Lajme

Pas arritjes së Netanyahut në Hungari, vendi thotë se po tërhiqet nga GJNP-ja

Pasi  kryeministri  izraelit, Benjamin Netanyahu, arriti sot në Budapest, Hungari. Ai njoftoi se po tërhiqet nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, teksa kjo është vizita e parë e Netanyahut në Evropë që kur GJNP-ja lëshoi fletarrestim ndaj tij lidhur me krimet e pretenduara të luftës në Gazë.

Ministri i Mbrojtjes i Hungarisë, Kristof Szalay-Bobrovniczky, e priti Netanyahun në aeroportin e Budapestit rreth orës 02:30, dhe disa orë më vonë, Gergely Gulyas, shefi i stafit të kryeministrit hungarez Viktor Orban, u citua të ketë thënë se qeveria po lëviz drejt tërheqjes nga GJNP-ja, transmeton albinfo.ch.

“Hungaria do të tërhiqet nga GJNP-ja. Qeveria do të iniciojë procedurën e tërheqjes, në përputhje me kornizën ligjore ndërkombëtare dhe kushtetuese”, tha Gulyas.

Gjatë një konference për media, Orban tha se “vendimet e fundit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale tregojnë se ajo është shndërruar në një instrument politik”. “Ne po tërhiqemi nga Gjykata Ndërkombëtare Penale”, shtoi ai.

Ndryshe, Orban publikisht e kishte ftuar Netanyahun për vizitë në nëntor, pak pasi GJNP-ja lëshoi fletarrestimin.

“I garantoj atij, nëse vjen, se vendimi i GJNP-së nuk do të ketë efekt në Hungari”, kishte deklaruar Orban.

Gjykata Ndërkombëtare Penale, ndryshe, nuk ka fuqi për të arrestuar personat vetë, por varet nga shtetet që e kanë nënshkruar traktatin për krijimin e saj – Statutin e Romës – për të zbatuar fletarrestimet.