Opinione
Diaspora në dialogun ndërshqiptar
Gjatë shkollës fillore dhe të mesme në Prishtinë më ka ndodhur shpesh që nuk kam pritur të marr librezën e notave dhe me kënaqësinë më të madhe shkoja në fshatin Terrnovë, që zyrtarisht është pjesë e fshatit Kllodernicë, e gjeografikisht është i ndarë tërësisht. Ky fshat i takon «Shqipërisë së vogël», siç e quanin serbët Drenicën në kohën e luftës të Azem Bejtës. Më duket që serbët kishin të drejtë ta quanin Drenicën «Shqipëri e vogël». Jo vetëm sytë e shpirti që ishin të drejtuara nga Shqipëria, po burimi i informatave si dhe të gjitha antenat e televizorëve dhe radiove në Drenicë ishin të kthyera në drejtim të Shqipërisë…
Ishin pushime që mishërohesha me jetën e fshatit, me bëmat e kushërinjve, me familjen, me tokën, me malet dhe lojërat pa ndërprerë me kushërinjtë. Nuk kisha të ndalur, edhe atë moment kur kisha dëshirë të ndalesha. Edhe kur kisha dëshirë të lexoja ndonjë roman, nuk ndalesha. I nxitur nga jeta e Robinson Kruzos, pata ndërtuar një vendpushim me disa dërrasa në dëgët e një dardhe të vjetër dhe, ashtu duke lexuar, soditja fillimin e Alpeve Shqiptare që radhiten mbi fshatin Syriganë.
Të afërmit e familjes dhe kushërinjtë nuk ishin shumë kureshtarë të më bënin pyetje për jetën e qytetit, tani ishin mësuar me praninë time. Edhe ato pak biseda që bënin, për dallimin mes jetës së fshatit dhe të qytetit, ishin biseda sipërfaqësore, të ushqyera shpesh me paragjykime. Këto paragjykime vazhdojnë ende jo vetëm mes fshatit e qytetit, po edhe mes regjioneve të ndryshme të Kosovës.
Për këtë fakt të paragjykimeve as që kam menduar kur isha në fshat e as në qytet, po kur kalova Alpet Shqiptare dhe u vendosa në Tiranë, gjatë studimeve, shumë shpejt u ballafaqova me atë që quhet joinformim. Bisedat me vendësit shpesh nuk kishin qasje në një bisedë të mirëfilltë shpjeguese. Për gjendjen në Kosovë sikur nuk dëshironin të dëgjonin. Versioni i paraqitur nga disa kosovarë me sa duket më shumë u përshtatej vendësve. Version që kishte të bënte me anën materiale të shprehur si pozicionim i kosovarëve karshi vendësve. Studentët e shumtë të Kosovës, të vendosur në godinën e studentëve në «Qytetin Studenti» në Tiranë, ishin të pafuqishëm të tregonin realitetin. Isha ndër studentët e paktë nga Kosova që kisha zënë shoqëri me vendësit, shoqëri që kemi edhe tani, edhe pse të gjithë të shpëndarë në vende të ndryshme të botës. Vendosja ime në Zvicër më bëri të shoh ato dallime me një këndshikim tjetër, dallime që ishin mes regjioneve së pari në Kosovë, e pastaj në mes të Kosovës e Shqipërisë. Thuhet që çdo gjë që është e panjohur, shkakton frikë. Kosova, duke qenë e pushtuar në çdo cep të saj, pothuajse nuk kishte mundësi ta njohë mirë vetveten, e Shqipëria e idealizuar i ndihmoi Kosovës të jetë e fortë dhe të mos dorëzohet. Shqipëria nuk e njihte vetveten, se e kishte humbur besimin në vetvete, e nuk kishte forcë të njihte Kosovën.
Po lufta e Kosovës e beri të veten sa filluam ta njohim njëri-tjetrin në kohë të vështira të mbijetesës. Tani Kosova dhe Shqipëria i kanë të gjitha mundësitë të njihen me një vullnet të përbashkët. Rruga e Kombit ekziston, e kjo rrugë kërkon të ketë lëvizje të pandërprera, duke bartur më vete shumë projekte e aksione që do të ndikonin në fuqizimin e faktorit shqiptar në shumë fusha të jetës.
Raporti i Kosovës karshi diasporës i gjason modelit përfaqësues të komunikimit të shprehur në formën e ashtuquajtur si «Maja e Ajsbergut», ku vetëm një pjesë e vogël shihet mbi sipërfaqen e ujit. Dhe, pjesa më e madhe e komunikimit në mes të Kosovës dhe diasporës nuk shihet. «Maja e Ajsbergut» shihet, po masa e madhe dhe solide që gjendet nën sipërfaqen e ujit nuk shihet.
Disa aspekte të komunikimit të diasporës me Kosovën tani janë më se të njohura dhe bëjnë pjesë në atë që mund ta quajmë «aspekte të dukshme të komunikimit», siç janë: vizitat e diasporës në vendlindje, apo vizitat e të afërmve në vendet ku jeton diaspora, pastaj dërgimi i parave dhe gjërave të ndryshme, ndërtimi i shtëpive apo lokaleve, hapja e bizneseve bën pjesë po ashtu në këtë komunikim të dukshëm të diasporës me Kosovën.
Në komunikimin që nuk shihet janë aspekte që kanë të bëjnë si formë e interaksioneve kulturore. Diaspora shqiptare, duke jetuar në shtete të ndryshme, sidomos në shtetet perëndimore, bart në vete atë që quajmë «Mësim ndërkulturor». E ky «mësim ndërkulturor» referohet në procesin individual për të marrë njohuri, në sjellje të ndryshme, në interaksion me ndryshimet kulturore.
Shpesh, interesimi për kulturë kërkon të zhytemi në interaksione ndërkulturore. Se po të ishte vetëm një kulturë, në fakt, nuk do të flisnim e nuk do të mendonim për kulturën.
Kultura bart në vete definicione të ndryshme, po diaspora shqiptare në komunikimin me Kosovën bart dhe sjell atë që quhet ‘përvojë ndërkulturore’. Këtu vetëm do të citoj disa përvoja për të ilustruar konkretisht e argumentuar me shembuj konkretë.
Përvoja që nga mësimi i gjuhëve, i të shprehurit me fjalor shumëgjuhësor është përvojë e sjellë në Kosovë.
Kultura e punës, e marrë në shtetet e ndryshme perëndimore sjell biseda e bashkëbisedim jo vetëm në rrethet familjare, po ashtu edhe në struktura të ndryshme.
Kultura ushqimore është ndër komunikimet më të shpejta dhe shpesh edhe më efikaset në komunikimin e diasporës me Kosovën.
Komunikimi i diasporës me Kosovën do të jetë më se i suksesshëm kur do të fillojë të pranohet ky dallim jo si ndarje, po si forcë e përbashkët. Adaptimi zhvillohet në momentin e pranimit të dallimeve. Diaspora dallohet sipas vendeve ku jeton. Diaspora përbëhet nga gjeneratat e ndryshme, të cilat kanë dallime të mëdha në mes vete. Fëmijët shqiptarë, të lindur apo të rritur në vendet perëndimore, kanë jo vetëm plane të jetës të ndryshme nga prindërit apo gjyshërit, po këta fëmijë nuk e kanë të njëjtin komunikim me Kosovën si vend i origjinës të prindërve të tyre.
Integrimi i diasporës shqiptare në vendet perëndimore kërkon një ridefinim të përhershëm të identitetit në term të përvojës dhe njohja e specifikave të diasporës lehtëson komunikimin me Kosovën.
Ka disa vjet që flitet për dialog mes Kosovës dhe Serbisë dhe ky «dialog» ka zënë vend më shumë se dialogu në mes të diasporës dhe Kosovës. Njohja e diasporës si formë e komunikimit gjithëshqiptar do ta forconte faktorin shqiptar. Kjo njohje e diasporës do të mundësonte që diaspora të jetë më e pranishme në Kosovë dhe Kosova do të ishte më shpejt e pranishme në Perëndim…
Migjen Kajtazi
E-Diaspora
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR Nga rrënjët modeste tek frymëzimi për energjinë diellore...
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
-
A e keni ditur që hiti për Krishtlindje është xhiruar para 40 vitesh në Zvicër?
-
Borë në kantonet Schwyz dhe Bernë të Zvicrës
Jeta në Zvicër
-
Mediat: Shërbimet mjekësore zvicerane të bëra jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane Në Zvicër, shërbimet mjekësore të kryera jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane, pavarësisht se kushtojnë më...
-
Anëtari i ekuipazhit zviceran ende në kujdes intensiv pas uljes urgjente në Austri
-
Ulja emergjente e avionit zviceran në Graz është shkaktuar nga një problem teknik
-
Berna ka përditësuar, në internet, hartën e saj të rreziqeve sipas qyteteve të kantonit
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit?