Kosova
Diaspora: Konsumatore apo partnere e zhvillimit të Kosovës?
Editorial i botuar në numrin më të ri të revistës albinfo.ch, nga Sevdail Tahiri, drejtor i Platformës mediale Albinfo.ch (Print&Online)
Për 17 vjet me radhë, diaspora shqiptare ka dërguar në Kosovë mbi 13.7 miliardë euro. Ky fakt i publikuar së fundmi nga albinfo.ch është shumë më tepër sesa një statistikë financiare – është një pasqyrë e një realiteti të thellë dhe të qëndrueshëm: mbështetja e vazhdueshme dhe e pakursyer e bashkatdhetarëve tanë jashtë vendit.
Remitencat nga diaspora nuk kanë qenë vetëm ndihmë për familjet, por shpesh edhe shpëtim për një ekonomi të brishtë. Ato kanë mbuluar nevoja bazike, kanë nxitur konsumin e brendshëm, kanë mbajtur gjallë sektorë si ndërtimi, tregtia dhe shërbimet – veçanërisht në periudhat festive. Megjithatë, kjo marrëdhënie mes Kosovës dhe diasporës ngre një pyetje që kërkon reflektim serioz: A e trajton Kosova diasporën si partner strategjik për zhvillim, apo ende e sheh atë thjesht si konsumator që sjell para?
Në retorikën politike, diaspora përmendet shpesh me tone lavdëruese. Quhet “shtylla e katërt e shtetit”, “krah i fortë i Kosovës”, “ambasadore e kombit në botë”. Por përtej kësaj gjuhe entuziaste, praktikat konkrete shpesh mbesin të kufizuara. Mundësitë për përfshirje të drejtpërdrejtë të diasporës në zhvillimin ekonomik, në ndërtimin e politikave publike apo në sistemin arsimor e inovativ janë ende të pakëta .
Nëse diaspora vazhdon të shihet vetëm si burim remitencash, atëherë Kosova humb një mundësi të çmuar. Në vend të një qasjeje të njëanshme, shteti dhe shoqëria duhet ta shohin diasporën si aleate të barabartë në ndërtimin e së ardhmes. Potenciali i diasporës është shumë më i madh: ekspertizë profesionale, kapital investues, lidhje ndërkombëtare, përvojë menaxheriale dhe ndjeshmëri ndaj standardeve moderne të funksionimit institucional.
Janë mijëra profesionistë shqiptarë në Zvicër, Gjermani, SHBA, Austri e më gjerë që kontribuojnë çdo ditë në zhvillimin e vendeve ku jetojnë. A po krijohet një hapësirë reale për ta që të kontribuojnë njësoj në vendlindje? A ka një strategji të mirëfilltë për tërheqjen e investimeve të diasporës, për përfshirjen e saj në proceset vendimmarrëse, apo për krijimin e partneriteteve afatgjata?
Përgjigjet, për fat të keq, nuk janë ende aty ku duhet. Prandaj, është koha për ndryshim të qasjes. Kosova duhet të ndërtojë ura reale bashkëpunimi me diasporën – jo vetëm për remitenca, por për dije, për përvojë dhe për vizion, mos te flasim për votën që është një e drejtë themelore, e cila i përket çdo individi që posedon shtetësinë e një vendi, pavarësisht vendndodhjes së tij. Në këtë drejtim, edhe zërat për të kufizuar këtë të drejtë për ata që jetojnë jashtë vendit është një shkelje e hapur e parimeve demokratike.
Në fund të fundit, sfida nuk është thjesht të mbështetemi mbi diasporën, por ta integrojmë atë si pjesë të pandashme të zhvillimit të vendit. Kjo kërkon politika të mençura, institucione të hapura dhe një kulturë bashkëpunimi që shkon përtej sezonit të pushimeve verore apo fundvitit.
Koha për këtë transformim është tani.
E-Diaspora
-
MY LASER VISION, adresa e duhur për ata që duan t`i heqin syzet MY LASER VISION – trajtim falas dhe ekip me mbi 20 vite përvojë: Klinika që po... -
Shqiptari i zhdukur prej dy javësh në Austri, gjendet i vdekur në Gjermani -
Dita e të Drejtave të Njeriut shënohet me apel për barazi reale, qasshmëri dhe pjesëmarrje qytetare -
Vonesë në votimin me postë për diasporën -
Shqiptarët që shënuan vitin 2025 në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
MY LASER VISION, adresa e duhur për ata që duan t`i heqin syzet MY LASER VISION – trajtim falas dhe ekip me mbi 20 vite përvojë: Klinika që po... -
Pse në Zvicër po bëhet gjithnjë e më e vështirë të ndërroni banesë? -
Zvicër: Hyn në fuqi marrëveshja e re kolektive kombëtare e ndërtimit -
Shqiptarët që shënuan vitin 2025 në Zvicër -
Banorët e evakuuar të Brienzit mund të rikthehen të shtunën












