka qenë një staf që ka punuar me mjaft përkushtim. Tash po i vizitoj për herë të dytë konsullatat dhe besoj se me një koordinim të mirë mundemi t`i çojmë punët përpara dhe të kemi një performancë të mirë. Kam vërejtur se kemi shumë punë për të bërë dhe ne do të japim maksimumin. Pastaj duhet theksuar se kemi një diasporë shumë të madhe, rreth 200 mijë veta. Ka shumë nga ata që kanë kërkesa e ndonjëherë edhe ankesa të ndryshme. Ne do përpiqemi të jemi gjithmonë në shërbim të tyre.
Çfarë takimesh keni pasur me autoritetet e vendit mikpritës dhe si jeni pritur?
Nga autoritetet e këtushme kam pasur një pritje shumë të përzemërt, duke filluar që nga pritja në aeroport. Fillimisht, më 22 korrik kam dorëzuar kopjet e kredencialeve në Ministrinë Punëve të Jashtme të Zvicrës, siç e kërkon rendi. Sigurisht më kanë informuar për specifikat e funksionimit të sistemit politik të Zvicrës etj. Më 1 shtator ia kam dorëzuar kredencialet zyrtarisht Presidentit të Konfederatës së Zvicrës z. Johann N.Schneider-Ammann dhe prej atëherë i kam të gjitha të drejtat e Ambasadorit Fuqiplotë të Republikës së Kosovës në Zvicër.
Ndër punët e para pas ardhjes këtu ka qenë takimi me Ambasadorin e Shqipërisë dhe me të Ngarkuarin me Punë në Ambasadën e Republikës së Maqedonisë. Ata kanë pasur bashkëpunim të ngushtë me ish ambasadorin e Kosovës. Edhe mua më kanë pritur me shumë dashamirësi dhe kam marrë zotime se një bashkëpunim i tillë do të vazhdojë edhe në të ardhmen, gjegjësisht do ta kem mbështetjen e tyre.
Po me ish ambasadorin, Naim Malaj a keni zhvilluar ndonjë takim?
Me ish ambasadorin ende nuk jam takuar pasi që ai nuk jeton në Bernë dhe unë jam këtu tash një kohë të shkurtë. Sigurisht mund të takohem edhe me të, sepse nga ai mund të marr informata që më nevojiten në punë, pasi që ai ka një eksperiencë rreth 6 vjeçare në Bernë dhe rrjet të gjerë bashkëpunëtorësh dhe miqsh.
Nga ambasadorja e re është normale të pritet edhe qasje e re në raport me punën e përfaqësimit të vendit në Zvicër. Çka mund të thuhet se do të ketë të re në strategjinë e punës suaj? A i keni evidentuar pikat ose çështjet që kërkojnë qasje tjetërfare apo ku ju do të fokusoheshit më shumë se paraardhësi juaj?
Fokusimi do të jetë kryesisht në mirëmbajtjen e raporteve që ka shteti i Kosovës me shtetin e Zvicrës. Do të punoj që këto raporte t`i forcoj dhe thelloj edhe më tepër. Një rëndësi e madhe do t`i kushtohet aranzhimit të takimeve të nivelit më të lartë Zvicër-Kosovë. Mendoj se janë të domosdoshme takimet e tilla në mes të krerëve të qeverive ku do të bisedohej për çështjet që janë identifikuar si më të ndjeshme në mes të dy shteteve tona. Bashkëpunimi ekonomik dhe kulturor do të luajë një rol të veçantë në marrëdhëniet mes dy shteteve. Do t`i kushtoj gjithsesi rëndësi të madhe bashkëpunimit me diasporën. Siç dihet, diaspora për ne në Kosovë ka pasur gjithmonë rëndësi të madhe dhe shteti ynë i ka të identifikuara disa nevoja dhe kërkesa në vend, të cilat me ndihmën e diasporës mund t`i zbusim. Këtu hyn sidomos nevoja për investime të mëdha në Kosovë, për zhvillimin ekonomik të vendit. Dhe këtë mund ta bëjmë më së miri në bashkëpunim me diasporën. Së bashku me diasporën besoj që mund të ndikojmë shumë pozitivisht edhe në përmirësimin e imazhit të vendit tonë jashtë.
Ka pasur fjalë se në tri konsullatat e këtushme të Kosovës është bërë një grumbullim i diplomatëve me titullin e konsullit (afërsisht nga 2 në secilën konsullatë). A është kjo brenda parametrave normale të funksionimit të përfaqësive konsullore apo kemi të bëjmë me një anomali? Nëse është kjo e dyta, a keni ndërmend të veproni në këtë drejtim?
Unë nuk kam informata konkrete rreth kësaj që thoni. Konsujt janë vazhdimisht në lëvizje, zëvendësohen nga njëri tjetri. Unë nuk shoh se ka ndonjë dyfishim stafi gjegjësisht konsujsh, nëse pyetja Juaj aludon në Konsull si shef Misioni. Në Konsullata përveç Konsullit që është edhe drejtues i Konsullatës, mund të akreditohen edhe Konsuj tjerë të cilët do të kryejnë punë të veçanta. Pra normalisht që një konsull këtu nuk mund t`i realizojë i vetëm detyrimet që shtrohen. Prandaj në një konsullatë mund të ketë më shumë se një konsull, të cilët pastaj e ndajnë punën sipas një hierarkie të përcaktuar me ligj. Kështu edhe në ambasadë i kemi tash dy ministra këshilltarë pasi që ka punë për të dytë. Vëllimi i punëve që kanë sidomos konsullatat, është aq i madh sa që dhe ky numër i stafit që është, është i vogël. Kemi nevojë edhe për më shumë staf. Kjo ka të bëjë sidomos me Cyrihun ku kemi një përqendrim më të madh të diasporës tonë. Pra emërimet e konsujve nuk paraqesin asnjë anomali.
Përfaqësimi diplomatik i Kosovës në Zvicër ka edhe një specifikë: Këtu jeton diaspora më e madhe e Kosovës në raport me popullatën e vendit. Për këtë arsye është e pritshme që një pjesë të punës tuaj ta zë angazhimi me këtë diasporë. A keni vendosur lidhjet me përfaqësues të saj në Zvicër? Cilat janë këto kontakte?
Pasi kam ardhur kam filluar kontaktet me shoqatat. Pak kohë më parë kam vizituar komunitetin katolik në Lucern, ku kam pasur një takim me përfaqësuesit e tij. Dhe ky takim është një ndërlidhje me aktivitetin që do ta organizojmë më 21 shtator kushtuar shenjtërimit të Nënë Terezës, që për ne shqiptarët është ngjarje me shumë rëndësi. Ky do të jetë rast i mirë që të njihem dhe prezantohem me ambasadorë të vendeve tjera pasi që do të ketë të ftuar të shumtë nga kori diplomatik të akredituar në Bernë dhe nga nivelet më të larta të shtetit të Zvicrës, pastaj përfaqësues të bizneseve e të shoqatave shqiptare etj. Po ashtu shumë shpejt do ta takoj edhe komunitetin mysliman dhe me përfaqësuesit e tij do të organizojmë ndonjë takim ose drekë pune. Do të kem së shpejti edhe një takim me komunitetin e biznesit shqiptar në Zvicër. Ndërkohë kemi dhe do të kemi edhe takime dhe bashkëbisedime me komunitetin e kulturës, sikur fjala vjen sot kemi pasur takim me drejtoreshën e Qendrës Kulturore të Kosovës në Cyrih, Shukrije Ramadanin etj.
Në këtë vazhdë mund të kuptohet edhe takimi me ju, si platformë, albinfo.ch. Qysh në fillim, pas ardhjes këtu, kam dëgjuar për albinfo.ch., i kam parë numrat e revistës suaj dhe e kam vlerësuar si platformë interesante, prandaj shfrytëzoj nga rasti që përmes jush t`i përshëndes të gjithë bashkatdhetarët në Zvicër dhe t`i ftoj për një bashkëpunim të mirëfilltë në të mirën tonë të përbashkët.
A keni pasur ndonjë lidhje me Zvicrën para se të vinit? Ndonjë eksperiencë a njohje nga afër?
Nuk kam pasur ndonjë lidhje, qoftë familjare ose tjetër të afërt. Ndërsa në Zvicër, në Gjenevë, kam qenë disa herë si përfaqësuese e Komisionit për shëndetësi të Parlamentit të Kosovës, derisa isha deputete aty, në periudhën 2011-2014.
Ju personalisht merreni me përfaqësimin diplomatik të Kosovës në Zvicër. Por ndoshta keni ndonjë ide edhe për problemet me të cilat përballet diaspora kosovare këtu. Cilat janë sipas jush problemet?
Deri diku kam arritur t`i njoh problemet e kësaj diaspore por unë i preferoj kontaktet e drejtpërdrejta për të mësuar më shumë dhe më për së afërmi rreth asaj që i preokupon njerëzit tanë këtu dhe që mund t` i ndihmoj. Lidhja do të jetë reciproke pasi që edhe unë pres ndihmë dhe bashkëpunim nga ata.
Ndërsa në Zvicër veprojnë dy konsullata, në Cyrih e Gjenevë, përkatësisht edhe një shërbim konsullor që vepron në kuadrin e Ambasadës së Kosovës. Problemet e zakonshme me të cilat ato merren janë ato për sigurimin e dokumenteve etj. Por kemi shpesh edhe angazhime rreth të burgosurve kosovarë këtu, të cilët përpiqemi t`i ndihmojmë në procedurat që ata kalojnë dhe sigurisht, komunikojmë edhe me shtetin e Zvicrës. Shpresojmë që së shpejti do të kemi edhe shumë marrëveshje bilaterale me Zvicrën të cilat drejtpërdrejt lehtësojnë jetën e diasporës tonë.
Në diplomaci keni ardhur nga LDK-ja. Këtu në Zvicër është një degë e kësaj partie ashtu si dhe degë të disa partive tjera. A keni pasur ose do të keni takime me degën në fjalë apo edhe degët e partive tjera?
Jam e informuar se këtu vepron një degë e LDK-së. Mirëpo unë në Zvicër nuk kam ardhur si përfaqësuese e LDK-së por e shtetit të Kosovës. Natyrisht nëse ata ose edhe partitë tjera sikurse të gjitha grupimet e diasporës shprehin dëshirë për tu takuar me mua, unë do të jem në dispozicion.
Ka gjashtë vite që Zvicra e ka anuluar marrëveshjen për sigurime sociale në raport me Kosovën. Sa keni njohur rreth kësaj dhe çfarë mund të premtoni për të bërë në drejtim të rivendosjes së kësaj marrëveshje?
Sa e di unë janë duke u zhvilluar bisedime në mes të dy vendeve për të tejkaluar këtë problem dhe siç e ceka më lart, shpresoj që marrëveshjet me Zvicrën të shkojnë duke u shtuar. Unë, para se të vija këtu kam, qenë në Ministrinë e Punës ku i kam marrë informatat e nevojshme dhe kjo ka qenë njëra nga detyrat që e kam listuar ndër prioritetet e mia. Kam biseduar edhe me ambasadoren e Zvicrës në Kosovë dhe e kam iniciuar si një problem që edhe ajo të ushtrojë ndikimin e saj për zgjidhjen e tij. Ndërsa nga Ministria e Punës në Kosovë, vetë ministri Abrashi më ka njoftuar se probleme të kësaj natyre Kosova ka jo vetëm me Zvicrën por edhe me disa shtete tjera të perëndimit ku ka pasur punëtorë kosovarë. Kështu që, me ato shtete do të ketë një zgjidhje të përbashkët “në paket”. Unë do ta bëj punën time në këtë drejtim por gjithmonë duke u koordinuar me ministrinë përgjegjëse, në këtë rast me ministrinë e punës dhe çështjeve sociale, që të mos ketë çkoordinim të angazhimeve.
Ju si ambasadore vini nga LDK-ja, parti kjo që ka edhe kryeministrin. Nga ana tjetër, “shefi” direkt i juaj vjen nga partneri tjetër i koalicionit, PDK-ja. A keni bashkëpunim dhe koordinim të mirë në këtë drejtim?
Asnjëherë nuk ka pasur asnjë fërkim ose moskuptim nga ky aspekt. Nuk ka dallime partiake në punën që bëjmë në përfaqësimin e vendit. Në Ministrinë e Punëve të Jashtme e kemi një koordinim shumë të mirë dhe të gjithë duhet ta respektojmë hierarkinë, nëse duam të ecim me tutje. Sepse partitë kanë punët mes tyre brenda vendit ndërsa sapo të dalim jashtë vendit, ne nuk përfaqësojmë partitë por shtetin.
Ka pasur ankesa se stafi vendor në ambasadë dhe në konsullata, merr paga shumë të ulëta në raport me çmimet në Zvicër
E gjithë kjo është në kuadër të ligjit, pagat janë ashtu siç e parasheh ligji. Kështu që edhe ata që kandidojnë si staf vendor, i kanë paraprakisht informacionet lidhur me pagën dhe benefitet tjera, sigurimet shëndetësore që u takojnë etj. Kaq janë mundësitë e Kosovës. Por, e pranoj se anomalia është se stafi diplomatik i Kosovës ende i ka pagat e njëjta kudo që punon, pavarësisht nga ajo se çfarë kostoje të jetës ka për shembull në Zvicër apo në Shqipëri a Maqedoni, kur dihet se ka dallime të mëdha në koston e jetës në vende të ndryshme. Tani është duke u punuar që në ligjin e ri të bëhet një klasifikim në këtë drejtim. Pra të jepet një pagë bazë dhe mbi atë pagë të shtohet shuma sipas kostos në vendin përkatës. Besoj që kjo pastaj do të ndikojë pozitivisht në buxhet në përgjithësi dhe gjërat do shkojnë duke u rregulluar.
Në cilën gjuhë do të komunikoni në Zvicër?
Tash për tash vetëm në gjuhën angleze. Më vjen keq që nuk e zotëroj gjuhën gjermane e cila flitet më së shumti këtu. Po mundohem ta mësoj gjermanishten edhe pse, duhet të pranoj, më vjen shumë vështirë. Bile kur isha për dorëzimin e kredencialeve, ia thashë presidentit vetëm një fjali në gjuhën gjermane dhe ai fillimisht u gëzua shumë që unë po e flisja gjuhën e vendit. Por shumë shpejt mu desh ta zhgënjeja, duke i treguar se jam vetëm në hapat e parë të mësimit të gjermanishtes.
Edhe pse në Zvicër është një mozaik gjuhësh me të cilat njeriu komunikon pa problem, megjithatë do të kisha shumë dëshirë të zotëroja gjuhën gjermane.
Ambasadori i mëparshëm ka iniciuar dhe realizuar disa projekte që kishin të bënin me diasporën tonë të këtushme. Këtu hyn edhe zgjedhja e mërgimtarit të vitit, ku janë zgjedhur futbollistë si Shaqiri apo artistë si Elina Duni ose edhe miq zviceranë si Micheline Calmy Rey apo Ueli Leuenberger etj. A mendoni t`i vazhdoni projektet e tilla dhe të ngjashme?
Ne do të përpiqemi që t`i vazhdojmë ato projekte që janë zhvilluar më parë dhe kanë rezultuar si të frytshme. Jam e vetëdijshme se një sportist ose artist i yni në Zvicër mund të jetë ambasador shumë më i mirë në përfaqësimin e vlerave të vendit se sa unë ose ambasadorët tjerë zyrtarë. Shteti i Kosovës u është shumë mirënjohës të gjithë këtyre vajzave dhe djemve që në botë po përhapin imazhin e vërtetë tonin. Prandaj do të vazhdojmë t` promovojmë dhe nxisim këta sepse meritojnë një vëmendje të veçantë. Sigurisht, do të shikojmë edhe mundësitë buxhetore. Por jemi ende në fillim dhe do të kem edhe takime të drejtpërdrejta me personalitete të artit e të sportit që veprojnë këtu dhe të punojmë që të vlerësohet puna e kontributi i tyre.
E angazhuar për arritjen e Marrëveshjes për pensionet
Unë, para se të vija këtu kam, qenë në Ministrinë e Punës ku i kam marrë informatat e nevojshme dhe kjo ka qenë njëra nga detyrat që e kam listuar ndër prioritetet e mia. Kam biseduar edhe me ambasadoren e Zvicrës në Kosovë dhe e kam iniciuar si një problem që edhe ajo të ushtrojë ndikimin e saj për zgjidhjen e tij. Ndërsa nga Ministria e Punës në Kosovë, vetë ministri Abrashi më ka njoftuar se probleme të kësaj natyre Kosova ka jo vetëm me Zvicrën por edhe me disa shtete tjera të perëndimit ku ka pasur punëtorë kosovarë. Kështu që, me ato shtete do të ketë një zgjidhje të përbashkët “në paket”.
Të ngjashme
Të tjera nga Zhvillim
E-Diaspora
-
Florian Haçkaj: Një jetë përtej kufijve dhe një mision për Shqipërinë Suksesi më i madh i Lëvizjes që drejton Florian Haçkaj ishte fitorja në Gjykatën Kushtetuese të...
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit
-
43 orë në bllokim trafiku për të arritur në Kosovë nga Zvicra
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
Jeta në Zvicër
-
84 franga në ditë, ku shkojnë paratë që paguani për biletën e skive? Mes Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, zviceranët shkojnë në pistat e skive. Por ku shkojnë paratë...
-
Reshjet e fundit të borës nxisin fluksin turistik, por bëjnë presion mbi industrinë e hoteleve dhe restoranteve
-
Radha e trafikut arrin 10 km në tunelin Gotthard në udhëtimet pas Krishtlindjeve
-
Tarifa e urgjencës prej 50 frangash vazhdon të shkaktojë polemika
-
Posta në Zvicër: Rekord i dërgimit të pakove për Krishtlindje