Opinione
Diaspora jonë duket pak e interesuar për zgjedhjet e dhjetorit, përse ndodhë kjo ?
Mendohet se populli maqedonas e ka më lehtë për t`u identifikuar me shtetin të cilit i takon. Kurse popullata jonë shqiptare nuk i ka të njëjtat lehtësi për t`u identifikuar tërësisht dhe pa asnjëfarë rezervë edhe me shtetin që i takon
Marrë parasysh potencialin e vërtetë ekzistues, duke u bazuar sidomos në numrin e popullatës sonë në diasporë, interesimi i kësaj kategorie të popullatës ndaj zgjedhjeve dhe pjesëmarrjes në proceset demokratike të Maqedonisë duket tejet i ulët në krahasim nga ajo që mund të pritej.
Vështirë është të kuptohen të gjithë faktorët që kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në « pasivitetin » e tillë, por megjithatë duket se disa nga parametrat e mëposhtme japin disa elemente sqaruese lidhur me këtë fenomen që është natyrisht për keqardhje. Sipas vlerësimeve që i dëgjojmë nga qarqet e ndryshme që i përcjellin me njëfarë vëmendje realitetet politike në Maqedoni, disa nga faktorët dekurajues apo frenues mund të prezantohen përmes pikave që vijojnë :
1.Dinamika aktuale e zhvillimeve politike, ekonomike dhe shoqërore në Maqedoni nuk lë vend për një optimizëm të madh. Në fakt, janë bërë shumë vite që ky shtet e ka tejet vështirë të marrë një rrugë të mbarë apo një kahje pozitive që do t’iu shkonte për shtati kërkesave legjitime të qytetarëve dhe interesit të shoqërisë në përgjithësi. Nënkuptohet se edhe kjo nuk inkurajon aspak diasporën që të implikohet, aq sa pritet në proceset zgjedhore apo të votimeve. Nuk duhet harruar aspak faktin se dëshira e diasporës është që të shohë prosperitet në vendet tona. Në këtë këndvështrim, bie në sy ajo se shprehja e dëshpërimeve nga diaspora nuk është aspak një tabu ;
2.Thuhet se maqedonasit e diasporës votojnë shumë më tepër se sa shqiptarët. Kjo është tejet e vërtetë dhe duket se nuk është aq vështirë për të gjetur përgjigjen lidhur me këtë ; mendohet se populli maqedonas e ka më lehtë për t`u identifikuar me partinë politike për të cilën voton, por ndërkohë edhe me shtetin të cilit i takon. Kurse popullata jonë shqiptare, nëse identifikohet gjithashtu, deri diku lehtë me partinë për të cilën voton, kjo nuk domethënë se i ka po të njëjtat lehtësi për t`u identifikuar tërësisht dhe pa asnjëfarë rezervë edhe me shtetin që i takon. Kuptohet se kjo sqarohet sidomos me faktin se shteti i Maqedonisë, edhe sot e kësaj ditë, vazhdon me stagnimin në respektimin e kërkuar të disa parimeve (posaçërisht të barazisë dhe mosdiskriminimit), parime këto që kanë një shtytje direkte në përforcimin e ndjenjës së përkatësisë shtetërore ;
3.Premtimet e partive tona politike vazhdojnë të jenë edhe më tutje të zbehta, jo bindëse dhe të zhveshura nga pragmatizmi. Nëse i kushtojmë vëmendjen e duhur angazhimit real të disa protagonistëve tanë politikë, vështirë është të dëgjohen, për shembull, premtime dhe aksione politike të mjaftueshme apo konkrete, të cilat do të dukeshin të realizueshme dhe për të cilat ka me të vërtetë nevojë popullata jonë që jeton në diasporë. Marrë parasysh edhe përvojat e së kaluarës, një pjesë e diasporës vazhdon të mos tregojë ndonjë kureshtje ndaj përsëritjes së disa premtimeve, qoftë vështirë të realizueshme, qoftë të mbështetura vetëm në strategji elektorale që synojnë para së gjithash fitimin e votës. Diçka është bërë dhe vazhdon të bëhet, por e gjithë kjo shtrihet më tepër në fushën e një pune modeste që nuk është për ndonjë lëvdatë të një çmimi të lartë ;
4.Po mbushen pothuaj tri dekada, që partitë tona shqiptare janë të përfshira në peizazhin politik të Maqedonisë. Rezultatet e veprimit të tyre, në instancat e ndryshme të institucioneve posaçërisht politike, fatkeqësisht prezantojnë sot një bilanc të zbehtë. Të marrim shembullin e disa parlamentarëve tanë të cilët, brenda mandateve disa vjeçare, arrijnë që të mos tregojnë ndonjë kontribut politik apo nuk i përmbahen angazhimit politik të dhënë para zgjedhëseve të tyre. Nuk janë plotësisht të vërteta arsyet e atyre që pretendojnë se faji është çdo herë te të tjerët ! Jo, edhe parlamenti i Maqedonisë nuk është aq i mbyllur sa pretendojnë disa, për të propozuar ndryshimet e kërkuara apo të nevojshme për interesat e popullatës. Thjesht, shpesh pasiviteti në punë (apo edhe padijenia) duket se i sqarojnë disa rezultate dëshpëruese. Fundja, ulëset e parlamentit, në mes tjerash, nuk do të duhej që të shfrytëzohen si një instrument për të theksuar vetëm fjalorin e ashpër të patriotizmit ; aty është vendi i përshtatshëm ku mund të ushtrohen shumë aktivitete të vyeshme për interesat që na prekin drejëpërdrejt, por e gjithë kjo kërkon që të veprohet me mençurinë dhe punën e duhur ;
5.Kacafytjet historike në mes të partive tona politike, që nuk kanë të ndalur, duket gjithashtu se nuk krijojnë ndonjë hapësirë inkurajuese për t`u besuar disa premtimeve politike. Nuk është aspak risi të thuhet se rivalitetet politike ekzistojnë në shume vende të botës, por te na « ajo çka është e tepërt është e tepërt !». Janë shumë vite në pyetje që jepen përshtypje se kacafytjet e tilla më tepër synojnë të mbrohet një karrierizëm se sa për dhënien e një kontributi të vërtetë apo realisht të nevojshëm për trupin elektoral ;
6.Kohërat duket se kanë ndryshuarë ! Për këtë, jemi të gjithë të vetëdijshëm. Tepër e më tepër, na pëlqeu apo jo, për shumë njerëz tanë të diasporës, orientimet e tyre prioritare në politikë ndryshojnë gradualisht me kalimin e viteve, duke u përqendruar kështu në politikën e vendit ku jetojnë. Kështu që, natyrisht se sot kemi shumë njerëz të viseve tona të cilët janë të involvuar me sukses në jetën politike të shtetit ku jetojnë, duke u identifikuar edhe përmes një integrimi në vlerat politike të shtetit përkatës ;
7.Me kalimin e viteve, diaspora tregon tepër e më tepër një qëndrim vlerësues të ashpër ndaj aksionit politik te na. Duket se shpesh ndikojnë përvojat që vërehen në shtetet e zhvilluara ku jetojnë, kështu që një pjesë e diasporës nuk kënaqet, siç ndodhte shpesh në të kaluarën, vetëm me ndëgjimin e një fjalimi patriotik të ndonjë përfaqësuesi tonë politik. Me fjalë të tjera, kërkohet më shumë punë dhe rezultate konkrete. Kërkohet thjeshte ajo që do të duhej të n’a mundësojë të avancojmë dhe t’i lëmë anësh interesat e ngushta personale apo vetëm ato karrieriste ;
8.Interpretimet që i jepen disa herë statusit të popullatës nga diaspora, sidomos nga një pjesë pakicë e popullatës vendase, duket se ndikon gjithashtu, në njëfarë mënyre, ne distancimin politik të diasporës, që mund të shprehet potencialisht me mungesën e vullnetit për t`i dhëne votën dikujt ;
9.Lidhur me kandidatët që prezantohen në zgjedhje nga diaspora, është evidente se nuk i kanë të njëjtat mundësi të afirmimit, në krahasim nga kandidatët që paraqiten brenda vendit. Natyrisht, kjo ndikon edhe në ate se kandidatët e tillë, kuptohet se e kanë sadopak vështirë që të krijojnë rrjetin e mjaftueshëm përkrahës dhe të domosdoshëm për një mobilizim, që do të ndikonte pastaj në rezultatet e zgjedhjes së tyre. Kësaj i shtohet edhe ajo se e kanë gjithashtu vështirë të prezantojnë ndonjë program konkret politik dhe të kuptueshëm aq sa duhet për interesat e diasporës ;
10.Roli tejet simbolik që i jepet statusit të deputetëve nga diaspora në parlamentin maqedonas i shtonë edhe disa vështirësi plotësuese. Përkujtojmë se deputetët e së kaluarës u zgjodhën vetëm përmes disa qindra votave ! Duket se deputetët nga diaspora, më tepër mbajnë një rol simbolik se sa diçka tjetër. Pa harruar kalkulimet politike që fshihen pas disa partive që « gjuajnë » kandidatët në diasporë.
Pas gjithë kësaj çka u tha, na kujtohet thënia e një analistit tonë politik i cili, në një deklaratë të tij, citonte një shembull të Sllovenisë apo disa shteteve tjera që llogarisin shumë në kontributin e diasporës gjatë një procesi zgjedhor të vendit të tyre. Nëse e marrim shembullin e Sllovenisë, ai mund të jetë inspirues i padiskutueshëm për të tjerët, por duket se gjendemi në një kontekst të « një krahasimi të pakrahasueshëm ». Ky shtet i ka mbeturë çdo herë pranë diasporës së vetë. Shumë faktorë kanë ndikuar që diaspora e saj të tregojë një motivim të pakursyer që të integrohet në proceset politike të vendit të vetë. Do të ishte një nderë i veçantë nëse do të ishim inspiruar në modelin slloven, por vështirë e imagjinueshme në planin praktik !
Fundja, diaspora jonë duhet të votojë dhe do të ishte natyrisht në interesin e të gjithëve që ajo të implikohet shumë më tepër në proceset politike të vendit tonë. Por termit « duhet », duhet ti shtohet së paku edhe një « duhet tjetër » ; diaspora meriton të gëzojë një trajtim tjetër dhe me plotë arsye kërkon edhe rezultate të tjera, posaçërisht tek protagonistët tanë politik që presin aq shumë nga diaspora jonë.
- Ky është një opinion i autorit, i cili jo domosdoshmërisht përputhet me qëndrimin e redaksisë
E-Diaspora
-
Granit Xhaka është pjesë e formacionit më të mirë të vitit në Bundesliga Ylli shqiptar i Bayer Leverkusenit, Granit Xhaka, ka përfunduar si pjesë e formacionit më të mirë...
-
Përfundojnë pritjet në kufirin Kroaci-Serbi
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
Jeta në Zvicër
-
Mediat: Shërbimet mjekësore zvicerane të bëra jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane Në Zvicër, shërbimet mjekësore të kryera jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane, pavarësisht se kushtojnë më...
-
Anëtari i ekuipazhit zviceran ende në kujdes intensiv pas uljes urgjente në Austri
-
Ulja emergjente e avionit zviceran në Graz është shkaktuar nga një problem teknik
-
Berna ka përditësuar, në internet, hartën e saj të rreziqeve sipas qyteteve të kantonit
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit?