Lajme

Diaspora, shansi i madh për ndryshime në Kosovë

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

Behgjet Pacolli, lider i Aleancës Kosova e Re, është ndalur të dielën në një debat me bashkatdhetarët në Cyrih. Lideri i AKR-së ka thënë para bashkatdhetarëve të mbledhur se ka një program për zhvillimin ekonomik dhe punësimin në Kosovë, ndërsa ka një program specifik edhe për mërgatën.

Para se të fillonte debati, është transmetuar një video material për historikun e AKR-së dhe liderin e saj, Behgjet Pacolli, ndërsa aktori Çun Lajçi kishte përgatitur një biografi në formë vargjesh.

Presidenti i AKR-së  ka premtuar rritje ekonomike deri 10 për qind dhe krijimin e vendeve të punës deri 70 mijë në vit. Por, në fillim ka folur për problemet me të cilat ballafaqohet vendi, duke u fokusuar veçanërisht në çështjen e papunësisë si dhe në mungesën e investimeve. Për gjendjen aktuale në Kosovë, sipas Behgjet Pacollit, janë fajtorë 20 njerëz në Kosovë.

“Fati i Kosovës është në duart e 20 njerëzve, këta njerëz duhet të ecin, këta nuk mund ta mbajnë peng vendin”, ka deklaruar Pacolli në këtë debat të modelit amerikan në Cyrih.

“Patriotët e ardhshëm të Kosovë janë ata që krijojnë mundësi më të mira për qytetarët”, thekson Pacolli, duke publikuar statistika për korrupsionin që, sipas tij, e ka kapluar vendin si në nivelin lokal, po ashtu edhe në atë qendror.

Lideri i AKR-së ka thënë se këto janë statistikat e organizatave ndërkombëtare, të cilat raportojnë për korrupsionin dhe varfërinë për Kosovën.

“Për të hyrat për kokë banori, Kosova jo vetëm që është në rangim të ulët me vendet e rajonit, ndërsa e 176-ta në nivelin botëror”, tregon lideri i AKR-së, parti e cila në zgjedhjet e fundit nuk kishte kaluar pragun për të siguruar ulëse në Parlamentin e Kosovës.
Ndërsa njerëzit e punësuar në Kosovë, sipas Pacollit, janë të gjithë ata që kanë depërtuar nëpërmjet klaneve dhe familjarizimit.
“65 për qind janë të papunë në Kosovë, sidomos mosha që më së shumti mund të kontribuojë për vendin. Më shumë se gjysma e popullatës së aftë për punë është e papunë”, deklaron Pacolli, duke theksuar se është krijuar një ambient ku dominon padrejtësia, ku reflektohet gjithkund në Kosovë.

Pacolli ka folur edhe për procesin e privatizimit. Nëse vjen AKR-ja në pushtet, ai ka thënë se do të krijojë një komision që do të merret me shqyrtimin e të gjitha rasteve të privatizimit, që sipas tij, ka qenë i egër, ndërsa fondet prej shitjes së ndërmarrjeve janë dërguar jashtë shtetit. Ndërsa për buxhetin e vitit 2017 që përfaqësues institucionesh e quajnë historik, duke iu referuar rritjes ekonomike, Pacolli thotë të jetë buxhet i asfaltit. Ai tha se shumë pak ndahet fonde për bujqësi, ndërsa importojmë shumicën e produkteve nga Serbia.

Për t’i sjellë të gjitha në binar, si shëndetësinë, gjyqësinë, Pacolli tha kë ketë zgjidhje, ndërsa është ndalur edhe te remitencat e mërgimtarëve.
“Remitencat, kur në Shqipëri pothuajse janë ndalur, në Kosovë trendi ka qenë në rritje. Kjo tregon se kosovarët e duan vendin e tyre. Këto janë paratë që vijnë nga djersa dhe puna e bashkatdhetarëve tanë”, tha Pacolli, duke theksuar rolin ekonomik që luan diaspora për Kosovën.

“Diaspora është burimi i vetëm i parasë që vjen për qeveritë në Prishtinë, të cilëve nuk iu nevojitet asnjë program e asnjë lobim”, deklaron Pacolli, duke inkurajuar mërgimtarët që të vazhdojnë me investimet në vendin e tyre.

Partia e tij, sipas Pacollit, ka një program specific, sidomos për mërgatën, duke premtuar se do të sigurojë 5 vende të rezervuara në Parlamentin e Kosovës në kuadër të 20 deputetëve të minoriteteve.

“Vota e mërgatës është kualitative që nuk vjen prej emocioneve. Diaspora duhet të mobilizohet kësaj radhe. Që e doni Kosovën e di, prandaj kërkoni nëpër ambasada dhe konsullata dokumentacionin zgjedhor, votoni me kohë, ndërsa vota juaj do të numërohet dhe sa më tepër që do të votoni, e mbështetni realitetin dinjitoz në Kosovë”, ka kërkuar nga bashkatdhetarët Behgjet Pacolli, ndërsa këta të fundit kanë bërë pyetje për sigurimet, për ligjin e Trepçës dhe sa ka siguri për investime në Kosovë.

Në zgjedhjet e fundit AKR-ja e Behgjet Pacollit nuk kishte arritur për një numër të vogël votash ta kalojë pragun zgjedhor prej 5 për qind.

(Foto: Armend Berisha)