albinfo.ch
E-Diaspora
Diaspora zotohet ta ndihmojë Luginën
Cyrihun e kishin zgjedhur si qendrën e radhës, pas Prishtinës, për t’i ftuar të dielën mërgimtarët e vullnetit të mirë në një gala mbrëmje, siç e kishin quajtuar organizatorët, me qëllim të vazhdimit të misionit për grumbullimin e fondeve për ndërtim të 100 shtëpive në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Slogani i këtij aksioni në Cyrih këtë herë ishte: “Nuk e japim Kosovën Lindore”, derisa organizatorët kanë paralajmëruar mbrëmje gala të ngjashme edhe në vende të tjera në diasporë.
Para mysafirëve të mbledhur në fillim janë shfaqur disa kronika televizive, intervista të figurave politike dhe reportazhe të aktvitetit të deritanishëm të Fondit Humanitar të Kosovës Lindore (FHKL).
Të gjitha videot kishin një porosi të sensibilizimit të njerëzve të vullnetit të mirë për të ndihmuar projektin e Fondit Humanitar të Kosovës Lindore (FHKL) për ndërtimin e 100 shtëpive në komunat Bujanoc dhe Medvegjë, për të ndaluar shpërnguljet e shqiptarëve me gjendje të rëndë ekonomike që jetojnë në Luginë.
Nikoqiri i kësaj mbrëmjeje, kryetari i Fondit Humanitar të Kosovës Lindore, Xhelal Memeti, e ka vlerësuar gala mbrëmjen si ditë të rëndësishme për gjithë diasporën e Kosovës Lindore.
„Jemi bashkuar këtu si asnjëherë më parë për t’i qajtur hallet dhe brengat tona, e ato nuk janë edhe të lehta, për të cilat jemi mbledhur këtu”, tha Memeti, duke bërë një retrospektivë të projekteve humanitare që ishin realizuar nga themelimi i Fondit Humanitar e deri më tani.
Ai është përqendruar në misionin e ndërtimit të 100 shtëpive.
Më 2013 ishte shpallur aksioni që po vazhdon edhe këto ditë me moton: „Të ndërtojmë, të shpëtojmë, të parandalojmë”.
Ky aksion që synon të ndërtojë 100 shtëpi, ka për qëllim parandalimin e shpërnguljeve të popullatës shqiptare nga këto 3 komuna, ndërsa ka marrë mbështetjen edhe të institucioneve në Prishtinë dhe Tiranë.
Një vit pas fillimit të projektit më 2014 ishte bërë inaugurimi i 20 shtëpive të kryera dhe iu dorëzuan çelësat familjarëve, ka bërë të ditur Memeti.
Aktivistë të Fondit nuk ishin ndalur asnjëherë në përmbushjen e misionit të tyre humanitar. Ata kishin udhëtuar në shumë vende, duke përfshirë edhe SHBA-në, për të gjetur mundësinë e shtrirjes së aktiviteteve të tyre humanitare.
„Vetëm kështu do t’i dalim në ndihmë atdheut tonë që aq shumë ka nevojë për diasporën, kur kemi parasysh gjendjen aktuale në të cilën jemi duke përjetuar në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, për atë kryesia e Fondit humanitar e ka parë të arsyeshme një mobilizim anekënd botës, kudo që janë diaspora e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, në bashkëpunim dhe me shqiptarët e trojeve të tjera shqiptare, e që jetojnë në diasporë”, tha kryetari Memeti.
Mysafirët e pranishëm që nuk ishin vetëm nga Zvicra, por edhe nga Austria, kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar aksionin e ndërtimit të 100 shtëpive.
Një aktivist i Fondit, Ramadan Nuhiu, nga Bujanoci, tha se ka qenë vështirë të binden donatarët para se të ndërtohen shtëpitë.
„Me kalimin e kohës, kur u panë rezultatet me ndërtimin e shtëpive, ishte krijuar besimi më i madh”, tha Nuhiu.
Njëri prej donatorëve, Arsim Hyseni, nga ENB, tha se një projekt i tillë duhet të mbështetet, ngase cilësohet të jetë më madhorët, po edhe të vështirë në Luginë.
Më pas është shfaqur premiera e filmit dokumentar „Dervish Shaqa”, ndërsa autori i filmit, Asllan Bajrami, kishte ardhur në promovim enkas nga Tirana.
Të pranishëm në mbrëmjen gala të Cyrihut ishin edhe familjarët e Dervish Shaqes.
„Motivet e këtij dokumentari janë të ndërlidhura me gjendjen që e përjetojnë shqiptarët në Luginë të Preshevës. Për këtë arsye kam vendosur ta promovojë në këtë gala mbrëmje në Cyrih”, tha Asllani.
Fondi Humanitar i Kosovës Lindore vepron që 16 vjet. Gjatë kësaj kohe ka realizuar një numër të projekteve humanitare në Luginë, Kosovë dhe Maqedoni.
Deri tani Fondi ka ndërtuar 40 shtëpi, ndërsa janë ftuar mërgimtarët në Zvicër që të japin kontributin e tyre për ndërtimin e 100 shtëpive në Luginë.
Të ngjashme
Të tjera nga E-Diaspora
E-Diaspora
-
Rrugës për në Kosovë, mërgimtarët presin mbi 15 orë në kufirin Kroaci-Serbi “Aktualisht presim mbi 15 orë. Pompa e fundit e benzinës ishte e stërmbushur tërësisht”, thotë për...
-
Iu dha lamtumira e fundit aktorit Adem Muji
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
Jeta në Zvicër
-
Plani i madh 5-vjeçar i punës fillon në Gjenevë vitin e ardhshëm Banorët e Gjenevës po paralajmërohen se një program pesëvjeçar i punës për përhapjen e energjisë gjeotermale...
-
Zviceranët do të votojnë për subvencionet e trenave të natës
-
Që nga janari, sigurimet shëndetësore rriten me 6 për qind
-
Rrugës për në Kosovë, mërgimtarët presin mbi 15 orë në kufirin Kroaci-Serbi
-
Pronarët e shtëpive të dyta do të përballen me taksa më të larta