Shkurt.ch

Dhoma e Kantoneve kundër orareve të gjata të shitoreve

Dhoma e Kantoneve i ka thënë jo propozimit që me ligjin e ri të lejohet mbajtja e zgjatur hapur e shitoreve. Propozimi ishte që në gjithë Zvicrën shitoret gjatë ditëve të punës të rrinin hapur nga ora 6 deri në orën 20 ndërsa të shtunave  nga ora 6 deri në orën 19. Ndërsa kantonet mund të caktonin edhe orare më të gjata për shitoret brenda  kantonit përkatës.

Arsyetimi i propozuesve për oraret e zgjatura të shitoreve ka qenë ai se në këtë mënyrë parandalohet “turizmi tregtar” gjegjësisht dalja jashtë kufijve për të bërë furnizime, shkruan srf.ch. Por kundërshtarët kanë dalë me argumentin se nuk janë oraret e shkurta por fuqia e frangut ajo që i shtyn konsumatorët të shkojnë jashtë vendit për “shopping turizëm”.

Megjithatë, aq të përafërta kanë qenë votat në këtë çështje sa që për të kundërshtuar këtë propozim është dashur edhe vota e kryetarit të dhomës.

Propozimi do të procesohet edhe nga Dhoma Nacionale, e cila po ashtu do ta hedhë atë në votim.