Opinione
Diaspora të votojë në ambasada
Në ditën e zgjedhjeve të rundit të parë në Pejë e takova një burrë që kishte ardhur në Kosovë posaçërisht për të votuar Gazmend Muhaxherin.
Ai për të festuar ardhjen e tij edhe na qerasi me nga një birrë. Bëftë hajr! Edhe unë si pjesëtar i diasporës marr pjesë aktivisht në jetën politike në Kosovë. Edhe duke votuar, edhe duke bërë shkrime, edhe duke komentuar në mediat sociale. Arsyet pse une jam qytetar aktiv në Kosovë, edhe pse jam pjesëtar i diasporës, janë të shumta: Kosova është vendi im.
Në Kosovë e kam një pjesë të madhe të familjes, për të cilën i dëshiroj më të mirat e mundshme. Në Kosovë kam biznes, i cili edhe pse shumë pak varet nga qeverisja e vendit, ndikohet. Në Kosovë paguaj taksa. Në Kosovë krijoj vende pune. Kosova duket më mirë në mediat ndërkombëtare për shkak të punës sime. Unë mendoj se kjo mjafton, po ka ende. Është një arsye tjetër pse unë kam të drejtë të jem pjesë e shoqërisë kosovare: ligji dhe Kushtetuta. Pikë. Për shkaqe të nduarnduarshme, duke përfshirë edhe ato politike dhe të inateve, një grup (mendoj se tash është shumë i vogël) i njerëzve që jetojnë nga puna intelektuale, kanë filluar të komentojnë, duke sugjeruar që diaspora nuk duhet të jetë pjesë e zgjedhjeve, e në veçanti atyre lokale.
Një koment thoshte: “Votimi i diasporës në zgjedhjet lokale është marri e madhe… Dihet për nivelin e lartë intelektual dhe edukativ të tyre”. Një tjetër jep këshilla se si një trup prej mbi 400 mijë personash nuk duhet të ketë bindje politike, por duhet të jetë unik: “Bashkatdhetarët e Kosovës që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit duhet të jenë unikë dhe jo të ndarë në parti politike”, duke sugjeruar që duhet të hiqet e drejta e votës dhe e drejta për kandidim në zgjedhje, duke vazhduar më tutje se votat e dërguara me postë në Prishtinë janë “brengosëse”. Shih ti! Tash – sa i përket nivelit intelektual dhe kulturor të diasporës do thosha: lëshoje MTV Musical Awards, shko në shkollë arti te Sislej Xhafa apo te motra e tij, Alketa.
Të mos vazhdoj më shumë se nisem e skuqem. Mirëpo, duke e pranuar të drejten për argumentimim se Kosova është vetëm e atyre që jetojnë atje, këta komentues duhet të angazhohen që të ndryshojnë ligjin, e jo të njollosin. E, për këtë janë dy mënyra: Njëra është kushtëzimi i shtetësisë së Kosovës si e vetmja shtetësi që mund ta mbashë, si modeli i Azerbejxhanit, Indisë apo pjesërisht ai gjerman. Në këtë rast 80 për qind e përfaqësueses së Kosovës në futboll do të duhej të vendoste a duhet të heqin dorë nga shtetësitë e vendeve prej nga vijnë, për të luajtur për dardanët. Kjo do të përfshinte edhe një pjesë të madhe të përfaqësueses në basketboll.
Mirëpo, me këtë do t’i hiqnim injorantët nga diaspora prej listave të votuesve! Mënyra e dytë është që votimi të kushtëzohet me vendbanim. Pra, duhet të jesh jo vetëm qytetar, por edhe banues për të votuar. Unë nuk e di a ka këso rastesh në botë, por pse të mos bëhemi i pari. Niseni debatin e të shohim.
Për mua praktikë e mirë është ajo e Francës apo e Spanjës që i mundëson secilit njeri që mban shtetësi të votojë në mënyrën më të lehtë të mundshme. Këto shtete organizojnë votimet për diasporën e tyre në përfaqësitë diplomatike. Dardan Gashi, si ministër i Diasporës, zyrtarisht kërkoi që të realizohet kjo. Diaspora të votojë në përfaqësitë diplomatike të Kosovës ,të mos ketë nevojë të udhëtojë. E derisa iniciativat për kufizimin e votave të diasporës në zgjedhjet kosovare të bëhen ligj (nëse ndonjëherë bëhen), unë të gjithë juve që dëshironi të kufizoni pjesëmarrjen time në shoqërinë kosovare ju dëshiroj lobim të këndshëm.
Autori është gazetar kosovaro-zviceran.
E-Diaspora
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri? Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, tha se janë krijuar kushtet e...
-
Kurti mban fjalim në forumin ekonomik Zvicër-Kosovë, flet për “partneritet të fuqishëm”
-
Arbër Bullakaj, në krye të nismës për lehtësimin e natyralizimit të të huajve
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake
Jeta në Zvicër
-
Bazeli do të votojë mbi koston e organizimit ‘blasfemik’ të Eurovizionit 2025 Bazeli verior i Zvicrës do të mbajë një referendum të dielën për milionat e kërkuara për...
-
Zvicra mbetet kampione evropiane në hekurudha
-
Arbër Bullakaj, në krye të nismës për lehtësimin e natyralizimit të të huajve
-
Gjykata Federale: Personat mbipeshë tani mund të marrin pension IV
-
Priten reshje të dendura bore në Zvicër: Këto rrugë tashmë janë mbyllur