Integrimi

Dikur nxënës i shkollës profesionale, sot mësues në atë shkollë: Dhurim Bytyqi

"Unë e shoh qasjen më të lehtë te nxënësit si një avantazh të madh që vjen nga sfondi im i migrimit. Në situata të caktuara, "emri im" mundëson një avantazh të caktuar besimi ndaj nxënësve me sfond migrimi"

Se rruga drejt profesionit të mësuesit jo gjithmonë duhet të çojë nëpër gjimnaz e më pas në fakultetin pedagogjik, Dhurim Bytyqi e dëshmon konkrretisht me rastin e tij. Në intervistën e mëposhtme do të mësojmë se cilat rrugë të tjera janë të hapura pas praktikës së suksesshme dhe cilat pyetje ngre mbiemri i z. Bytyqi te nxënësit.

Albinfo.ch: I nderuar zoti Bytyqi, si ka qenë zgjedhja juaj e karrierës në atë kohë dhe përse u përcaktuat për KV (drejtimi komercial në shkollën e mesme profesionale) ?

Dhurim Bytyqi: Gjatë shkollimit të detyrueshëm nuk e dija saktësisht se ku qëndronin pikat e mia të forta dhe cilat ishin interesat e mia. Kur ishte koha për të zgjedhur profesionin, shumica e shokëve të mi kishin vendosur të shkonin në KV, kështu që mendova se kjo do të më përshtatej edhe mua. Megjithatë, nuk kam pasur një ekzaminim intensiv të zgjedhjes së profesionit. Më thoshin se KV do të ofronte mundësi të mira për trajnime të mëtejshme dhe është një trajnim i mirë bazë. Për këtë arsye, më në fund vendosa të bëj një stazhin praktik në sektorin “Shërbime dhe administrim” me profilin E. Fatkeqësisht, ose “për fat” nga këndvështrimi i sotëm, më duhej të bëja një vit “bosh”. Atë vit gjeta dashurinë time të madhe dhe gruan e sotme. Praktika më ndihmoi në atë që u bëra i pavarur financiarisht dhe mësova të punoja në mënyrë të pavarur. Megjithatë, interesimi i madh për arsimin dhe shkollën erdhi vetëm me diplomën profesionale 2.

Albinfo.ch: Si erdhi ndryshimi nga nxënës i shkollës profesionale në mësues të shkollës profesionale dhe çfarë kriteresh duhej të plotësoje për këtë formim të mëtejshëm?

Dhurim Bytyqi: Kur bëhet pyetja: Çfarë është një mësues i mirë, secilit i vijnë menjëherë ndërmend emra dhe fytyra të caktuara. Në të njëjtën kohë, ju ndiheni të bartur në leksionet e veçanta të znj. Müller ose z. Meier. Për mua ishin edhe mësuesit ata që më frymëzuan dhe më motivuan të bëhesha mësues. Veç kësaj, vura re – veçanërisht në BM2 (diplomë profesionale) – sa i rëndësishëm është arsimi. Jo vetëm për shoqërinë, por edhe për individin. Ai ndihmon në gjetjen e identitetit, në ballafaqimin me veten, në zgjerimin e horizontit personal dhe mua personalisht më ka ndihmuar të kuptoj më mirë kompleksitetin e jetës së përditshme dhe të botës. Doja të jepja kontributin tim personal këtu. Fakti që vij nga një “familje mësuesish” sigurisht që ka ndikuar tek unë. Të dy prindërit e mi ishin mësues në ish-Jugosllavi, si dhe dy xhaxhallarët e mi. Një nga kushërirat e mia në Amerikë është gjithashtu mësuese matematike dhe një kushëri tjetër aktualisht po studion për t’u bërë mësues gjimnazi në Gjermani. Këta faktorë sigurisht që më kanë prekur edhe mua.

Pas BM2, nuk e dija saktësisht nëse doja të shkoja drejtpërdrejt në Shkollën e Lartë Pedagogjike dhe të përfundoja studimet për t’u bërë mësues i shkallës sekondare apo nëse duhet të merrja një kurs tjetër studimesh, si hap i parë. Meqenëse kisha bërë BM komerciale, vendosa të studioj për ekonomi. Edhe në atë kohë, ky hap i ndërmjetëm shërbeu si një mjet për të arritur qëllimin, në mënyrë që më pas të jepja mësime ekonomie në një shkollë profesionale. Nga fundi i diplomës sime të ekonomisë, mora një punë si asistente kursi në një shkollë që punonte kryesisht me azilkërkues. Kjo përvojë ishte shumë e vlefshme dhe më forcoi dëshirën për t’u bërë mësues i shkollës profesionale.

Në lidhje me parakushtin për trajnim të mëtejshëm, tingëllon klishe të thuhet se motivimi dhe entuziazmi janë gurët e themelit për diçka të tillë. Gjithmonë më ka pëlqyer të jem nxënës apo student. Të mësuarit është një proces i vazhdueshëm dhe në përputhje me moton e SBFI (Sekretariati Shtetëror për Arsim, Kërkim dhe Inovacion) “Të mësuarit gjatë gjithë jetës”, ky konstrukt dinamik është bërë një shoqërues i vazhdueshëm për mua. Koha dhe kostot përkatëse nuk duhet të nënvlerësohen. Sa më gjatë t’i jepni vetes kohë për këtë, mund të lindin detyra të tjera dhe kushtet bazë mund të ndryshojnë. Familja, jeta profesionale, mosha janë të gjitha kritere që sigurisht mund të kenë ndikim në këtë proces të shkollimit të mëtejshëm. Sigurisht, këto ndikime mund të jenë edhe të natyrës pozitive dhe të bëjnë të mundur trajnimin e mëtejshëm.

Albinfo.ch: Si ju duket përditshmëria e punës dhe si reagojnë studentët e rinj kur përveç gjermanishtes ndajnë me ju shqipen si gjuhë amtare?

Dhurim Bytyqi: Ajo që e bën punën si mësues i shkollës profesionale emocionuese dhe në të njëjtën kohë sfiduese është fakti se aty nuk ekziston diçka që mund të quhet përditshmëri klasike e punës. Ju mund t’i përgatisni mësimet, t’i didaktikoni dhe t’i ritmizoni ato deri në minutë. Këto mjete ndihmojnë në strukturimin e mësimit. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, ju keni të bëni me të rinjtë. Dhe është e vetëkuptueshme se mësimdhënia nuk është një rrugë njëkahëshe, por bën jetën e vet vetëm në ndërveprimin dhe motivimin e nxënësve.

Më janë dukur interesante reagimet befasuese “të papritura” të nxënësve me origjinë shqiptare. Pyetja më e shpeshtë që më bëjnë është: “Z. Bytyqi – a mund t’ju pyes diçka personale: Prej nga saktësisht jeni nga Kosova?”. Kjo është ndjenja më e lartë. Ndonjëherë – para pushimeve verore – herë pas here më pyesin nëse do të shkoj “atje poshtë” (në Kosovë).

Unë e shoh qasjen më të lehtë te nxënësit si një avantazh të madh që vjen nga sfondi im i migrimit. Në situata të caktuara, “emri im” mundëson një avantazh të caktuar besimi ndaj nxënësve me sfond migrimi. Për shembull, kur trajtoj rëndësinë e arsimit dhe u shpjegoj nxënësve rrugën time të karrierës, vërej se i kushtojnë shumë vëmendje dhe se ata duan të kuptojnë se si është strukturuar sistemi arsimor në Zvicër. Sigurishtk, me moton – nëse zoti Bytyqi mund ta bëjë, atëherë mund ta bëj edhe unë.

Albinfo.ch: Çfarë është thelbësore për prindërit nëse duan të mbështesin fëmijën e tyre socialisht ose në mënyrë motivuese gjatë mësimdhënies profesionale. A janë kërcënimet e presionit dhe ndalimi i telefonave celularë një recetë e mirëpërcaktuar suksesi apo keni edhe alternativa mbështetëse për prindërit e interesuar?

Dhurim Bytyqi: Zgjedhja e profesionit është shumë e rëndësishme dhe për këtë arsye përballja me këtë zgjedhje në terma konkretë është thelbësore. Por ky diskutim ndodh shumë më herët – me njohjen e pikave të forta dhe të dobëta – interesave dhe dëshirave. Prindërit mund të fillojnë këtu dhe të përpiqen të mbështesin fëmijët e tyre. Nëse dikush është i talentuar teknikisht dhe ka nevojë për shumë stërvitje, atëherë një praktikë në drejtimin komercial mund të mos jetë zgjidhja ideale. Një faktor tjetër i rëndësishëm që shoh është hobi. Unë po vëzhgoj gjithnjë e më shumë që nxënësit e mi nuk kanë ndonjë hobi të vërtetë. Këtu kanë rol edhe prindërit. Është vërtetuar se të rinjtë që ndjekin një hobi, sport, instrument muzikor, teatër etj., kanë shumë më pak probleme identiteti dhe për rrjedhojë dinë më shumë se çfarë duan dhe çfarë nuk duan. Ky është gjithashtu një avantazh kur bëhet fjalë për zgjedhjen e një profesioni.

Përveç kësaj, prindërit nuk duhet të bëjnë presion mbi fëmijët dhe t’i shtyjnë ata në një drejtim në të cilin ata nuk ndihen rehat. Këtu ndihmon gjithashtu nëse prindërit merren vetë me sistemin e formimit profesional zviceran dhe njihen me opsionet e ndryshme. Ndalimi i përdorimit të telefonave celularë dhe lojërave nuk është as i qëndrueshëm dhe as i përshtatshëm. Telefoni celular nuk duhet të demonizohet – ai është bërë sot një pjesë integrale e përditshmërisë sonë dhe mund të jetë një mjet i rëndësishëm. Unë më tepër e shoh problemin këtu në gjithëpraninë e tij. Duhet të jeni më të ndërgjegjshëm për momente të caktuara, si darka me familjen apo diskutimet dhe debatet në familje. Në këto situata celulari nuk duhet të përdoret dhe idealisht duhet të “bllokohet” nga të gjithë të përfshirët. Dhe nëse prindërit kanë probleme me përdorimin e celularit të fëmijëve të tyre, kjo mund të ndihmojë si hap i parë për të pyetur dhe reflektuar mbi kohën e tyre të kaluar në celular. Prindërit nuk janë domosdoshmërisht më të mirë në përdorimin e telefonave celularë dhe për këtë arsye nuk janë shumë autentikë kur vendosin ndalimin e celularit.

Intervistoi: Driter Gjukaj