Opinione
Dhuna familjare nga perspektiva islame
Dhuna familjare nuk është çështje private! Njerëzit që i shtyp dhe i dhunon, nuk janë pronë e jotja!
Një element i rrezikshëm që e kërcënon familjen dhe mbarë shoqërinë është dhuna brenda familjes. Përderisa dhuna shoqërore është e dukshme dhe vërehet nga shumëkush, dhuna brenda familjes në të shumtën e herëve mbetet e fshehtë, e padukshme, andaj edhe e padënueshme, sidomos nëse kësaj ia shtojmë edhe mendësinë e përhapur në popull e cila në një farë dore e arsyeton dhunën brendafamiljare me shprehjet e njohura, si “Kjo është pjesë e jetës private”, “Ndodhin gjëra të këtilla midis burrit dhe gruas”, “Ai është baba, edhe të do edhe të rreh” e të ngjashme.
Dhuna familjare zakonisht fillon me diçka të vogël, por vazhdimisht shtohet derisa arrin te incidentet e dhunshme. Dhuna familjare i prek të gjitha shtresat sociale, pavarësisht të ardhurave, statusit social, kulturës, fesë apo prejardhjes. Ajo ndodh midis personave që dikur e kanë lavdëruar, e kanë dashur, e kanë respektuar dhe e kanë nderuar njëri-tjetrin.
Vetëm në vitin e kaluar, 2017, për shembull, në kantonin Thurgau të Zvicrës që numëron afro 274 mijë banorë, policia kantonale është dashur të intervenojë në 700 raste të dhunës familjare, që i bie afro 2 herë në ditë. Kjo është shifra që dihet, që është lajmëruar dhe që është regjistruar. Të mos flasim për atë që nuk dihet dhe nuk denoncohet.
Kur themi dhunë familjare, sipas Konventës së Stambollit (2011), nënkuptojmë kërcënimin ose dhunën fizike, psikike, seksuale etj. që ushtrohet nga ana e anëtarëve të një familjeje apo të një partneriteti. Sot dhunë fizike numërohet shtyrja, kapja apo mbërthimi, shkundja, zërja e frymës, kërcënimi me thikë etj. Dhunë psikike konsiderohet poshtërimi, kërcënimi, kontrollimi i tepruar, ndalimi i kontaktit me njerëzit tjerë, stalking (ndjekja fshehurazi) etj. Dhunë seksuale konsiderohet bezdisja, shtrëngimi, përdhunimi etj. Dhunë ekonomike konsiderohet konfiskimi i fitimit, uzurpimi i parave etj. Dhunë sociale llogaritet paternalizmi, ndalimi i kontakteve sociale, ndryrja (mbyllja me dry në një hapësirë) etj.
Aty ku problemet nuk mund të zgjidhen me komunikim dhe me dialog, aty përdoret dhe ushtrohet dhuna. Dhuna nuk është metodë për zgjidhjen e problemeve, por ushtrim i presionit dhe i shtypjes mbi tjetrin, nga më i fuqishmi mbi më të pafuqishmin, mbi të dobëtin. Me fjalë të tjera, dhuna është përdorim i forcës në mënyrë të padrejtë, ajo është zullum.
Të gjitha llojet e dhunës janë shkatërrimtare. Mirëpo më shkatërrimtare është dhuna mbi anëtarët e një familjeje nga vetë anëtarët e tjerë të saj. Sepse, kjo nuk është kërcënim vetëm për individët, por për mbarë shoqërinë, nga vetë fakti se familja është njësia më e vogël e saj. Dhuna brenda familjes i lëkund themelet e mbarë shoqërisë. Në qoftë se në vendin ku pritet të kultivohet mirëkuptimi, toleranca, dashuria dhe respekti i ndërsjellë, mbisundon keqkuptimi, mosdurimi, urrejtja dhe mosrespektimi; në qoftë se në vendin ku njeriu pret ta ndiejë veten më të sigurtë e më të qetë, ai e ndien veten jo të sigurtë dhe jo të qetë; kjo nënkupton lëkundjen e tmerrshme të themeleve të mbarë shoqërisë. Anëtarët e familjes që përjetojnë dhunë nga njëri-tjetri e humbasin shpresën dhe sigurinë në më të shtrenjtën e tyre. Atyre që u rrënohet personaliteti për shkak të dhunës, nuk do të mund t’u besojnë lehtë as edhe personave të tjerë jashtë familjes po as edhe institucioneve të tjera serioze të shoqërisë.
Dhuna shkakton plagë trupore (fizike) dhe shpirtërore (psikike), që zor se mund të riparohen. Nga dhuna familjare në veçanti preken fëmijët, për çka ekziston edhe rreziku më i madh që ata, qetësinë dhe sigurinë shpirtërore që nuk e gjejnë dot në familje, do të mundohen ta gjejnë e ta kompensojnë tek alkooli, te droga, te bixhozi si dhe te anëtarësimi në shoqata e organizata ekstremiste dhe terroriste. Kjo nënkupton, se dhuna prindërore ndaj fëmijës ka mundësi të krijojë një përbindësh i cili do ta kërcënojë tërë shoqërinë.
Në përmasa më të mëdha dhuna në familje ushtrohet kryesisht nga burri ndaj gruas dhe nga prindërit ndaj fëmijëve, edhe pse edhe rastet e kundërta kohëve të fundit janë po ashtu evidente, sidomos kur burri dobësohet fizikisht në raport me gruan apo edhe kur prindërit plaken dhe mbeten të varur ndaj fëmijëve të tyre.
Arsyet për ushtrimin e dhunës familjare janë disa llojesh: biologjike, psikologjike, sociale madje edhe disa interpretime fetare.
Ndër arsyet biologjike të dhunës zakonisht numërohen sëmundjet mendore si ndikimi i hormoneve të mashkullit, depresioni, skizofrenia, skizofrenia paranoide si dhe çrregullimet antisociale të personalitetit (çrregullimi psikopatik i karakterit) të njeriut.
Ndër arsyet psikologjike të dhunës zakonisht numërohet mungesa e komunikimit, e dialogut, e respektit dhe e mirëkuptimit të ndërsjellë. Atëherë kur lëndohet dhe shembet ndjenja e sigurisë dhe e respektit ndaj njëri-tjetrit, aty depërton dhuna në mënyrë shumë tinëzare. Burri – në raport me gruan – dhe prindërit – në raport me fëmijët – e përdorin dhunën kryesisht për ta çuar në vend fjalën e vet, për të ushtruar presion, për të mbuluar të metat e veta dhe për ta legjitimuar pushtetin brenda në familje. Pika më e dobët e burrit apo e prindit është ajo kur ata ushtrojnë dhunë mbi anëtarët e tjerë të familjes. Me fjalë të tjera, dhunë mbi më të dobëtit ushtrojnë njerëzit me personalitet të dobët dhe të pazhvilluar mirë.
Ndër arsyet sociale të dhunës mund të numërojmë mësueshmërinë e dhunës. Ushtrimi i dhunës është diçka që mësohet kryesisht në familje. Është provuar shkencërisht se ata fëmijë dhe të rinj që rriten në familje ku dhuna – edhe ndaj tyre – ushtrohet në mënyrë sistematike, tregojnë prirje më të mëdha për ushtrim të dhunës ndaj të tjerëve më vonë kur të rriten. Si arsye sociale mund të përmendet edhe fakti se në disa shoqëri e rrethe dhuna kuptohet dhe interpretohet si një masë e mirë disiplinimi, andaj edhe si një vlerë, si diçka e mirë, e cila jo vetëm që meriton, por edhe duhet të përcillet në brezat e ardhshëm. Në këtë drejtim, si arsye sociale mund të përmendet edhe mungesa e aftësisë për komunikim normal dhe të arsyeshëm, të argumentueshëm, shprehia për të shprehur në mënyrë provokuese idetë dhe ndjenjat personale, paragjykimet dhe fajësimet e pavend ndaj të tjerëve… Ndër këto arsye mund të përmenden edhe elementet e presionit socio-ekonomik siç është varfëria, ndjenja e paaftësisë ndaj situatave të ndryshme në jetë, frustracioni ose mosplotësimi i pritshmërive njerëzore… si dhe përfundimisht varësia nga alkooli, droga, bixhozi dhe veset e tjera të këqija.
Ndër arsyet fetare për ushtrimin e dhunës mund të përmendim interpretimin e gabuar të teksteve fetare si dhe botëkuptimin e gabuar të disa çështjeve morale. Ndër tekstet fetare më të keqkuptuara dhe më të keqpërdorura në botën islame janë ajetet kur’anore si dhe hadithet e Muhammedit a.s., të cilat gjoja e lejojnë, madje e sugjerojnë, përdorimin e dhunës në familje. Kështu ajeti 34 i sures 4, en-Nisa’, sipas mendësisë patriarkale, sugjeron rrahjen e gruas kryeneçe si masë disiplinimi ndaj saj për ta ruajtur kompaktësinë familjare. Ajeti është siç vijon:
“Burrat janë përgjegjës për gratë, ngase All-llahu ka graduar disa mbi disa të tjerët dhe ngase ata kanë shpenzuar nga pasuria e tyre. Prandaj, me atë që All-llahu i bëri të ruajtura, gratë e mira janë respektuese, janë besnike ndaj të fshehtës. E ato që u keni druajtje kryelartësisë së ty-re, këshilloni, madje largohuni nga shtrati, (e më në fund) edhe rrihni (lehtë, nëse nuk ndikojnë këshillat as largimi), e nëse ju respektojnë, atëherë mos u sillni keq ndaj tyre. All-llahu është më i larti, më i madhi. Nëse i frikësohen përçarjes mes tyre (burrit e gruas), dërgoni një pari të drejtë nga familja e tij dhe një pari të drejtë nga familja e saj. Nëse ata të dy (ndërmjetësuesit) kanë për qëllim pajtimin, All-llahu u mundëson afrimin mes tyre (burrit e gruas). All-llahu është i dijshëm, është njohës i mirë.”
Në këto dy ajete trajtohet çështja e një familjeje, në fakt e një jete bashkëshortore, e cila ka filluar të luhatet dhe e njërit çift bashkëshortor i cili nuk i përfill normat dhe vlerat e jetës bashkëshortore dhe familjare. Pra, bëhet fjalë për raste të veçanta dhe jo për raste të rregullta normale; bëhet fjalë për përjashtime e jo për norma.
Duke qenë se në kohën para-islame dhe në fillim të Islamit gratë dhe të dobëtit tjerë rriheshin, shtypeshin dhe keqtrajtoheshin për arsye banale dhe jo të rëndësishme, Islami kërkon me këtë rast një gjakftohtësi dhe racionalitet në zgjidhjen e problemeve të këtilla. Përderisa më herët e para që funksiononte në këto rrethana ishte rrahja, dajaku apo dhuna, në këto dy ajete si “masë disiplinimi” rrahja shtyhet më tutje, në plan të tretë, jo edhe në të dytin; krejt me qëllim që njerëzit të tentojnë te merren vesh dhe të komunikojnë ashtu siç u ka hije njerëzve, duke angazhuar madje edhe ndërmjetësit për pajtimin dhe afrimin e çiftit bashkëshortor, dhe krejt në fund, nëse edhe kjo dështon, atëherë të kërkojnë shkurorëzimin po ashtu në mënyrë njerëzore. Pra, këtu kemi pesë hapa me rëndësi në zgjidhjen e një konflikti brenda-familjar: 1. këshillimin, 2. largimin nga shtrati dhe nga marrëdhëniet intime, 3. rrahja e lehtë ose largimi nga shtëpia për një kohë të caktuar, të tria këto masa për ta shprehur mospajtimin dhe pakënaqësinë ndaj sjelljes devijante të njërit çift bashkëshortor, 4. ndërmjetësimi i miqve dhe i familjarëve të të dyja palëve si arbitër për zgjidhjen e konfliktit, dhe 5. shkurorëzimi.
Duke qenë se All-llahu xh.sh. sugjeron kultivimin e qetësisë, të rehatisë, të dashurisë e të mëshirës në familje, p.sh. ajeti 21 i sures 30, er-Rum, thotë: “Dhe nga faktet (e madhërisë së) e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje te ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë. Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë”; dhe duke qenë se vetë Muhammedi a.s. nuk e ka përdorur rrahjen apo dhunën kurrë ndaj askujt, as ndaj fëmijëve e as ndaj grave, dhe duke qenë se Muhammedi a.s. vetë i ka qortuar burrat të cilët kanë pasur ushtruar dhunë ndaj grave, dhe duke qenë se edhe vetë ai në raport me bashkëshortet e tij ka pasur fërkime e mospajtime, por që kurrë nuk e ka përdorur dhunën, atëherë mbetet e tepërt që fjala e ajetit kur’anor “… dhe rrihni ato…” të kuptohet e të interpretohet si sugjerim apo urdhër për dhunë. Sipas mendimtarëve siç janë Muhammed Abdullah Draz, Tahir bin Ashur, Süleyman Ateş, Hayrettin Karaman etj., të cilët angazhohen për një komentim bashkëkohor të Kur’anit fisnik, urdhri për t’i rrahur gratë kryeneçe në këtë kohë duhet të kuptohet si një përjashtim nga konteksti i përgjithshëm kur’anor dhe që lidhet me kohën e shpalljes së Kur’anit fisnik. Në kohën kur është shpallur Kur’ani, po bile edhe deri tani vonë, ishte shumë e zakontë që gratë të rriheshin pa arsye dhe pa masë nga ana e burrave të tyre, andaj ky ajet kur’anor e kufizon këtë veprim vetëm në raste të veçanta, në masë të caktuar dhe sipas një radhe të caktuar, duke dhënë shenjë se kjo masë “disiplinore” gradualisht duhet të çrrënjoset nga shoqëria islame. Sidomos nëse e kemi parasysh përkufizimin e Muhammedit a.s. në hutben e tij lamtumirëse me fjalën “gajr muberrah”, si “rrahje e lehtë” që nuk lë gjurmë në trup, por që më shumë nënkupton jo rrahje, aq më pak dhunë, por shprehje të hidhërimit dhe të zemërimit të burrit për disa sjellje eventualisht jo të hijshme të gruas së tij. Dijetari Tahir bin Ashur thotë se mënyra e shprehjes së mospajtueshmërisë me disa sjellje të njëri-tjetrit në jetën bashkëshortore në kohë dhe në kultura të ndryshme shprehet ndryshe-ndryshe. Prandaj, me këtë rast, për bazë merret praktika e kohës, e vendit dhe e kulturës në të cilën jetojnë muslimanët. Kjo është fryma e ajetit të mësipërm.
Sot kësaj lirisht do të mund t’i thoshim jo “rrihni ato!”, por, për shembull, “jepuni vërejtje të dokumentuar me shkrim”. Ose të merret kuptimi tjetër i foljes “darabe”, që nënkupton largimin nga shtëpia për një kohë të caktuar, siç kishte vepruar vetë Muhammedi a.s., të cilin rast e trajton sureja e 66, et-Tahrim. Ose-ose, në kohën e sotme kjo “masë disiplinore”, pra rrahja, duhet të tejkalohet apo të shfuqizohet, e të kalohet në masat tjera edhe më efikase se kjo nga pesë që u përmendën më lart, gjë që për mendimin tim nuk e dëmton aspak frymën e përgjithshme të Kur’anit e të Islamit. I pari që mund të merret si shfuqizues i kësaj pjese të këtij ajeti, pra si shfuqizues i rrahjes së gruas dhe i dhunës në familje është vetë Muhammedi a.s., pasi ai kurrë nuk e ka rrahur asnjë grua të tij, edhe pse ka përjetuar fërkime e zënka herë pas here. Por, edhe më vonë, halifi i dytë, Omeri r.a. e shfuqizoi për shembull kategorinë e personave që duhej “t’u ngroheshin e fitoheshin zemrat”, kur ishte në pyetje dhënia e zekatit. Teksti mbetet edhe më tej në Kur’an, mirëpo ai e shfuqizoi dhe e shpalli për të pavlefshme këtë kategori njerëzish, të cilët nisën ta keqpërdornin mirësinë e Islamit. Nuk e di sot a ka keqpërdorim më të madh sesa rrahja dhe dhuna familjare?
Më pastaj, çfarë t’u bëjmë ajeteve kur’anore që e rregullojnë statusin dhe raportet me skllevërit? Edhe pse skllavëria sot, fatmirësisht, është ndaluar në mbarë botën, do të ngrihemi t’i zbatojmë këto ajete në botën moderne, nga arsyeja se Kur’ani përmban rregulla lidhur me ta, në mënyrë që këto ajete të mos mbesin në ajër? Çfarë t’u bëjmë ajeteve që e rregullojnë, për shembull, dhiharin, që ishte një lloj betimi i burrit për t’u larguar nga gruaja e tij për një kohë të caktuar ose përgjithmonë? Kjo ka qenë një traditë e asaj kohe dhe ka gjetur mbështetje edhe në Kur’an, ngase ishte aktuale në kohën kur është shpallur ai. Duhet ne sot patjetër ta praktikojmë këtë lloj betimi? Shembuj të këtillë ka mjaft, ajetet kur’anore figurojnë në tekstin e shenjtë tonin, mirëpo nuk zbatohen, pasi për ne sot reflektojnë një situatë që ka qenë prezente në atë kohë dhe zbatimi i tyre sot do të ishte i panevojshëm dhe joadekuat.
Se kjo është kështu, këtë e dëshmojnë provat e mëposhtme.
Në raport me sjelljen e burrave ndaj grave All-llahu Fuqiplotë e sjell parimin universal që vlen për të gjitha kohërat dhe për të gjitha vendet dhe kulturat:
“.. silluni mirë (çoni jetë të mirë) me to ..!” (en-Nisa’ 4:19)
Nga ana tjetër, dihet mirëfilli se Muhammedi a.s. i ka qortuar burrat që asokohe i rrihnin gratë e tyre duke u thënë:
“Si bëhet që dikush prej jush e rreh gruan e vet (ditën) si të ishte ajo një skllave e pastaj në mbrëmje të shkojë ta përqafojë e të flejë me të?!” (Buhariu, Muslimi, Ebu Davudi, Ibni Maxhe)
“Mos i rrihni robëreshat e All-llahut (gratë)! … Kanë ardhur shumë gra te familja ime të cilat janë ankuar për burrat e tyre (se ata i rrahin ato). Dijeni që këta burra nuk janë më të mirët nga mesi juaj”. (Ebu Davudi)
Kur një grua e quajtur Fatima bint Kajs erdhi te Muhammedi a.s. të këshillohej me të për martesë, pasi asaj ia lypnin dorën tre burra të ndryshëm, njëri quhej Mu’avije, tjetri Ebul Xhehm dhe i treti Usame, atëherë Muhammedi a.s. iu përgjigj: “Mu’avija është shumë i varfër, ndërsa Ebul Xhehmi është një njeri që e ka shprehi t’i rrahë gratë shumë (darrabu’n-nisa’). Unë të preferoj të martohesh me Usamen”. (Muslimi)
Këtu Pejgamberi a.s. sikur po e denoncon haptazi Ebul Xhehmin dhe njerëzit e llojit të tij, si njerëz të padëshirueshëm, jo vetëm për martesë.
Transmeton Aisheja r.a., gruaja e Pejgamberit a.s., si vijon:
“Pejgamberi i All-llahut a.s. kurrë nuk e ka goditur me dorë askënd, asnjë grua dhe asnjë shërbëtor (apo fëmijë)”. (Muslimi)
Ebu Dherri r.a. e transmeton nga Muhammedi a.s. këtë hadith kudsijj:
“(All-llahu xh.sh. thotë:) ‘O robërit e mi, Unë ia kam ndaluar Vetvetes padrejtësinë dhe zullumin, këtë jua ndaloj edhe juve, prandaj mos i bëni padrejtësi njëri-tjetrit!” (Muslimi)
Muhammedi a.s. ka thënë:
“Kijeni frikë All-llahun për hakun e dy të dobëtëve: grave dhe jetimëve” (Abdurrezzak es-San’ani)
Muhammedi a.s. edhe vetë ia ka drejtuar këtë lutje All-llahut Fuqiplotë:
“O All-llah, kam druajtje (më ruaj) ndaj hakut të dy të dobëtëve: jetimit dhe gruas!”. (Nesaiu dhe Ibni Maxhe).
Me këto hadithe, vihet në pah rëndësia e kujdesit ndaj kategorive të njerëzve që në atë kohë kanë qenë më të shtypurit, pra jetimët dhe gratë. Sot këtyre mund t’u shtohen edhe kategoritë e tjera, madje edhe burrat, edhe prindërit etj. Kryesorja është që të sigurohet dhe ushtrohet drejtësia ndaj të gjithëve, të mbrohen të dobëtit dhe të shtypurit si dhe të dënohen, me masa ligjore, shtypësit dhe dhunuesit.
Prandaj, gjetja e qetësisë, e prehjes, e rehatisë, por edhe e dashurisë së sinqertë dhe e mëshirës së ndërsjellë brenda familjes, në radhë të parë brenda bashkëshortëve, është e mundur vetëm në saje të një lidhjeje serioze, të sinqertë dhe të vetëdijshme midis anëtarëve të saj. Nëse njeriu këto mirësi nuk i gjen në familje, ku do të mund t’i gjejë tjetërkund? Në qoftë se një familje, burri e gruaja bashkë me fëmijët dhe eventualisht edhe anëtarët tjerë të familjes, nuk ofrojnë qetësi e rehati, dashuri e respekt për njëri-tjetrin, aty do të thotë se kemi të bëjmë me një jetesë pranë njëri-tjetrit, por jo me një jetesë bashkë me njëri-tjetrin. Kjo familje së shpejti nuk do të mund të quhet familje më.
Po kështu në Kur’anin e ndershëm All-llahu Fuqiplotë na flet edhe për raportin që kanë ndërmjet tyre burri dhe gruaja, bashkëshorti e bashkëshortja:
„Ato (gratë tuaja) janë si rrobat tuaja dhe ju jeni si rrobat e tyre…“ (el-Bekara: 187).
Përngjasimi i partnerëve me rrobat apo teshat në këtë ajet është shumë domethënës. Teshat jo vetëm që e mbrojnë njeriun nga të nxehtët e verës dhe nga të ftohtët e dimrit, por ato edhe i mbulojnë vendet e turpshme të tij, ato madje-madje e zbukurojnë atë. Në të njëjtën mënyrë, edhe burri edhe gruaja e mbrojnë dhe e mbështesin njëri-tjetrin, rrinë ngjitas dhe afër njëri-tjetrit, ndajnë gjithçka me njëri-tjetrin, si në rastet e gëzimit ashtu edhe në rastet e pikëllimit, si kur janë të shëndoshë ashtu edhe kur janë të sëmurë, si kur përjetojnë momente të lumtura ashtu edhe kur përjetojnë ndonjë mërzi. Me një fjalë, burri e gruaja e plotësojnë njëri-tjetrin, secili prej tyre është gjysma e së tërës.
(Pikëpamjet e shprehura në këtë opinion shprehim mendimet e autorit dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht mendimet e redaksisë).
E-Diaspora
-
Hamza vazhdon fushatën në Gjermani, takoi bashkatdhetarët në Hannover e Köln Kandidati për Kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, në kuadër të turneut të nëntorit...
-
Raportohet për eskalim gjatë tubimit të Edi Ramës me shqiptarët në Londër, rrahje mes protestuesish
-
Mbrëmje kulturore kushtuar rrënjëve të qytetërimit tonë
-
Rama nga Londra godet opozitën: Nxitën akte antishqiptare në tokë të huaj
-
Rama takohet me diasporën në Londër, pritet me protesta nga opozita
Jeta në Zvicër
-
Shitjet e birrës në Zvicër u zvogëluan nga moti i keq Trendi në rënie prej vitesh vazhdon kështu: shitjet totale të birrës ranë me 1.6% në 4.5...
-
Projeksionet e referendumeve sot në Zvicër
-
Pasditen e së dielës pritet të rikthehen në qarkullim trenat në Gjenevë
-
Për njëzet vjet, Google ka ndihmuar në transformimin e Cyrihut
-
Banorët e Cyrihut duhet të ndajnë 45 franga për dritat e Krishtlindjeve