Kosova
Diplomacia e Kosovës, nën hijen e emërimeve politike
Shërbimi i jashtëm i Kosovës ose përfaqësuesit diplomatikë të saj konsiderohet se janë fytyra e vendit, e cila përfaqësohet në botë. Prandaj, mungesa e kuadrove profesioniste në këtë shërbim reflekton negativisht imazhin e vendit dhe statusin e tij në marrëdhëniet ndërkombëtare, vlerësojnë njohës të fushës së diplomacisë dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare.
Për më shumë, ata thonë se shërbimi i jashtëm i Kosovës aktualisht mund të përshkruhet si i ngarkuar tej mase me kuadër politik me mungesë të theksuar të kuadrit profesionist apo të diplomatëve të karrierës.
Ish- ambasadori i Kosovës në Austri dhe në Australi, Sabri Kiçmari, thotë për Radion Evropa e Lirë se që nga viti 2015, në shërbimin e jashtëm të Kosovës është shënuar rënie e vazhdueshme e kuadrit profesionist dhe ngritje të madhe të kuadrit politik.
“Kjo pasqyrohet në mënyrën më të qartë në numrin e ambasadorëve të karrierës aktualisht. Nga gjithsej 25 shefa të misioneve, janë vetëm tre ambasadorë karriere, pra që kanë gradën ambasador dhe katër të tjerë që nuk kanë gradën ambasador, por janë zyrtarë të Ministrisë së Jashtme. Ndërsa, të gjithë të tjerët janë persona të lidhur me partitë politike dhe liderët politikë”, thekson Kiçmari.
Ai shton se në këtë mënyrë, tek emërimet e ambasadorëve, është shkelur ligji, i cili në mënyrë precize e përcakton që të paktën 50 për qind të shefave të misioneve duhet të jenë zyrtarë nga Ministria e Jashtme, përkatësisht ambasadorë karriere.
Ngjashëm, sipas tij, është situata edhe lidhur me stafin tjetër diplomatik që dërgohet në përfaqësitë diplomatike të Kosovës. Siç thotë Kiçmari, Ministria e Jashtme aktuale e Qeverisë së Kosovës ka dërguar në misione diplomatike kuadro të afërta me partitë politike, e që sipas tij, nuk kanë përvojë dhe nuk u janë nënshtruar procedurave normale, e sidomos përgatitjes profesionale.
Afrim Hoti, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson që pavarësisht se ligji lejon që 50 për qind e shërbimit të jashtëm të jetë i përbërë nga elementë politikë, ky shërbim është i stërngarkuar, përtej kësaj përqindjeje, me staf politik. Sipas tij, situata në shërbimin e jashtëm të Kosovës është krejtësisht e ngjashme me situatën dhe raportet brenda administratës publike në vend.
“Mendoj që vërtet është për çdo kritikë logjika mbi të cilën është ndërtuar ky shërbim, madje duke mos bërë fare përjashtime se cilat parti ose cili subjekt politik ka qeverisur në vend. Mendoj që është për keqardhje logjika e cila e ka përshkruar shërbimin tonë të jashtëm, që nga themelimi e deri më sot. Si rrjedhojë, kemi një brishtësi të jashtëzakonshme, një shërbim të jashtëm vërtet të pakonsoliduar, një shërbim të jashtëm, i cili më shumë se objektivi për t’i shërbyer vendit, në kontekstin e jashtëm, ka shërbyer vetëm si vend ku janë akomoduar militantë të ndryshëm politikë”, thekson Hoti.
Më pastaj ai ka theksuar se më shumë se sa objektivave të përcaktuara për shërbimin e jashtëm, këta militantë u janë përgjigjur shefave ose eprorëve të tyre politikë në Prishtinë.
Ndërkaq, ish-ambasadori Kiçmari thekson që efektet e politizimit të shërbimit të jashtëm të Kosovës janë të dukshme. Sipas tij, nuk bëhet fjalë më për njohje të reja, por për tërheqje njohjesh, si dhe nuk flitet më për pranimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, por për dështim të tentimeve. Për më shumë, siç ka përkujtuar ai, përfaqësues diplomatikë në Kosovë kanë tërhequr vërejtjen dhe kanë kritikuar autoritetet e Kosovës për emërimet në shërbimin e jashtëm të personave politikë dhe të atyre që kanë probleme me ligjin.
Sipas tij, për Kosovën është e rëndësisë së veçantë që institucionet të investojnë në përgatitjen profesionale të kuadrove për shërbimin e jashtëm.
Ditë më parë, emërimi nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës e një konsulleje në Konsullatën e Kosovës në Nju-Jork, ka nxitur reagimin e ambasadorit të SHBA-së në Prishtinë, Philip Kosnett. Përmes rrjetit social Twitter, ambasadori Kosnett kishte vënë në dyshim nëse Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka ndjekur procedurat me konkurrencë dhe me meritë për emërimin që kishte bërë.
E-Diaspora
-
Granit Xhaka është pjesë e formacionit më të mirë të vitit në Bundesliga Ylli shqiptar i Bayer Leverkusenit, Granit Xhaka, ka përfunduar si pjesë e formacionit më të mirë...
-
Përfundojnë pritjet në kufirin Kroaci-Serbi
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
Jeta në Zvicër
-
Mediat: Shërbimet mjekësore zvicerane të bëra jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane Në Zvicër, shërbimet mjekësore të kryera jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane, pavarësisht se kushtojnë më...
-
Anëtari i ekuipazhit zviceran ende në kujdes intensiv pas uljes urgjente në Austri
-
Ulja emergjente e avionit zviceran në Graz është shkaktuar nga një problem teknik
-
Berna ka përditësuar, në internet, hartën e saj të rreziqeve sipas qyteteve të kantonit
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit?