E-Diaspora

Dita e parë e shkollës “Gjuha jonë” në Filadelfia

Brenda shkollës dalloheshin qartë portretet e heronjve shqiptarë të penës dhe të dijes, Heroit Kombëtar, Skënderbeu dhe themeluesit të shtetit, Ismail Qemali

Njeriu mban mend ditën e parë të shkollës si një nga kujtimet më të veçanta dhe më mbresëlënëse. Edhe data 8 shtator 2019 do të mbetet e paharruar për të gjithë nxënësit që filluan vitin shkollor 2019 -2020, në shkollën shqipe të Filadelfia.

Një atmosfere festive dukej që nga larg. Tollumbace shumëngjyrëshe dhe banderola “Mirë se erdhët të dashur nxënës” bënte që të gjithë prindërit e nxënësit të ndiheshin të mirëpritur në mjediset e shkollës sonë. Brenda shkollës dalloheshin qartë portretet e heronjve shqiptarë të penës dhe të dijes, Heroit Kombëtar, Skënderbeu dhe themeluesit të shtetit, Ismail Qemali.

Nxënësit që kishin studiuar në vitet e mëparshme u takuan me shokët e tyre dhe me mësuesit. Ndërsa nxënësit e klasave te para, te emocionuar e të ndrojtur qëndronin në krah të prindërve të tyre me padurimin për të nisur mësimin.
Zoti Llazar Vero në fjalën përshëndetëse uroi të gjithë prindërit, nxënësit dhe mësuesit mirëseardhjen. Ai i kushtoi një rëndësi të madhe domosdoshmerisë për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe në familje, në vazhdim të shkollës, si një nga mënyrat më të efektëshme për t’u trashëguar në brezat e femijëve shqiptaro-amerikan. Si një shenjë falenderimi dhe respekti për mësuesit e shkollës “Gjuha jonë”, zoti Llazar u dhuroi buqeta me lule mësuesve.

Znj Rudina Bani, fjalën e saj përshëndetëse e nisi me një urim të veçantë për nxënësit e klasave të para dhe i inkurajoi ata duke u treguar ndihmën, profesionalizmin dhe devotshmërinë e mësuesve të shkollës. Ajo falenderoi të gjithë mësuesit, të cilët me përkushtim dhe vullnet arrijnë t’u mesojnë të shkruarin dhe të folurin drejt e qartë të gjuhës së Naimit, gjuhës së nënës, gjuhës së gjyshërve dhe historinë e të parëve. Gjithashtu, në emër te Këshillit Drejtues të Shoqatës “Bijtë e Shqipes” ajo falenderoi prindërit për mbështetjen dhe financimin që kanë bërë në vite dhe vazhdojnë të bëjnë për fëmijët e tyre dhe i uroi ata një vit të mbarë dhe bashkëpunim sa më të ngushtë me shkollën.

Zoti Vlashi Fili, sekretar i shoqatës, i uroi suksese dhe bëri të njohura rregullat e shkollës, paraqitjen , orarin dhe kërkesat e tjera të domosdoshme për mbarëvajtjen e këtij viti shkollor. Ai gjithashtu u bëri të njohur sigurimin e teksteve shkollore dhe mjeteve të tjera ndihmëse për procesin mësimor nga ana e shoqatës.

Tepër emocionuese ishte këndimi i Himnit Kombëtar nga të gjithë: prindër, mësues dhe nxënës si tradita e çdo të diele, para nisjes së mësimit nga nxënësit e shkollës sonë. Pas kësaj nxënësit u shpërndanë në klasat përkatëse duke nisur rrugëtimin e gjatë e fisnik, atë të mësimit të gjuhës sonë kombëtare.

Në gjuhë te huaj shkruaj dhe flas, por kur më dhemb shpirti, shqip bërtas.
Rudina Bani
N/kryetare e dytë e Këshillit Drejtues, njëkohësisht mësuese në Shkollën Shqipe “Gjuha Jonë”