Integrimi

Dhjetë vite të frytshme të Ansamblit “Arbëresha”

Ky jubile është përjetësuar edhe me monografinë “Ansambli Arbëresha” të autorit Ndue Ukaj, të promovuar në këtë mbrëmje festive përkujtimore

Dhjetëvjetori i themelimit të Ansamblit “Arbëresha” në Sirnach të Kantonit Thurgau ka shërbyer si rast për një takim të përzemërt të të gjithë atyre që gjatë këtyre viteve kanë parakaluar në këtë ansambël dhe atyre që në ndonjë mënyrë e kanë mbështetur atë.

Ky jubile është përjetësuar edhe me monografinë “Ansambli Arbëresha” të autorit Ndue Ukaj, të promovuar në këtë mbrëmje festive përkujtimore. Mbi të gjitha mbrëmja e mbajtur në Sirnach ka kaluar në shenjë të përkujtimit të njërit ndër themeluesit dhe kryetarit të fundit të ansamblit “Arbëresha”, Lulzim Saliqunit, i cili ka ndërruar jetë disa muaj më parë.

Programi i mbrëmjes jubilare ka filluar me një shfaqje skenike koreografike mjaft mbresëlënëse me qirinj në nderim të Saliqunit. Po kështu atij i është kushtuar edhe një këngë e kënduar me mjaft emocione nga Valentina Kengji, ashtu si edhe një fjalë e lexuar në emrin e ansamblit nga Augustin Ukaj.

Lulzim Saliquni, i cili ka shkuar tepër herët nga kjo botë, është vlerësuar nga folësit si një shëmbëlltyrë e njeriut të dashur, të afërt e të përkushtuar për ruajtjen e traditave kulturore shqiptare në mesin e mërgimtarëve. Një pikturë e Arsim Berishës, mik dhe bashkëpunëtor i tij që paraqet Saliqunin gjatë vallëzimit, i është dhuruar familjes së të ndjerit.

Në skenë pastaj janë ngjitur njerëzit më të merituar për themelimin dhe mbijetesën e ansamblit “Arbëresha”, që në fillim quhej Grupi Folklorik “Arbëresha”. Don Marjan Marku që njihet s ideatori, themeluesi dhe mbështetësi për disa vite i Arbëreshës ka evokuar me këtë rast kujtime nga koha e themelimit.

Ai ka theksuar se ruajtja e traditave dhe bartja e tyre te brezi i ri si dhe prezantimi me vlera para auditorit vendës kanë qenë synimet kryesore për themelimin e “Arbëreshës”.  Ansambli është themeluar në kuadrin e Misionit Katolik Shqiptar për Zvicrën Lindore, me seli në Sirnach, si pjesë e përkushtimit të drejtuesve të këtij misioni për mbajtjen gjallë të kulturës shqiptare . Dhe, se ky përkushtim sot ka dhenë frytet e vetajubilare., u pa edhe në mbrëmjen

Don Marjani ashtu si dhe folës të tjerë duke iu referuar emrit “Arbëresha” kanë vendosur paralele në mes të mërgimit të arbëreshëve në Itali para më se 500 vjetëve dhe të mërgimtarëve të sotëm. Mbajtja e lidhjeve me atdheun ka qenë synimi, si atëherë ashtu dhe tash. 

Para publikut është paraqitur edhe ministri i diasporës në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Ibrahim Makolli. Ai ka vlerësuar lartë kontributin e ansamblit “Arbëresha” ashtu si dhe të gjithë mërgatës sonë në kultivimin e lidhjes me vendin e prejardhjes dhe me kulturën e tij. Po kështu edhe Don Albert Demaj në emrin e Misionit Katolik Shqiptar në Sirnach dhe Don Albert Jakaj nga Famullia e Stubllës, folën me respekt për rrugën e bërë nga “Arbëresha” gjatë këtyre dhjetë viteve.

Duke folur lidhur me monografinë e realizuar enkas për këtë rast, autori i saj Ndue Ukaj ka falënderuar ansamblin për punën e bërë dhe bashkëfshatarët si dhe personat tjerë vullnetmirë që kanë ndihmuar realizimin e librit.

Në vazhdim, me disa valle të bukura janë paraqitur fillimisht vogëlushët simpatikë Anton Koliqi dhe Salome Saliquni, për të vazhduar me grupin e fëmijëve dhe së fundi me grupin e të rriturve, me korin e fëmijëve si dhe me rapsodët. Të gjitha grupet kanë treguar një përzgjedhje të bukur të valleve, këngëve dhe lojërave që kanë prezantuar.

Si njëri ndër mësuesit e hapave të parë të vallëzimit të anëtarëve të “Arbëreshës” ka marrë fjalën edhe prof. Xhemali Berisha, koreografi i njohur, i cili kishte ardhur enkas nga Gjeneva për këtë rast.

Ndërsa organizatorët kanë falënderuar në mënyrë të veçantë edhe Agron Bajramin si koreografin e parë të shoqërisë, pastaj edhe Arsim Berishën dhe Nexhmedin Isufin.

Kryetari aktual i ansamblit Ndue D. Ukaj u ka dhuruar nga një ekzemplar të monografisë kushtuar “Arbëreshës” të gjithë atyre që kanë ndihmuar dhe përcjellë  aktivitetet e ansamblit për këto dhjetë vite.


B.SH.