Integrimi

Diskriminimi: Një pikëpamje e rinisë*

Prindërit: Para se të akuzojmë të tjerët, duhet të akuzojmë vetveten

Rinia shqiptare mund të arrijë suksese në studime, si krejt fëmijët që jetojnë në Zvicër. Ndoshta nuk mund t’ ju flasim për diskriminimet që iu ndodhin juve, gjeneratës së parë. Por, mundemi, me eksperiencën tonë, t’ ju sigurojmë që shteti zviceran iu jep të rinjve  mundësi të shumta për të arritur sukses në studime.

Së pari, shoqata jonë është një shembull shumë i mirë. Jemi afër 100 studente e studentë shqiptarë vetëm në Universitetin e Lozanës (që vijnë prej shumë kantoneve zvicerane). Këtu nuk i llogarisim studentët që studiojnë në universitetet e tjera në Zvicër. Këto shifra nuk janë edhe aq shumë të kënaqshme. Nuk e konsiderojmë vetën si Einstein-a, por ndoshta kemi pasur pak më shumë fat se të tjerët. Kur flasim për fat, nuk mendojmë se shteti zviceran neve na ka ndihmuar më shumë se të tjerëve, ose që nuk kemi qenë të diskriminuar në krahasim me të tjerët.

Por, në qoftë se kemi arritur deri këtu, është fakt se prindërit tanë na kanë dhënë përkrahje të madhe dhe të pakursyer.

Nuk mendojmë që diskriminimi nuk ekziston, por duam ta relativizojmë këtë problem. Mendojmë se është shumë lehtë nga ana e prindërve të akuzojnë shtetin. Para se të akuzojmë të tjerët, duhet njëherë të akuzojmë vetveten. Sot nuk duam t’i akuzojmë të gjithë prindërit shqiptarë. E dimë që secili prind do që të shohë fëmijën e vet sa më mirë. Por, nuk është mjaft. Duhet të veprohet.

Shteti zviceran na jep mundësi të ndryshe për të arritur suksese, por duhet të dimë se si t’ i përdorim ato mundësi. Dhe, këtu fillon hendikepi i fëmijëve tanë. Shumica e fëmijëve tanë nuk janë në gjendje t’ i shfrytëzojnë këto mundësi. Arsyeja mund të jetë mosnjohja e sistemit shkollor zviceran nga ana e prindërve, ose thjesht angazhimi i pamjaftueshëm i tyre në përcjelljen e fëmijëve të tyre.

Nuk flasim këtu vetëm për mundësi materiale. Nuk mjafton t’i blejmë fëmijës kompjuter, lojëra apo rroba të mira. Fëmija ka nevojë për përkrahje, për t’ i dhënë vullnet dhe ndihmë. Duhet të flasim me fëmijën, sidomos kur ka sukses të dobët në shkollë, duke e këshilluar dhe mbështetur, e jo duke e  nënçmuar dhe demoralizuar.  Shumë lehtë është të thuhet që nuk kemi kohë, ose që nuk e njohim gjuhën frënge mirë… Por, edhe nëse keni problem me njohjen e gjuhës frënge, apo lëndëve të tjera, ose për mungesë kohe, ekzistojnë zgjidhje të tjera, si për shembull: projekti i përbashkët i LAPSH-it me studentët shqiptarë që u ndihmon fëmijëve tanë për t’ i mësuar lëndët e ndryshme nga shkolla zvicerane ose për t’ u ndihmuar t’ i kuptojnë detyrat shkollore. Ne jemi të motivuar për t’ i ndihmuar fëmijët tanë. Por, për të realizuar këtë, duhet që edhe prindërit t’ i motivojnë fëmijët dhe së paku t’ i  obligojnë të jenë prezentë në klasë.

Por, ne jemi të gatshëm që edhe në mënyrë individuale t’ u ndihmojmë atyre fëmijëve që kanë nevojë për ndihmë të tillë.

Nëse nuk keni problem me gjuhën frënge, por arsyeja është mungesa e kohës, atëherë ne ju themi se mjafton t’ i ndihmoni fëmijës 30 minuta në ditë, në vend se të shikoni lajmet në TV. Është fakt se shumica e fëmijëve joshqiptarë kanë më shumë mbështetje prej prindërve të tyre.

Mos u prekni shumë, por pasi që po ju akuzojmë pak, po shfrytëzojmë rastin për të bërë edhe një vërejtje: shumica prej jush keni ardhur në Zvicër për të fituar para. Po ne nuk mundemi t’i kuptojmë  prindërit që ende mendojnë si para 20 vjetëve. Është problem shumë i madh nëse vetë prindërit i shtyn fëmijët që sa t’ i bëjnë 17 vjet të punojnë për t’i ndihmuar familjes. Askush nuk mbetet pa bukë në Zvicër. Është shumë mëkat t’i lodhim fëmijët për një rrogë shumë të vogël dhe t’ia humbim krejt mundësitë për të pasur sukses më të madh në jetë… për arsye financiare.

E kuptojmë që të gjithë nuk duan të studiojnë. Nuk i akuzojmë prindërit që kanë fëmijët me të tjera ambicie. Por i akuzojmë ata që nuk u japin mundësi fëmijëve të tyre për të arritur ambiciet e tyre.

Diskriminimi ekziston në shkolla. Jo vetëm kundër shqiptarëve, por edhe kundër minoriteteve të tjera shoqërore. Por, gjithashtu ekziston edhe diskriminimi në baza sociale. Por, kjo nuk do të thotë se duhet të akuzohet vetëm shteti, sepse edhe prindërit e kanë peshën e vet të padiskutueshme në suksesin e fëmijëve.

Shpresojmë se mesazhi jonë nuk do të keqkuptohet dhe fëmijët shqiptarë do të arrijnë sukses… kudo qoftë… nëpër shkolla të larta, nëpër fakultete, nëpër ndërmarrje apo zanate… Pavarësisht ekzistimit edhe të diskriminimit të jashtëm, që nuk varet nga ne, ne duhet të kryejmë pjesën tonë të punës në arritjen e rezultateve më të mira në integrimin sa më të suksesshëm. E ajo nënkupton angazhim, njohje të sistemit shkollor zviceran dhe vetëbesim se një gjë e tillë është e arritshme edhe për ne si komunitet i huaj në Zvicër.     * Fjalim i mbajtur në Lozanë me rastin e tryezës së mbajtur për temën e dikriminimit.Pikëpamjet e shprehura në këtë kronikë shprehim mendimet e autorëve dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht mendimet e redaksisë.