Zhvillim

Diaspora kërkon bashkëpunim të qëndrueshëm me atdheun

Në kuadrin e Ditëve të diasporës u mbajt një debat për hapat e mëtejmë të bashkëpunimit të diasporës me vendlindjen

Pas ndarjes së çmimeve të Ministrisë së Diasporës për kontributet e individëve dhe institucioneve në promovimin e diasporës, një grup pjesëmarrësish, në një odë të improvizuar me çilima e shkëmba trekëmbësh, u mblodhën për të diskutuar për hapat e mëtejmë të bashkëpunimit të diasporës me vendlindjen, duke dhënë kështu vërejtje, por edhe ide të reja, gjithmonë me qëllim të afrimit të mërgatës me vendlindjen.

Ministri Valon Murati, i shoqëruar nga drejtori i RTK-së Mentor Shala, Ministri i Mirëqenies Sociale i Shqipërisë Blendi Klosi, pastaj kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Qemal Minxhozi etj. hapi debatin duke u përqendruar në rrugëzgjidhjen e një bashkëpunimi të frytshëm me diasporën.
Këtë debat e nderuan edhe yjet e muzikës shqiptare si Nexhmije Pagarusha, Elina Duni e Shpresa Gashi, si dhe aktivistet nga Zvicra Valdete Hoti e Shukrije Ramadani.

Një Kanal televiziv vetëm për diasporën!

Nga një grup studentësh që kishin ardhur enkas nga diaspora për këtë ngjarje u shtrua pyetja për përfshirjen e diasporës në Radiotelevizionin e Kosovës. “Në këtë drejtim jemi duke punuar vazhdimisht që aktivitetet e diasporës të përfshihen mjaftueshëm në programin tonë televiziv, por jemi gjithashtu duke punuar në idenë që të kemi një kanal televiziv vetëm për diasporën“, ishte përgjigjja e drejtorit Shala.

Suksesin e një bashkëpunimi më të efektshëm me diasporën, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi e sheh te një bashkërendim më të mirë të Shqipërisë me Kosovën dhe Maqedoninë, sidomos në kontributin e mësimit të gjuhës amtare. Minxhozi kërkoi që të ketë sidomos emisione televizive me minutazh të mjaftueshëm për leksione nga gjuha amtare për fëmijët e bashkatdhetarëve që jetojnë në diasporë.

Elina Duni dhe Shkëlzen Gashi, shembuj për të tjerët

„Por, jo vetëm kaq, ne duhet të punojmë edhe me rininë universitare ngase elita studentore është pak indiferente. Kemi arritje, që nuk janë palë e politikës të asnjë vendi në fushën e artit dhe në fushën e sportit. Kemi Elinën këtu që shumë pak ka pasur mbështetjen e shtetit, por ka ecur shumë përpara, ose Shkëlzen Gashi si dhe të tjerë në fushën e artit e të kulturës. Por, ne duam që të kemi arritje edhe në fusha të tjeta, në atë të ekonomisë, të informatikës etj. që mund ta na japin një ndikim shumë të madh në zhvillimin e shqiptarisë“, tha ambasadori Minxhozi.

Nga albinfo.ch u shtrua pyetja se si ka mundësi që Ministria e Diasporës të hartojë një program gjithëvjetor për diasporën e jo të mbetet vetëm me program veror, ngase lëvizjet e diasporës me vendlindjen tashmë janë gjatë gjithë vitit.

Lidhur me këtë, ministri Murati tha se me buxhetin aktual është vështirë të realizohet një program i tillë, por „ne po bëjmë përpjekje që me buxhetin ekzistues ta maksimalizojmë aktivitetin e bashkëpunimit me diasporën.

Murati: Nevojitet bashkëveprimi i dy qeverive

Por, nëse arrijmë t’i mobilizojmë të dy qeveritë, pra këtë të Prishtinës dhe atë të Tiranës, atëherë ne do të kishim aktivitete shumë përmbajtjesore, p.sh. shkollat verore dhe shkollat dimërore kur ne sjellim nga dy-treqind nxënës nga diaspora në Kosovë dhe i çojmë edhe në Shqipëri dhe në pjesën shqiptare të Maqedonisë, por që realisht ato janë pa impakt të madh. Impakti do të ishte nëse ne do të arrinim t’i sjellim 10 mijë fëmijë nëpër shkolla verore dhe t’i integrojmë me fëmijët që janë këtu. Pra duhet të hulumtojmë forma që fëmijët shqiptarë të ruajnë identitetin e tyre dhe kjo më së miri bëhet kur atyre u mundësojmë që, së paku gjatë verës, ta kenë një vendtakim të përbashkët ku do të njihen më mirë mes vete, dhe, padyshim kjo nuk do t’i kushtonte shumë qeverive tona që ta ndërtojnë një objekt të tillë në Durrës, Gërmi, Rugovë, Brezovicë a gjetiu“, tha mes tjerash ministri Murati.

Me këtë u pajtua edhe Ministri i Mirëqenies Sociale i Shqipërisë Blendi Klosi, i cili, bazuar në kapacitetet ekzistuese, u zotua që për vitin e ardhshëm të mundësojë strehimin e dhjetë mijë të rinjve që do të kalonin së bashku dy javë në Shqipëri. Sa i përket rrjetit të studentëve nga diaspora, Klosi tha se ata janë një zë shumë i fortë në këtë kapitull, duke mos lënë anash edhe interesin ekonomik. „Për sa kohë që ne kemi ekonominë më të varfër, ne do të kemi emigracion“, tha Klosi, duke kërkuar kështu një bashkëpunim dhe kontribut më të drejtpërdrejtë nga rrjeti i studentëve.

Bashkëpunimi i Prishtinës me qendra evropiane zhvillohet edhe falë bashkatdhetarëve tanë atje

Në këtë bisedë u inkuadrua edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti i cili kahun e bisedës e drejtoi kah suksesi i gjeneratës së dytë dhe të tretë të shqiptarëve në diasporë. Gjatë bisedës ai mori një shembull për numrin e madh të shqiptarëve në Lozanë të Zvicrës dhe rolin e tyre në atë shtet, por edhe detyrat e tyre që i presin në integrimin e tyre në shtetin ku jetojnë, sepse sa më të integruar që janë atje, aq më tepër mund ta ndihmojnë vendin e tyre të origjinës. „Bashkëpunimin që e bën Prishtina me komuna të tjera në Evropë krejt rrjedh prej punëtorëve shqiptarë nëpër ato komuna.

„P.sh. sot Manhajmi në Gjermani më bën presion mua që Prishtina të lidhet me Manhajmin që të na japin ata neve para për ta ndihmuar administratën, vetëm e vetëm se atje punon një shqiptar që është shumë i afërt me kryetarin e atjeshëm, dhe këso shembujsh kemi gjithandej në Belgjikë, Amerikë, Zvicër e gjetiu“, tha kryetari Ahmeti , duke u mburr me të arrituar individuale të shumë shqiptarëve si në fushën e ekonomisë, po ashtu edhe në fushën e politikës. Ahmeti gjithashtu shprehu shqetësimin e (mos)investimeve të diasporës në Kosovë si rrjedhojë e mosluftimit të mjaftueshëm të korruptimit. „Asnjë i huaj nuk dëshiron të investojë në Kosovë, derisa nuk e sheh se këtu kanë investuar bashkatdhetarët tanë, disa prej të cilëve pas luftës kanë investuar dhe janë tërhequr, duke mos i përballuar presionit korruptiv“, shprehu shqetësimin e tij Ahmeti.

Dy prindër kërkuan që studentëve të tyre nga Gjermania t’u mundësohet mbajtja e praktikës në Kosovë, sepse vetëm kështu ata mund të joshen për t’u kthyer me punë të përhershme në vendlindje.
Sidoqoftë ky debat inkurajoi edhe më shumë rrjetin e studentëve të diasporës që të vazhdojnë rrugëtimin e tyre drejt krijimit të një asociacioni studentësh me ndikim në lidhjen me vendlindjen.
Teuta Abazi, juriste nga Gjermania bashkë me dy kolege nga Sllovenia janë kureshtare që të njoftojnë sa më shumë të rinj nga Kosova, të cilët do të përfshiheshin në asociacionin e studentëve.

Vlen të përmendet se kjo ngjarje u shoqërua edhe me praninë e punimeve artizanale dhe bujqësore të grave të Kosovës që në vazhdimësi përpiqen të jenë pjesë e traditës sonë kombëtare.