Kosova

“Die Welt”: Perëndimi, tepër i butë ndaj Vuçiqit

"Lajçaku ka dështuar dhe moti është dashur të shkarkohej"

 

Ngjarjeve në Kosovë u është kushtuar edhe një artikull nga gazeta gjermane “Die Welt”, ku shkruan në një koment se sulmi në veri të Kosovës tregon se Perëndimi gjendet para një grumbulli me rrënoja. Brukseli më në fund duhet ta kuptojë se dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës ka dështuar. Kjo ka ndodhur për shkak të politikës destruktive të presidentit serb, përcjell albinfo.ch.

“Die Welt” ka botuar një koment të ashpër dhe me kërkesa të qarta ndaj BE-së dhe Serbisë. “A nuk po e sheh Perëndimi se çfarë është duke bërë vaki para derës së BE-së? A nuk po e vërejnë europianët se për presidentin e Rusisë, Vlladimir Putin, është punë e lehtë që atmosferën shpërthyese në Kosovë ta nxisë edhe më shumë me ndihmën e Serbisë, si vend kandidat për BE dhe kështu, në rastin më të keq, ta fundosë sërish në luftë mbarë Ballkanin?”

Sipas “Die Welt”, kjo për Perëndimin do të ishte – krahas luftës në Ukrainë – një katastrofë tjetër që i shkon në dobi Moskës. “Është e hidhur të shohësh se si europianët – si më parë në Siri dhe Libi – edhe në rastin e Kosovës po dështojnë strategjikisht dhe politika europiane gjendet faktikisht para një grumbulli me rrënoja”. Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, e formuluar nën drejtimin gjermano-francez, sipas gazetës gjermane, nuk ka vlerë. Bisedimet mes palëve nën drejtimin e Brukselit nuk kanë sjellë asgjë prej vitesh. “Mirosllav Lajçaku, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialog mes Beogradit dhe Prishtinës, ka dështuar dhe moti është dashur të shkarkohet”, nënvizon “Die Welt”.

“Edhe sa dëshiron Washingtoni ta këqyrë këtë situatë? A po e vëren edhe presidenti i SHBA-së, Joe Biden, rrezikun e përhapjes së zjarrit?”, pyet kjo e përditshme. “Mes qeverive të Kosovës dhe Serbisë nuk ka më besim. Ky është një problem i madh. Sigurisht, edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë gabime, ta zëmë, duke i instaluar kryetarët shqiptarë në komunat në veri të Kosovës. Por, arsyeja e vërtetë e tensioneve është politika destruktive e Vuçiqit. Ishin huliganët kriminelë serbë të futbollit që në pranverë sulmuan ushtarët e NATO-s dhe i lënduan rëndë. Ishte Vuçiqi, i cili e dërgoi ushtrinë në kufirin kosovar dhe i tërhoqi zyrtarët serbë nga policia kosovare. Frika nga radikalizimi i mëtejshëm i Serbisë, por edhe nga një aleancë edhe më e ngushtë mes Beogradit dhe Moskës, po e bën Perëndimin të tregohet shumë i butë ndaj Vuçiqit. Ky është një gabim strategjik”.