Lajme

Diversiteti fetar në Kosovë, mund të bëhet udhërrëfim për botën

Nobelistja jemenase, Tawakkol Karman vlerëson lartë shtetndërtimin e Kosovës. Ajo tha se kultura fetare që mbizotëron tek qytetarët e Kosovës “mund t’i shërbejë botës si udhërrëfim”

Nobelistja e njohur nga Jemeni, gazetarja Tawakkol Karman iu ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës, që t’i ruajnë vlerat kulturore dhe diversitetin fetar, i cili “mund t’i shërbejë botës si udhërrëfim”. Ajo ka vlerësuar lartë kulturën fetare që mbizotëron tek qytetarët e Kosovës.

Këto komente nobelistja jemenase, Karman i bëri në një ligjëratë mbajtur para studentëve të Fakultetit Filozofik të Universitetit “Hasan Prishtina”. Ajo po merr pjesë në punimet e konferencës ndërkombëtare ndërfetare të edicionit të pestë Interfaith Kosovo, ku po diskutohet për rolin e gruas në luftimin e ekstremizmit.

Në ligjëratën me temë “Paqja dhe nevoja për luftimin e terrorizmit në Lindjen e Mesme”, Karman ka folur për sfidat e shtetndërtimit të Kosovës dhe perspektivën e saj. Ajo ka vlerësuar pozitivisht përparimet e bëra në Kosovë që nga pas lufta, duke përmendur sistemin demokratik të krijuar në shtetin e ri.

“Nuk është lehtë të dalësh nga lufta dhe të ndërtosh shtet. Para jush keni detyra të mëdha e të rëndësishme. Kosova me gjithë diversitetin që ka shpreson dhe vepron për t’u integruar në BE. Dhe kjo është një çështje madhore. Shpresoj dhe besoj se ju këtë do ta realizoni shpejt”, deklaroi ajo.

Në përmbyllje të ligjëratës, nobelistja Karman ka theksuar se studentët e Kosovës do të jenë e ardhmja e Evropës.

Karman është bashkëfituese e çmimit Nobel për paqe në vitin 2011, duke u bërë personi i parë nga Jemeni dhe gruaja e parë arabe që fiton këtë çmim. Ajo është gazetare nga Jemeni, politikane dhe aktiviste e të drejtave të njeriut. Ndërkohë që udhëheqë grupin “Women Journalists Without Chains”.

Në konferencën e pestë ndërkombëtare ndërfetare që filloi punimet dje në Prishtinë, ku në mesin e mbi 300 pjesëmarrësve është edhe nobelistja tjetër e paqes, Shirin Ebadi nga Irani.

Nobelistja Karman gjatë fjalimit që ka mbajtur para të pranishmëve në konferencë, ka thënë se ka shumë mendime pse është duke u rritur ekstremizmi.

“Pse po rritet ekstremizmi. Ka shumë mendime. Disa mendojnë se institucionet religjioze kanë faj. Disa mendojnë se gjithçka është false. Njerëzit të cilët nuk janë të lirë të shprehin lirë mendimin e tyre janë më të predispospozuar ndaj dhunës. Nëse nuk dum të kemi dhunë të ndryshme duhet të garantojmë liritë dhe të drejtat e njeriut”, ka thënë Karman.

Në konferencën e sotme ndërfetare ka folur edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili tha se Kosova ka qenë historikisht rajon i diversitetit etnik, i diversitetit fetar dhe shoqëror dhe se Kosova është një shtet i ri, por me një kulturë të vjetër.

”Këtu është shpërndarë islami para mbi 600 vjetësh, fillimisht nëpërmjet mistikëve sufi, e më vonë edhe nëpërmjet Perandorisë Osmane që sundoi gjatë në këto treva. Këtu ne kemi po ashtu bashkësi të vogla si protestantë, hebrenjë, bektashinjë dhe tarikate tjera. Prandaj të gjithë e përbëjnë një mozaik të pasur të besimeve dhe mozaik etnik në Kosovë”, tha kryeministri.