Integrimi

Diaspora shqiptare në pritje të një riorganizimi të mirëfilltë

Përpjekjet e bashkatdhetarëve tanë për një organizim dhe rrjetëzim të mirëfilltë të diasporës shqiptare, sidomos në vendet e perëndimit, datojnë qysh nga periudha e hershme e viteve të 80-ta. Diaspora shqiptare në Zvicër, Gjermani dhe Austri, e më vonë edhe në vendet skandinave, është vetorganizuar me një numër të lartë të bashkatdhetarëve, ku krahas aktiviteteve kulturore-artistike në ruajtjen identitetit dhe kulturës shqiptare, është angazhuar edhe për të drejtat e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, kryesisht në Kosovë, duke mbështetur kështu lëvizjet e popullit shqiptar për liri e barazi.

Marrëveshja e re për bashkëpunim mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës e nënshkruar në nëntor të 2017 për qendrat kulturore në diasporë, ka nxitur një debat në mesin mërgimtarëve mbi mënyrën e organizimit të qendrave kulturore në diasporë.

Organizata “Germin” ka iniciuar një diskutim virtual me temë: Roli i qendrave kulturore në Diasporë duke marrë si shkas këtu Marrëveshjen e Bashkëpunimit ndërmjet këshillimit të ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës për qendrat kulturore në Diasporë.

„Qëllimi i marrëveshjes është të zhvillojë dhe mbështesë bashkëpunimin kulturor dhe ruajtjen e identitetit përmes një rrjeti të Qendrave Kulturore për bashkërendim dhe dakordësinë e palëve.“, thuhet në marrëveshjen e nënshkruar mes dy Qeverive dhe kjo marrëveshje hyn në fuqi me përmbushjen e procedurave të brendshme ligjore të të dyja shteteve.

Shikuar në vija të trasha, aktiviteti i mirëfilltë i diasporës shqiptare ndahet në tri periudha:

Periudha e viteve të 80-ta, organizimi i demonstratave e protestave për liri e barazi.
Periudha e vitet e 90-ta, organizimi i sistemit paralel dhe rezistencës së armatosur, dhe
Periudha pas vitit 2000 e deri më sot, si fazë e euforisë, entuziazmit dhe pritjeve zhgënjyese.

Në periudhën e parë, diaspora shqiptare ka qenë e ndarë në grupin e njerëzve që kanë vepruar, pjesërisht ilegalisht, për çlirimin e vendit dhe grupin e shoqatave që kanë vepruar në kuadër apo brenda kornizave të shtetit ish-jugosllav.

Në këtë periudhë ka pasur fare pak organizime më qëllime kulturo-artistike, që do të kontribuonin në ruajtjen e identitetit kulturor, sepse një gjë e tillë nuk ishte e nevojshme, pasi që pjesa dërmuese e diasporës shqiptare përbëhej nga „Gastarbeiter“ apo punëtorë sezonalë, që familjet e tyre i kishin në Kosovë e Maqedoni.

Organizime të kësaj natyre kanë pasur për qëllim sensibilizimin e mërgatës shqiptare dhe faktorit ndërkombëtar në mbështetje të përpjekjeve për liri e barazi të shqiptarët në ish-Jugosllavi, në formë të protestave nëpër qytete të mëdha perëndimore, shpërndarje të pamfleteve, nxjerrjen e gazetave propaganduese dhe tubimeve me bashkatdhetarë.

Pas shpërthimit të luftërave në ish-Jugosllavi, numri i shqiptarëve të rinj të ikur nga dhuna dhe represioni serb, është rritur në mënyrë rapide në vendet si Zvicra e Gjermania. Kjo ka qenë periudha e viteve të 90-ta, ku mërgata shqiptare kishte marrë hovin e organizmit të diasporës shqiptare në shoqata kulturo artistike, sportive dhe me Lidhjen e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë të njohur si LAPSH-i në Zvicër.

Bashkimi i shumë familjeve shqiptare dhe emigrimi i lartë i rinisë sonë, ka rezultuar me një riorganizim të diasporës shqiptare, ku mund të evidentohet rritja e numri të shoqatave e klubeve sportive. Thuajse të gjitha shoqatat kulturore-artistike, klubet sportive, kryesisht futboll, boks dhe kik-boks, por edhe LAPSH-i, janë themeluar kah mesi i viteve të 90-ta.

Në këtë periudhë, aktiviteti i shoqatave dhe pjesërisht edhe klubeve shqiptare ka qenë i motivuar dhe i lidhur ngushtë me përpjekjet e shqiptarëve për liri dhe barazi, sipas thënies së famshme të presidenti amerikan Xh. Kenedi: “Mos pyet çfarë mund të bëjë vendi yt për ty, por pyet ç’mund të bësh ti për vendin tënd”.

Në masën më të madhe, diaspora shqiptare e organizuar përmes shoqatave, ka luajtur rolin financuesit të aktiviteteve politike për liri e barazi të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Ndonëse e ndarë në një dyshe të madhe si rezultat i mospajtimeve të thella politike në vend, diaspora shqiptare e ndikuar nga këto ndarje, ia ka dalë të mbajë gjallë për një dekadë sistemin paralel në Kosovë përmes fondit 3% dhe më vonë, rezistencën e armatosur për çlirimin e Kosovës përmes fondit „Vendlindja thërret“.

Njëkohësisht, diaspora ka mbajtur barrën edhe të sigurimit të kushteve për jetës në familjet e tyre.

Periudha pas çlirimit të Kosovës, euforia e diasporës shqiptare për ta rindërtuar dhe zhvilluar vendin, ka qenë e lartë, duke lënë kështu anash organizimin e shoqatave kulturore-artistike në diasporë. Në këtë fazë, disa nga shoqatat e mirëfillta kulturore që kishin shërbyer si qendra dhe pikëtakime të diasporës shqiptare në aspektin kulturor dhe atë të mbështetjes së popullit shqiptar për liri e barazi, janë shuar ose nuk kanë më aktivitet.

Një rol negativ këtu ka luajtur shtrirja e aktivitetit politik të partive politike nga Kosova me nëndegë politike duke dezintegruar edhe më thellë diasporën shqiptare me çka potenciali i diasporës shqiptare në shumë drejtime po shterohej gabimisht.

Megjithatë, shumë shoqata me aktivitetet kulturo-artistike, kryesisht duke prezantuar folklorin shqiptar në data e manifestime të veçanta me karakter kombëtar, janë ngritur e mbijetojnë, ndonëse më vështirësi, edhe sot, falë prindërve që dërgojnë fëmijët e tyre për të mësuar vallet dhe folklorin shqiptar.
Nëse marrim si ilustrim aktivitetin e diasporës shqiptare në Zvicër, mund të shohim që ka me dhjetëra shoqata e klube që shtrirjnë aktivitetin e tyre në tërë territorin e Zvicrës.

Aktualisht në Zvicër ka mbi 20 klube futbollistike shqiptare që ushtrojnë aktivitetin e tyre sportiv të regjistruara në Federatën e Futbollit Zviceran me mbi 80 skuadra. Pastaj ka një organizim fetar me mbi 70 xhami dhe tri Misione Katolike Shqiptare.

Mësimi plotësues në gjuhën amtare i njohur si Lëvizja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë-LAPSH, ndonëse me vështirësi, shtrinë mësimin plotësues në shumë shkolla zvicerane. Ka një rritje të shoqatave studentore shqiptare që studiojnë në universitete të ndryshme të Zvicrës dhe Qendra Kulturore e Diasporës që, vepron në kuadër të ministrisë së Diasporës së Republikës së Kosovës.

Qendra të njëjta kulturore, Ministria e Diasporës së Kosovës, ka hapur në Malmo të Suedisë dhe në Stamboll të Turqisë. Mirëpo zvarritja e miratimit të Ligjit për diasporën për përcaktimin me ligj të funksionimit të qendrave kulturore të diasporës, i ka lënë këto qendra vetëm pjesërisht funksionale.
Po të shohim raportin vjetor të vitit 2016, të Qendrës Kulturore të Kosovës në Cyrih, vërejmë që kjo Qendër ka evidentuar mbi 50 aktivitete të ndryshme, shumica pjesëmarrje në manifestime të shënimit të datave festive dhe takime e vizita nëpër evente të organizuara nga shoqatat kulturo-artistike dhe ka shpenzuar për ngjarje apo evente a ekspozita rreth 12 mijë euro.

Një pikë tjetër që këto dy ministri do të duhej të trajtonin, është informimi përmes një gazete elektronike, që sjell lajme të përditshme nga terreni mbi organizimin e diasporës shqiptare edhe në gjuhën e vendit ku diaspora jeton. Kjo vjen ndoshta edhe si nevojë e kohës, pasi që gjenerata e dytë dhe e tretë, duke mos e njohur mjaftueshëm gjuhën shqipe, nuk joshet edhe aq nga mediet në gjuhën shqipe.

Gjenerata e dytë dhe tretë shqiptare në Zvicër, nuk po tregon po ashtu interesim të mjaftueshëm për shoqatat, klubet dhe mësimin plotësues në gjuhën amtare. Kosovën ata e shohin si vendin e etërve të tyre për t`i kaluar pushimet dhe nëse nuk hartohet një strategji për ruajtjen dhe bartjen (sidomos reformimit të mënyrës së organizimit) e shoqatave dhe klubeve shqiptare në diasporë tek gjeneratat pasuese, rrezikojmë të kemi fatin e italianëve.
Praktikat tregojnë se shumë shoqata e klube italiane, nuk ia kanë dalë të mbijetojnë më gjatë se deri tek gjenerata e tretë apo e katërt. Shumë syresh janë shuar si rezultat i integrimit apo “shkrirjes” së të rinjve italianë në shoqërinë zvicerane, të cilët nuk kanë treguar interesim për të drejtuar shoqatat apo klubet e etërve të tyre.

“Ky botim është realizuar me përkrahjen e projektit Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Germin dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i SDC-së, DANIDA-së apo KCSF-së.”