Kosova

Diskutohet ndërlidhja e investimeve mes bizneseve të diasporës në Zvicër e Kosovë

Ndërlidhja dhe investimet e përbashkëta mes bizneseve të diasporës në Zvicër dhe atyre në Kosovë, investimet e reja dhe rritja e bashkëpunimit për mbështetjen e bizneseve në Kosovë ishin temat kyç të takimit që zëvendësministrja e MPJD-së, Liza Gashi, pati me përfaqësuesit e Odës Ekonomike Zvicër-Kosovë, të cilët po qëndrojnë për vizitë zyrtare në Kosovë.

Zëvendësministrja Gashi shpalosi para delegacionit mundësitë që ofron Republika e Kosovës për investime dhe angazhimin e MPJD-së për t’i krijuar dhe për t’i fuqizuar urat e bashkëpunimit mes bizneseve nga Kosova dhe atyre nga diaspora.

Më tej, zëvendësministrja Gashi theksoi se Ambasada e Republikës së Kosovës në Zvicër, në vazhdimësi, angazhohet për ndërlidhjen e bizneseve nga diaspora me ato nga Kosova, me qëllim të rritjes së investimeve në Kosovë, por edhe të shkëmbimit të përvojave dhe praktikave më të reja biznesore.

Nga ana tjetër, zëvendëskryetari i Odës Ekonomike Zvicër-Kosovë, Butrint Ajredini, pasi falënderoi Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për ofrimin e bashkëpunimit, vuri në pah misionin e Odës që përmes projekteve konkrete t’i fuqizojë lidhjet me Kosovën, t’i rritë investimet dhe, po ashtu, t’i fuqizojë bizneset e Kosovës në tregun ndërkombëtar.