Integrimi
Diaspora, subjekt në vete dhe jo objekt shfryrjeje për politikanët
Një në 30 banorë të Zvicrës është shqiptar. Cili është ndikimi i tyre në Zvicër dhe në vendin origjinës?
Shumë futbollistë të suksesshëm të Zvicrës, si Shaqiri, Xhaka e Mehmedi me shokë janë shqiptarë. Por ata janë njëherësh idhuj të përbashkët të sportdashësve zviceranë, shqiptarë dhe të huaj të tjerë. Futbollistët e përmendur përfaqësojnë njërën pamje të shqiptarëve të Zvicrës: atë që flet për suksesin, vitalitetin, dinamizmin. Mirëpo, për shumicën e zviceranëve, shqiptarët vazhdojnë të jenë gjithnjë ata “Kosovoalbaner”-ët, për të cilët shkruajnë gazetat pas ndonjë rrahjeje në lokalet problematike ose pas kapjes së ndonjë rrjeti të narkotikëve.
Prandaj, cilët janë shqiptarët, sa i njeh dhe si i pranon ata shoqëria zvicerane? Në cilin përkufizim të futet ky komunitet, që tashmë përbën rreth 3 përqindëshin e popullatës së Zvicrës? Këto dhe pyetje tjera i ka shtruar për diskutim tryeza e rrumbullakët që albinfo.ch dhe politolog.ch, duke shënuar njëvjetorin e themelimit të portalit albinfo.ch, e organizuan të martën, në ambientet e Universitetit të Bernës.
© albinfo.ch: Sarah Grettler, kryetare
© albinfo.ch: Bashkim Iseni, drejtor
Debatin e kanë moderuar publicistët Gregoire Nappey (frengjisht) nga Politblog.ch dhe David Schafner nga Tages Anzeiger/Bund, në gjuhën gjermane. Ndërsa në emrin e albinfo.ch pjesëmarrësit i kanë përshëndetur Sarah Grettler kryetare dhe Bashkim Iseni, drejtor.
Dy panele me politikanë dhe ekonomistë janë përpjekur të japin përgjigjet e tyre për pyetjen bosht të tryezës: “Cili është ndikimi i popullatës shqiptare, në Zvicër dhe në vendin e saj të origjinës?”
© albinfo.ch: David Schafner, Alfred Fritschi dhe Kujtim Dobruna, Gérgoire Nappey
Në panelin e parë kanë marrë pjesë Alfred Fritschi, bashkëshef i divizionit për Ballkanin Perëndimor në DEZA dhe Kujtim Dobruna, drejtor i ECIKS, Vjenë.
Dërgesat në Kosovë – të domosdoshme por edhe të dëmshme
Përfaqësuesi i DEZA-s në fjalën e tij ka identifikuar disa probleme të diasporës shqiptare, kryesisht asaj të Kosovës, në raport me vendin e prejardhjes dhe me Zvicrën. Remitencat, dërgesat e ndihmave në të holla që bën diaspora shqiptare në vendet e prejardhjes, sipas Fritschit, veç rëndësisë që kanë për mbijetesën e familjeve përkatëse, luajnë edhe një rol negativ. “Përmes dërgesave të parave, pra duke qenë mbajtëse e familjeve të gjera në atdhe, diaspora shqiptare mban gjallë edhe strukturat patriarkale atje dhe kështu bllokon zhvillimin e iniciativës private dhe të shoqërisë së bazuar në individin, që është karakteristike për shoqërinë moderne të perëndimit”.
© albinfo.ch
Remitencat që dërgojnë shqiptarët në vendet e prejardhjes përbëjnë në mes të 10 dhe 20% të brutoproduktit shoqëror të vendeve përkatëse. Ose “më shumë se sa ndihmat ndërkombëtare dhe gjithsesi më shumë se sa investimet e drejtpërdrejta ndërkombëtare”, ka thënë Fritschi. Ai ka folur edhe për punën që bën DEZA në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe konkretisht në vendet e banuara me shqiptarë, kryesisht në Kosovë.
Me gjithë faktin se diaspora ka potencial ende të pashfrytëzuar që do të ndihmonte zhvillimin e vendit të prejardhjes, Fritschi ka thënë se “nuk është legjitime nga ana e politikanëve të Kosovës që të projektojnë fantazitë e tyre lidhur me shfrytëzimin e këtij potenciali. Kjo, për faktin se bëhet fjalë për para private dhe për faktin tjetër se diaspora duhet të merret si subjekt me të cilin duhet biseduar e jo si objekt për jetësimin e fantazive të dikujt”.
© albinfo.ch
Kujtim Dobruna nga ECIKS, Vjenë, në një prezantim të ngjeshur ka ofruar një pasqyrë mjaft komplete të gjendjes ekonomike aktuale në Kosovë, kryesisht nga këndvështrimi i kontributit të diasporës. Rreth 500 mijë kosovarë jetojnë në vende të ndryshme të botës perëndimore, rreth 60 për qind e tyre tashmë kanë marrë shtetësinë e vendeve përkatëse dhe 34 për qind kanë rregulluar qëndrimin e përhershëm atje. Më së shumti kosovarë ka në Gjermani, ku jetojnë 39 % të kosovarëve të mërguar dhe në Zvicër ku janë 36% të tyre, ka nënvizuar Dobruna.
Duke bërë fjalë për ndikimin e diasporës në ekonominë e Kosovës, edhe Dobruna ka vënë në pah se dërgimi i parave për mbajtjen e familjeve vazhdon të jenë aktiviteti më i dendur në këtë drejtim. Megjithatë, ai ka përmendur edhe raste të suksesshme të investimeve të diasporës në Kosovë, një numër i të cilëve janë bërë edhe përmes ECIKS-it.
© albinfo.ch
“Nuk është problemi se ka shumë të huaj por se ka pak zviceranë”
Në panelin e dytë janë paraqitur Léonard Bender, avokat dhe nënpresident i FDP-së, Christophe Darbellay, deputet nacional dhe kryetar i CVP (PDC), Ylfete Fanaj, kryetare e “Second@s plus” dhe deputete në Parlamentin e kantonit të Lucernit si dhe Géraldine Savary, deputete federale e Partisë Socialdemokrate, nga Lozana.
Ishte paralajmëruar edhe ardhja e deputetes federale nga SVP-UDC Yvette Estermann dhe e atij të të gjelbërve Jo Lang, por, për arsye të ndryshme ata kanë munguar. Kjo mungesë e politikanëve që përfaqësojnë pole të kundërta, mbase ka mundur të reflektohej në “topitjen” e kundërshtive në debat. Megjithatë, pjesëmarrësit e panelit vinin nga nivele të larta të partive gjegjësisht të institucioneve, kështu që u zhvillua debat interesant, edhe falë kompetencës dhe nivelit përfaqësues të tyre.
Panelistët janë angazhuar në shkoqitjen e asaj se çfarë i sjellin shqiptarët shoqërisë zvicerane dhe asaj të prejardhjes dhe në anën tjetër, çfarë u ofron shoqëria zvicerane atyre. Kryetari i CVP/PDC, Christophe Derbellay ka njohur kontributin e shqiptarëve dhe të të huajve të tjerë në ndërtimin e shoqërisë zvicerane të mirëqenies dhe ka nënvizuar se shumica e madhe e shqiptarëve në Zvicër bëjnë jetë konform rregullave dhe ligjeve. Ai është angazhuar për njohje më të mirë të ndërsjellë në mes të zviceranëve dhe shqiptarëve, si parakusht për evitimin e paragjykimeve dhe konflikteve.
Leonard Bender nga FDP fjalën e tij e ka filluar me shprehjen e tij proverbiale: “Problemi në Zvicër nuk është se ka shumë të huaj por se ka pak zviceranë”. Më tutje ai ka folur për problemet e njohjes që shkaktojnë konflikte në mes të vendësve dhe të huajve, në këtë rast, shqiptarëve. Ai ka kërkuar që të dyja palët të shtojnë angazhimin e tyre për një bashkëjetesë më të mirë dhe njohje të ndërsjellë. Ylfete Fanaj është përpjekur të sqarojë gjendjen e shqiptarëve në Zvicër shikuar nga këndvështrimi i të rinjve të gjeneratës së dytë (secondo), të cilët ajo i përfaqëson. Në këtë kontekst ajo ka parë problemet që shkaktohen nga “frika e prekjes” në mes të komuniteteve por edhe shanset për njohje, kryesisht përmes të rinjve të suksesshëm shqiptarë në fushë të sportit etj. të cilët janë idhuj të përbashkët si të zviceranëve ashtu edhe të shqiptarëve, moshatarë të tyre.
Publiku, i përbërë nga zviceranë, shqiptarë dhe të tjerë, ka shfaqur një interesim të madh për tryezën dhe është inkuadruar edhe vetë në debat, me pyetje, komente e sugjerime.
© albinfo.ch
Grupi i xhazit “Guralumi” nga Lozana ka fisnikëruar ambientin me disa këngë të përpunuara nga të folklorit shqiptar.
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë Festa e shoqatës “Bashkimi" nga Usteri kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë...
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Jeta në Zvicër
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës. Të mërkurën, ajo i kërkoi...
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara
-
Zvicra, kampion evropian në transportin hekurudhor