Kosova
“Ditët e Agimit 2022”, në nderim të heroit dhe artistit Agim Ramadani
Në Zhegër/Gjilan përfundoi manifestimi tradicional “Ditët e Agimit 2022”, në kuadër të të cilit u zhvilluan një sërë aktivitetesh kulturore e sportive
Pas dy vjet pauze, për shkak të pandemisë, sivjet u organizua manifestimi i radhës “Ditët e Agimit 2022”. Manifestimi qendror u mbajt në Zhegër, ndërkaq aktivitete shoqëruese pati edhe në Gjilan, Obiliq e gjetiu.
Më 30 prill u organizua një turne i bilardos “Snooker”, kurse më një maj, në poligonin e shenjëtarisë “Katana” u mbajtën gara në gjuajtje me pistoletë.
Po ashtu më një maj, në kuadër të këtij manifestimi, u organizua turneu memorial në futboll të vogël me moton “Edhe me sport e kujtojmë Agimin”. Ndërkaq në mbrëmjen e kësaj dite, në shenjë kujtimi të 114 dëshmorëve të rënë në Koshare gjatë luftës së vitit 1999, u organizua bartja e flakadanëve nga varri i patriotit Idriz Seferi e deri te sheshi Agim Ramadani, në qendër të fshatit Zhegër.
Dita më e ngjeshur me manifestime ishte 3 maji. Fillimisht u festua dita e shkollës – SHFMU “Agim Ramadani” në Zhegër, me ç’ rast nxënësit e kësaj shkolle dhanë një program kulturor-artistik.
Nga ora 12 pasoi aktiviteti letrar “Muza e Agimit” ku morën pjesë 24 poetë nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia e Veriut. Në emër të nikoqirit, mirëseardhje poetëve u dëshiroi shkrimtari nga Zhegra, Ibrahim Kadriu.
Poezitë e tyre iu nënshtruan një vlerësimi profesional nga juria e përbërë prej Anton Nokë Berishës, Emin Azemit dhe Sinan Sadikut, të cilët vlerësuan për poezinë më të mirë atë të poetit Agim Gjakova me titull “ Para portretit të dëshmorit”.
Agim Gjakova
Për poetët pjesëmarrës shtroi drekë pronari i restorantit “Anesa” në Zhegër.
Para se të fillonte tubimi qendror “I këndojmë Agimit”, pati edhe dy aktivitete: organizimi i lojës së enigmatëve “Ndre Mjeda” nga Gjilani në udhëheqje të themeluesit të enigmatikës në Gjilan dr. Zijadin Hasani dhe “Vrapimi i lirisë” në një gjatësi prej 900 metrash – nga varri i Idriz Seferit deri te çezma e Agimit.
Në orën 16 qindra mysafirë nga të gjitha trevat shqiptare u argëtuan me repertorin e këngëtarëve të estradës dhe ansambleve.
Nga ky tubim, të pranishmit i përshëndeti kryetari i Komunës së Gjilanit, z. Alban Hyseni, duke i falënderuar të gjithë ata që kontribuuan për çlirimin e vendit, si dhe organizatorët dhe pjesëmarrësit e këtij tubimi, pa i harruar edhe komandantët dhe ushtarët e luftës së Kosharës, pjesë e së cilës ishte edhe vetë Agim Ramadani. Tubimin e përshëndeti edhe bashkëluftëtari e miku i ngushtë i Agimit, z. Xhafer Gashi, kurse të pranishëm ishin edhe Anton Quni, Rrustem Berisha, Musa Gjakova e bashkëluftëtarë të tjerë.
Emocione dhe krenari nga ky tubim solli bashkëshortja e Agim Ramadanit – zonja Shukrije Ramadani, e cila veç tjerash, sikurse edhe në festën e shkollës, nënvizoi: “Vitet po ikin, më shpejt se akrepat e orës, dhembja njëjtë dhemb, çuditërisht! U bënë 24 ditëlindje që nuk i festuam bashkë, e çdo vit t’i sjell lulet nga kopshti dhe askush s’i ndjeu hapat tuaj kaq gjatë e as hijen tënde s’e pa këtej pari! Lulet më veniten në dorë, bashkë me buzëqeshjen time të vrarë e sytë e hareshëm të nxënësve, më japin jetë, dashuri e shpresë! Zërat e zhurmshëm më tregojnë se liria nuk është ndryshe, por si buzëqeshja e këtyre fëmijëve që sot festojnë ditën e shkollës me emrin tënd dhe bashkëfestojmë edhe në këtë tubim përkujtimor për veprën tënde heroike! Hareja e tyre më bëhet ylber që lidh kohët e shekujt në kërkim lirie! Sa ngjyra të bukura ka buzëqeshja e këtyre fëmijëve Agimi jem, sa shpresa e dashuri rriten mbi gjakun tënd e të mijëra trimave si ti. Gëzuar ditëlindjen heroi im!
Më pas këngëtarët e estradës si: Edona Llalloshi, Yllka Dema, Albina Kelmendi, Ramë Isufi, Lorika Sylejmani, Naser Zeqiri, Mahmut Ferati, Ismet Behxheti, Faton Isufi e të tjerë, rreth 90 minuta, argëtuan qindra pjesëmarrës të këtij manifestimi.
Programi vazhdoi edhe në mbrëmje, me hapjen e ekspozitës “Post mortem” të heroit Agim Ramadani që u mbajt në galerinë e qytetit të Gjilanit. 138 eksponatet e kësaj ekspozite ishin simbolika e numrit të Brigadës 138 – Agim Ramadani, ndërsa krijimtaria e Agimit është edhe më e gjerë. Në eksponate ishin të përfshira: piktura, vizatime, skica, portrete, peizazhe, grafite etj.
Për vlerën e ekspozitës dhe për punën artistike të Agim Ramadanit foli kryetari i Komunës së Gjilanit, z. Alban Hyseni si dhe bashkëluftëtari i Agimit, z. Musa Gjakova.
Me këtë rast familjes Ramadani iu dorëzua plaketa e Akademisë Evropiane të Arteve në Paris, ku Agim Ramadani nderohet me titullin “Doctor Honoris Causa”.
Teksti dhe fotot: Xhevdet Kallaba
E-Diaspora
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit Valdete Hoti dhe Shoqata “Parandalo”, të cilën ajo e drejton, dëshmojnë se edhe një iniciativë e...
-
43 orë në bllokim trafiku për të arritur në Kosovë nga Zvicra
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch
Jeta në Zvicër
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit Valdete Hoti dhe Shoqata “Parandalo”, të cilën ajo e drejton, dëshmojnë se edhe një iniciativë e...
-
Gjeneva aktivizon planin e saj të akomodimit emergjent
-
Reshjet e fundit të borës nxisin fluksin turistik në Zvicër
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch