Lajme

Dikur vetë refugjat, Nazmi Aruqi ofron falas 50 dhoma të hoteleve të tij për refugjatët ukrainas

Vetë refugjat nga lufta e Kosovës, Nazmi Aruqi ka ndihmuar të pastrehët edhe në të kaluarën, thotë Alexander Lenz, kryebashkiak i Morlautern-it

Si zgjidhje e përkohshme për refugjatët nga Ukraina, pronari i një firme të ndërtimit, Nazmi Aruqi ofron akomodim falas në hotelet e tij “Hasselberg” në Morlautern dhe “Ari” në Hohenecken, Landi Rheinland Pfalz, transmeton albinfo.ch. Oferta e tij vlen qoftë për një natë apo edhe për pesë javë. “Kryesorja, do ta kenë ngrohtë dhe do të jenë të ngopur”, thotë Alexander Lenz, kryebashkiak i Morlautern-it.

Si person privat, ai kujdeset për ofertën bashkë me Aruqin.

Vetë refugjat nga lufta e Kosovës, Nazmi Aruqi ka ndihmuar të pastrehët edhe në të kaluarën, thotë Lenz, shkruan rheinpfalz.de. Një total prej 50 dhomash janë tani në dispozicion në hotelet e tij si një zgjidhje e përkohshme derisa strehimoret komunale të urgjencës të jenë gati për të pranuar refugjatë, ose për një periudhë më të gjatë kohore.

Shumë njerëz nga Ukraina po kërkojnë një ndalesë gjatë rrugës për të vizituar të afërmit e tyre, përcjell albinfo.ch. Nevoja është evidente, raporton Lenz dhe shpreson se do të ketë edhe të tjerë që do të veprojnë sikur Nazmiu.

Kërkesat e para tashmë kanë ardhhur përmes rrjeteve sociale, mes të cilëve një familje me dy fëmijë.

Ndërkohë, në llogarinë e Aruqit në facebook bëhet e ditur se se refugjatët e parë janë pranuar në Morlautern.
“Në kuadër të ndihmës së menjëhershme për refugjatët nga Ukraina, tashmë sot 4 familje kanë arritur të strehohen në Hotel Hasselberg. Të katër nënat me fëmijët e tyre pjesërisht me aftësi të kufizuara janë pritur nga z. Nazmi Aruqi, pronari i Hotel Hasselberg dhe unë”, shkruan Lenz.